Ballina

Etiketë: Richard Grenell

  • Grenell kërkon të dënohet ‘dhuna’ në protestat në Serbi, komuniteti i ‘X’ i thotë se janë më paqësoret në 30 vjetët e fundit

    Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme ka shpërndarë në rrjetin social “X” një video të protestave në Serbi.

    Grenell shkruan se është me rëndësi që të rritet zëri dhe ai të dëgjohet, por sipas tij “të gjithë duhet të dënojmë dhunën dhe të qëndrojmë në protesta paqësore” – shkruante ai më 25.01.2025.

    Megjithatë platforma “X” në të cilën ka shkruar Grenell jep mundësinë e shënimeve (notes) të komunitetit, përmes së cilës lexuesit mund t’i japin kontekst apo t’i demantojnë ngjarjet për të cilat publikojnë personalitete të ndryshme publike.

    Në këto shënime tek shkrimi i Grenellit, komuniteti e ka demantuar zyrtarin amerikan, teksa thotë se këto protesta janë më paqësoret në 30 vjetët e fundit.

    Komuniteti mes tjerash ka sqaruar se kërkesat e stduentëve në Serbi lidhen me aksidentin në Novi Sad vitin e kaluar dhe jo me marrjen e qeverisë.

    “Këto protesta kanë qenë më paqësoret në 30 vjetët e fundit në Serbi. E vetmja dhunë që ka ndodhur është bërë dhe frymëzuar nga Qeveria dhe Presidenti Vuçiq. Lista e kërkesave lidhet me një aksident që vrau 15 persona, jo me marrjen e Qeverisë” – thuhet në shënimet e komunitetit.

    Kurse Grenell ka kërkuar që protestat si proces demokratik të respektohen.

    “Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që marrin me forcë ndërtesat qeveritare” – ka shkruar tutje ai.

    Tutje ai thotë që nëse nuk duhet ligji apo lideri duhet të punohet që të ndërrohen por jo të përdoret dhuna.

    Studentët në Serbi përmes protestave nga nëntori i 2024-ës, po kërkojnë përgjegjësi institucionale pas vdekjes së 15 personave nga shembja e çatisë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 01.11.2024.

    Ndërkohë në të gjithë Serbinë është mbajtur të premten (24.01.2025) një grevë e përgjithshme, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

    Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.

    Në mbajtjen e grevës së përgjithshme, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.

    Gjatë protestave, mediat kanë raportuar se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Novi Beograd. Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar se kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

    Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

    Edhe gjatë adresimit në Jagodinë, Vuçiq pretendoi, pa ofruar dëshmi, se Serbia po sulmohet “nga jashtë dhe brenda”.

    Përndryshe, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit.

  • Grenell kritikon Kurtin: I solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët

    Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Grenell ka thënë se Kurti i solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët.

    “Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Bidenit dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit europianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden. Kurti mbështeti Joe Bidenin dhe Kamala Harrisin dhe megjithatë ai ishte kritikuar nga ta” – ka shkruar Grenell më 23.01.2025.

    Një ditë më parë, të mërkurën, më 22.01.2025, Grenell ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe asaj të ish-presidentit Barack Obama.

    Gjatë një interviste për RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë, Joe Biden dhe Barack Obama, e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

    Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

    “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell në “X”.

    Gjatë mandatit të parë të Trumpit në krye të SHBA-së, Richard Grenell ishte emëruar si i dërguar i Administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

  • Richard Grenell reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës rreth qasjes së presidentëve Biden dhe Obama ndaj Kosovës

    I dërguari për misione speciale i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Barack Obama.

    Një një intervistë në RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

    Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

    “Dhe neve, me thënë të drejtën, gjatë kësaj kohe na kanë ndodhur disa çështje të cilat i ka shty Serbia, të cilat shumë e kanë dëmtu reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës, për shembull Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj që Gjykata Speciale do të ishte bërë nëse veç Bashkimi Europian kishte qenë në anën e Gjykatës Speciale. Këtë po e garantoj, nuk do të ishte bërë. Ishim bërë ne bashkë këtu, me PDK-në, me LDK-në, me Vetëvendosjen e me krejt edhe nuk do të kishte ndodhur”- ka deklaruar Konjufca.

    E ndaj kësaj deklarate të kryekuvendarit të Kosovës ka reaguar i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Grenell ka shkruar se ata kanë qeverisur katër vite dhe deri më tani nuk janë ankuar për një gjë të tillë ndaj Administratës së Biden dhe asaj Obama.

    “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell sot, më 22.01.2025.

     

  • Ramush Haradinaj takohet me Richard Grenell

    Kryetari i AAK dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në SHBA ka zhvilluar takim pune me Richard Grenell, i dërguar i posaçëm presidencial për misione të veçanta, i cili do të fillojë punën që nga nesër (20.01.2025), në ditën e inaugurimit presidentit Donald Trump.

    “Ballkani Perendimor, përfshirë Kosovën, janë pjesë e angazhimit të Ambasadorit Grenell në detyrën e re në administratën e dytë të Presidentit Trump” – ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook, të cilin e ka shoqëruar me dy foto.

    “Me këtë rast, Ambasadorit Grenell, i rikonfirmova zotimin e Kosovës për rikthimin në marrëdhënie strategjike me SHBA, duke i nënvizuar synimin tonë kryesor, anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO!” – ka theksuar Haradinaj.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të inaugurohet sot si president i Shteteve të Bashkuara.

    Kjo është hera e dytë që Trump zgjidhet president i SHBA-së.

    Trump e ka caktuar ambasadorin Grenell si të dërguar presidencial për misione speciale.