Ballina

Etiketë: Robert Fico

  • Fico e fton Zelenskyn për bisedime për transitin e gazit

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime për transitin e gazit, në mes të mosmarrëveshjeve lidhur me vendimin e Kievit për të ndalur dërgesat me gazin rus.

    Ukraina ndërpreu dërgesat e gazit për në Evropë në fillim të vitit, pas përfundimit të një marrëveshjeje për transit mes Kievit dhe Moskës. Me këtë vendim, Kievi po synon të ndalë të ardhurat nga energjia që Moska i përdor për të financuar pushtimin e Ukrainës, që ka nisur gati tre vjet më parë.

    Fico tha se vendimi ka ndikuar te Sllovakia, që gjendet në kufi me Ukrainën, përmes çmimeve më të larta të gazit dhe humbjes së tarifave për dërgimin e gazit më tej në Evropë. Ai tha se synon që të rinisin dërgesat.

    Fico tha në një letër të hapur drejtuar Zelenskyt, e cila u publikua nga zyra e tij, se një takim që do të mund të mbahej në Sllovaki pranë kufirit me Ukrainën dhe në të do të mund të diskutohej për zgjidhjet teknike për këtë çështje.

    “Një takim i tillë do të krijonte bazë të mirë për një diskutim të hapur lidhur me furnizimet me gaz për Sllovakinë dhe shtetet e tjera përmes territorit ukrainas”, tha Fico.

    Fico në të kaluarën ka thënë se është afër arritja e një marrëveshjeje që do të mundësonte vazhdimin e dërgesave të gazit përmes Ukrainës, duke ndryshuar paraprakisht pronësinë e gazit.

    Por, ai ka deklaruar se Zelensky kishte refuzuar zgjatjen e afatit për dërgesat e gazit përmes Ukrainës gjatë një samiti të Bashkimit Evropian të mbajtur dhjetorin e vitit të kaluar.

    Fico ka argumentuar se Evropa ka humbur miliarda euro nga rritja e çmimeve të gazit, që u shkaktuan nga mungesa e rreth 13.5 miliardë metra kub gaz që kaloi përmes Ukrainës vitin e kaluar, përfshirë 3 miliardë metra kub për konsum në Sllovaki./REL

  • Fico thotë se siguroi furnizimin e Sllovakisë me gaz në bisedimet me Putinin

    Kryeministri Robert Fico tha të mërkurën se kishte siguruar furnizimin me gaz të Sllovakisë gjatë një takimi me Presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë muajin e kaluar, pak para se Ukraina të ndalonte kalimin e gazit nga Rusia në fillim të këtij viti.

    “Më duhej të siguroja minimumin e gazit të nevojshëm për konsum të brendshëm në Sllovaki, gjë që e kemi arritur”, tha zoti Fico në një video të postuar në rrjetin Facebook. Kryeministri sllovak nuk dha më shumë detaje ndërsa zyrtarë të qeverisë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

    Zoti Fico e ka akuzuar Kievin se e ka dëmtuar Sllovakinë duke mos zgjatur një marrëveshje tranziti për gazin rus që skadoi në fund të vitit 2024. Ai ka kërcënuar se do të shkurtojë nivelin e energjisë elektrike që shkon drejt Ukrainës dhe se do të reduktojë ndihmën për refugjatët ukrainas.

    Sipas të dhënave të operatorit sllovak të rrjetit të transmetimit të gazit “Eustream”, Sllovakia ka vazhduar të marrë gaz që vjen nëpërmjet Hungarisë, e cila furnizohet me gazin rus nëpërmjet tubacionit “Turk Stream”, që nga ndalimi i prurjeve nga Ukraina.

    Zoti Fico tha se ndalimi i gazit nga Ukraina i ka kushtuar vendit të tij rreth 500 milionë euro në tarifa tranziti dhe 1 miliard euro për çmimet më të larta të gazit. Ai do të takohet me zyrtarë të Komisionit Evropian në Bruksel të enjten për të diskutuar mbi ndalimin e transitit të gazit nga Ukraina.

    Kievi ka thënë se ndalimi i transitit të gazit e dëmton Moskën ekonomikisht për sa kohë që Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e ka akuzuar Kryeministrin Fico për hapjen e një “fronti të dytë energjetik” kundër Ukrainës me urdhër të Rusisë./ VOA