Ballina

Etiketë: Rivaliteti

  • Britania paralajmëron Putinin, pasi anija përgjuese ruse rikthehet në ujërat britanike

    Flota Ushtarake Mbretërore e Britanisë së Madhe ka monitoruar një anije përgjuese ruse, pas hyrjes së saj në ujërat britanike në fillim të javës – ka bërë të ditur të mërkurën, më 22.01.2025, Sekretari i Mbrojtjes – raporton BBC.

    John Haeley ka thënë se anija “Yantar” është përdorur për mbledhjen e informacioneve të inteligjencës dhe të hartëzimit të infrastrukturës nënujore kritike të Mbretërisë së Bashkuar.

    Ai ka thënë se incidenti është “një tjetër shembull i rritjes së agresionit rus”.

    “Dua gjithashtu që presidenti Putin të dëgjojë këtë mesazh: ne po ju shohim, ne e dimë çfarë po bëni dhe ne nuk do të sprapsemi prej veprimit të vendosur për ta mbrojtur këtë vend.” – theksoi ai.

    Rusia e përshkruan “Yantarin” si anije kërkimore shkencore oqeanore dhe se po operohej prej Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

    Shtetet perëndimore shpesh kanë vërejtur anijen duke operuar në ujërat europiane dhe dyshojnë se pjesë e misionit të saj është krijimi i një harte të kabllove nënujore.

    Ato besojnë gjithashtu se Rusia ka rritur numrin e këtij aktiviteti, prej nisjes së agresionit të plotë kundër Ukrainës.

    Bashkë me pajisjet e përgjimit, anija mund të operojë edhe dronë nënujorë të aftë për të arritur deri në shtratin oqeanor.

    Infrastruktura nënujore është qenësore për furnizimin me energji të kabllove dhe tubave, derisa 95% e trafikut të internetit sigurohet gjithashtu nëpërmjet kabllove nënujore.

    Healey ka thënë se “Yantari” së fundmi ka lundruar në Detin e Veriut, pasi ka kaluar përgjatë ujërave britanike dhe ishte spikatur rreth 10 kilometra larg bregut britanik në Kanalin Anglez të hënën.

    Ai ka thënë se Qeveria britanike po fuqizon kundërpërgjigjen ndaj aktivitetit detar rus, në koordinim me aleatët e NATO-s. Ai ka thënë se Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë do të ofrojë monitorim ajror për t’iu bashkuar një misioni të NATO-s, për mbrojtje të infrastrukturës kritike në Detin Baltik.

    Zhvillimi ka ardhur pasi një kabllo nënujore ndërmjet Estonisë dhe Finlandës u dëmtua në dhjetor, me Policinë finlandeze që po heton nëse në këtë punë kishte gisht një anije ruse.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Harris do ta certifikojë Trumpin President, katër vjet pas trazirave të Kapitolit

    Zëvendëspresidentja demokrate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris do ta udhëheqë të hënën, më 06.01.2025, certifikimin zyrtar në Kongres të rezultatit të Zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024 – një garë që e kishte humbur kundrejt rivalit republikan, Donald Trump – ka raportuar transmetuesi britanik BBC.

    Kjo datë shënon edhe katërvjetorin e trazirave dhe mësymjes në Kapitolin amerikan, kur mbështetësit e Trumpit u munduan të pamundësonin certifikimin e presidentit demokrat, Joe Biden – pas fitores së Zgjedhjeve në nëntorin e vitit 2020. Kjo është një ceremoni formale.

    Por masa të rrepta sigurie janë marrë në Uashington DC dhe presidenti Biden është zotuar se nuk do të ketë përsëritje të dhunës së 06.01.2021, që rezultoi me disa të vdekur.

    Dhe derisa kongresistët po mblidhen në Uashington, stuhia e fuqishme e dëborës mund të shkaktojë telashe.

    Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka thënë se Ceremonia e Certifikimit në mbrëmje do të mbahet pavarësisht motit të ligë – duke deklaruar për Fox Newsin: “Pavarësisht se a do të ketë acar apo jo, ne do të të jemi në sallë që të sigurohemi që puna të kryhet”.

    Si zëvendëspresidente aktuale, Harrisit i kërkohet prej Kushtetutës amerikane që të udhëheqë zyrtarisht certifikimin e rezultatit pasi Trumpi e mposhti atë në Zgjedhjet kombëtare, më 05.11.2024.

    Trumpi i fitoi të gjitha – shtatë shtetet e pavendosura, duke e ndihmuar fitoren e tij në Kolegjin zgjedhor – mekanizmi që merr Presidencën. Do të jetë detyrë e Harrisit që të lexojë numrin e votave të Kolegjit zgjedhor, të fituara prej secilit kandidat.

    Mandati i dytë i Trumpit do të nisë pas inaugurimit të tij më 20 janar. Për herë të parë prej vitit 2017, partia e Presidentit do ta ketë shumicën edhe në dhomat e Kongresit, megjithëse me një epërsi të ngushtë.

    Fitorja e Trumpit shënoi një rikthim të jashtëzakonshëm prej humbjes së tij zgjedhore në vitin 2020 dhe pas dënimit penal më 2024 – i pari për një President aktual ose ish-President amerikan.

    Presidenti Biden është zotuar se do të ketë transferim paqësor të pushtetit presidencial.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com