Autoritetet kanë konfirmuar të mërkurën, më 29.01.2025, se të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 60 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë turme në Festivalin masiv “Kumbh Mela” në Indi – raporton BBC.
Një prej të mbijetuarve i cili foli me ekipin e BBC-së në terren përshkroi se ishte shtyrë në lumin Gang, ndërsa po merrte pjesë në larje rituale.
Samira Hussain e BBC-së ka përshkruar skena “kaosi absolut” në bregun e lumit: me rroba, këpucë, batanije dhe çanta shpine të shpërndara e të hedhura përtokë, ndërsa turmat po përpiqeshin të arratiseshin.
Zyrtarët parashikuan që deri në 100 milionë njerëz pritej të merrnin pjesë në Ditën e Larjes në Festivalin fetar hind.
Ngjarja ndodhi midis ndërmjet 1 dhe 2 të mëngjesit pranë arenës së asketëve, ku ishin vendosur barrikada për menaxhimin e turmës gjatë zhytjes së tyre të shenjtë – ka theksuar Yogi Adityanath, kryeministër i shtetit Uttar Pradesh, ku mbahet Festivali – raporton Reuters.
Kryeministri Narendra Modi, në një postim në X, ka shprehur ngushëllime për “adhuruesit që kanë humbur të dashurit e tyre”, por nuk specifikoi numrin e të vdekurve.
“Administrata lokale është e angazhuar për të ndihmuar viktimat në çdo mënyrë.” – ka theksuar ai.
Adityanath shtoi se situata ishte nën kontroll, por turma ishte ende masive.
Videot dhe fotografitë pas rrëmujës treguan trupat që barteshin me barela dhe njerëz të ulur në tokë duke qarë, ndërsa të tjerët kaluan mbi rroba, këpucë, çanta shpine dhe batanije të lëna nga ata që përpiqeshin t’i shpëtonin rrëmujës.
Një dëshmitar ka theksuar për Reuters se ka parë disa trupa të pajetë, teksa dhjetëra ambulanca po nxitonin drejt bregut të lumit ku ndodhi incidenti.
Dëshmitarët thanë se kishte një rrëmujë të madhe pranë bashkimit të tre lumenjve të shenjtë – ku zhytja konsiderohet veçanërisht e shenjtë – që bëri që besimtarët të binin mbi njëri-tjetrin.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com