Ballina

Etiketë: rekomandimi i suspendimit

  • IPK rekomandon suspendimin e policit i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Çubrel

    Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë zyrtarin policor i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Çubrel të Skenderajt, të dielën në mbrëmje, më 26.01.2025, nga i cili vdiqën tre persona.

    Rekomandimi i IPK-së u bë si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit në lidhje me aksidentin me fatalitet i cili u regjistrua në rrugën Mitrovicë-Pejë, më saktësisht në fshatin Çubrel.

    KALLXO.com mëson se në veturën e Policisë e cila u aksidentua me një veturë civile ishin katër zyrtarë policorë të Njësisë Speciale Kufitare.

    Të njëjtit në kohën e aksidentit ishin duke u kthyer nga puna në drejtim të Pejës.

    Në aksidentin që ndodhi më 26.01.2025 vdiqën tre persona, një burrë dhe dy gra.

    Sipas një hetimi preliminar dyshohet se aksidenti u shkaktua nga mospërshtatja e shpejtësisë së veturës së Policisë.

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku, ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i Policisë dhe një veturë civile.

    Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes – duke iu bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe Prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes.

    “Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të Policisë, i cili  ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Si pasojë e aksidentit tre persona të cilët kanë qenë në veturën civile, një burrë dhe dy gra, kanë vdekur.

    Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile, të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    “Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të Policisë në momentin e aksidentit, përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorin kompetent.” – thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.

    KALLXO.com raportoi në lidhje me aksidentin që u shënua mbrëmë, më 26.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/tre-te-vdekur-nga-aksidenti-ne-cubrel-te-skenderajt/