Ballina

Etiketë: Republika Sërpska

  • Republika Sërpska e shënon ditën e saj jokushtetuese, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA dhe BE

    Republika Sërpska, entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, e ka shënuar të enjten me një paradë në rrugët e Banjallukës 9 Janarin, ditën e saj, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka shpallur tri herë jokushtetuese. Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar kishte bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese.

    Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk i është përgjigjur pyetjeve së Radios Evropa e Lirë nëse është nisur ndonjë hetim në lidhje me shënimin e kësaj dite këtë vit, dhe nëse është bërë ndonjë gjë në lidhje me shënimin e saj vitin e kaluar, kur siç thuhet, ajo kishte vëzhguar aktivitetet e saj.

    Në paradën e së enjtes morën pjesë, ndër të tjera, përfaqësues të njësive publike dhe të shërbimeve të shpëtimit, anëtarë të çmobilizuar të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe studentë.

    Në mesin e zyrtarëve që morën pjesë, ishin edhe kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq dhe presidenti i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq.

    Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, nuk mori pjesë, pasi është duke shëruar nga një operacion të cilit iu nënshtrua në fillim të dhjetorit.

    Në emër të tij foli ministri i Punëve të Brendshme i Republikës Sërpska Sinisha Karan.

    Në fjalimin e tij, ai e përmendi edhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke vlerësuar se pas përfundimit të procedurës në Gjykatën e Bosnjës kundër Millorad Dodikut “do të dihet nëse Marrëveshja e Dejtonit dhe Bosnja e Hercegovina do të mbijetojnë”.

    Dodik po gjykohet për mosbindje ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

    Në festimin e 9 Janarit morën pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë së Serbisë

     Në Banjallukë ka mbërritur edhe një delegacion i Qeverisë së Serbisë. Mes tyre ishte edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq.

    Në Banjallukë mbërriti edhe Aleksandar Vulin, ministër në Qeverinë e Serbisë, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

    Ai tha se “R është festë për çdo serb dhe se është festë për të gjithë serbët”.

    “Prandaj po e rrënojnë, po e sulmojnë çdo vlerë serbe. Po kërkojnë të përcaktojnë se çfarë do të festojmë ne, si do të festojmë ne, prandaj po kërkojnë të përcaktohet flamuri ynë. Ata duan të sundojnë në vendin tonë. Po kërkojnë që Dodiku të gjykohet si hakmarrje, siç e gjykuan popullin tonë në Hagë. Për ta rrëzuar të parin mes nesh, Aleksandar Vuçiqin, dhe atë në rrugë, jo në zgjedhje”, tha Vulin.

    Në mesin e pjesëmarrësve ishin përfaqësues të Ujqërve të Natës, një degë e klubit rus të motoçikletave të kryesuar nga Alexander Zaldostanov, i cili është i afërt me Kremlinin dhe presidentin rus Vladimir Putin.

    Më herët gjatë ditës, Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA-së në Sarajevë dhe Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, bënë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

    Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

    “Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në reagim.

    Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, u bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

    “BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë.

    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023.

    Ai paralajmëroi se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Pse është kontrovers festimi i kësaj dite?

     Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur, në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i popullit Serb së Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues.

    Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej.

    Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

    Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska./REL

  • Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e Ditës Jokushtetuese të Republikës Sërpska

    Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit, lidhur me shënimin e Ditës Jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

    Ceremonia për shënimin e kësaj Dite Jokushtetuese nis në orën 17:00 në Banjallukë.

    Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në vitin 1992 në Sarajevë Kuvendi i atëhershëm i popullit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues.

    Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej. Në krye të Republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq e Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për “krime lufte” nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

    Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore, në lidhje me kremtimin e Ditës Antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar – njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

    Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

    “Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht Vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë Vendimet Përfundimtare dhe Detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre Vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.” – u tha në reagim.

    Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, të mërkurën, me rastin e kremtimit të Ditës Antikushtetuese të Republikës Sërpska i bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

    “BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës.” – u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë.

    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të Vendimeve Përfundimtare dhe Detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale – sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Schmidt shtoi se është përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Policisë që të ndërmarrin masat e përcaktuara me Ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë e pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.

    Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Sërpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Sërpska” nuk mund të jetë 9 janari – datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjë dhe Hercegovinës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran – ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e Ditës Antikushtetuese të Republikës Sërpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimeve evropiane.

    “Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike.” – i tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Zyra për Media e BE-së.

    Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Sërpska./REL