Ballina

Etiketë: refugjatët

  • Gëzimi kthehet në dëshpërim për palestinezët e kthyer në Gazë

    Gëzimi i mijëra familjeve palestineze që u kthyen në shtëpi në Gazën veriore, pas armëpushimit me Izraelin, po kthehet në dëshpërim, teksa po përballen me realitetin e shtëpive të ftohta, të pabanueshme, të bombarduara, si dhe me mungesa të ashpra të ushqimeve –  raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Shumë prej tyre kanë nisur të ankohen për mungesën e ujit të rrjedhshëm, duke u detyruar të presin në radhë për orë të tëra për të mbushur enët plastike sa për pirje a pastrim. Me shumicën e shtëpive që tani janë kthyer me rrënoja, aq sa syri mund të shohë, të kthyerit kanë pastruar çdo send të dobishëm që ka mbetur nga pronat e tyre për të ngritur tenda të improvizuara.

    Natën, zonat e banuara e të shkatërruara nga sulmet ajrore dhe granatimet izraelite zhyten në errësirë ​​shkaku i mungesës së energjisë elektrike ose karburantit për gjeneratorët.

    “Nuk ka asgjë, nuk ka jetë, as ujë, as ushqim, as pije, asgjë për të jetuar. Jeta është shumë, shumë e vështirë. Nuk ka Kamp ‘Jabalia’.” – ka thënë Hisham El-Err të mërkurën, pranë rrënojave të banesës së tij, në një ndërtesë shumëkatëshe në Kampin e refugjatëve në Rripin e Gazës. Ky ishte më i madhi prej Kampeve dhe me popullsi të dendur.

    Familja e tij e gjerë tani është vendosur në tenda, të cilat ofrojnë mbrojtje të pakët nga të ftohtit në mes të dimrit në Gazë.

    Të martën vonë autoritetet e “Hamasit” në Gazë kanë njoftuar se shumica prej 650 mijë palestinezëve të zhvendosur nga veriu për shkak të luftës janë kthyer në qytetin e Gazës dhe në skajin verior të enklavës nga zonat në jug ku luftimet ishin më pak intensive dhe shkatërruese.

    Shumë nga ata që po kthehen, shpesh të ngarkuar me plaçka personale që u kishin mbetur pas muajsh të tëra lëvizjesh, kishin ecur 20 kilometra ose më shumë përgjatë autostradës bregdetare.

    Fahad Abu Jalhoum u kthye me familje në Jabalia nga zona Al Mawasi në Gazën jugore, por shkatërrimi ishte aq i madh, saqë ishin detyruar të ktheheshin në jug.

    “Janë thjesht fantazma pa shpirtra (në veri).” – ka thënë Abu Jalhoum për Reutersin në Al Mawasi. “Të gjithë na ka marrë malli për veriun, por kur shkova atje u trondita. Kështu që u ktheva në (jug), derisa të kemi ndonjë lehtësim nga Zoti”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com