Ballina

Etiketë: Richard Verma

  • Lajçak thotë se fokusi i javës në Bruksel është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur

    I dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak ka njoftuar se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

    Këtë njoftim, Lajçak e bëri në rrjetet sociale në të cilat foli edhe për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në takimet e tij Lajçak thotë se u fol për sfidat dhe mundësitë gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit.” – shkroi Lajçak mes të tjerash.

    Lajçak ka njoftuar në rrjete sociale se këto çështje i diskutoi me ndihmëssekretarin amerikan për Europë dhe Euroazi, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof.

    “Për më tepër, pata mundësinë të informoja zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.” – shkroi tutje Lajçak.

    Lajçak shkoi edhe në New York, me ç’rast thotë se u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

    Në takim me të, Lajçak thotë se biseduan për dinamikat rajonale.

    “Takimi im me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo përforcoi nevojën për përpjekje shumëpalëshe të mirëkoordinuara, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt integrimit europian.” – shkroi tutje ai.

    https://kallxo.com/lajm/komisioni-qeveritar-per-persona-te-zhdukur-me-ne-fund-do-te-mund-te-adresojme-te-gjitha-shqetesimet-tona/

  • Osmani: Kosova dhe SHBA do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 10.01.2025 deklaroi se në takim me zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma iu konfirmua se Kosova dhe SHBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

    Sipas Osmanit, kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e cila dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate.

    “Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale, si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.” – ka shkruar Osmani.

    Ajo ka falënderuar: “Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës.”

    Ndërsa, ka thënë se mezi pret ta vazhdojë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës.

    “Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik, e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.” – ka thënë tutje Osmani.

    E ngarkuara me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati është takuar më 09.01.2025 me sekretarin amerikan, Richard Verma.

    Sipas njoftimit të Ambasadës, zëvendëssekretari i Shtetit do të takohet me zyrtarët më të lartë të Kosovës, komunitetin e biznesit dhe përfaqësues të mediave.

    Verma ka nisur turin në disa shtete të Ballkanit Perëndimor që nga data 07.01.2025, në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Ai do të qëndrojë deri më 11.01.2025.

    Ende nuk dihet nëse do të ndodhë një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Departamenti i Shtetit (DASH) bëri të ditur se në Kosovë, Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

    Ndër të tjera thuhet se Verma, gjithashtu, do të falënderojë Qeverinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.

    https://kallxo.com/lajm/dialogu-kosove-serbi-presidentja-osmani-takohet-me-zyrtarin-amerikan-richard-verma/