Në kuadër të projekteve që parasheh Koalicioni AAK-Nisma për Rajonin 07- Gjakovën, në kuadër të Programit zgjedhor, është edhe funksionalizmi i Aeroportit të Gjakovës.
Kandidati për Deputet që vjen nga ky Rajon, Artan Nimani tha në “Debat Përnime”, më 23.01.2025, se funksionalizmi i këtij Aeroporti për destinacione të veçanta dhe shfrytëzimi i tij si aeroport alternativ, do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Nimani tha se aktualisht nuk dihet se cila do të jetë kostoja për funksionalizimin e këtij aeroporti, meqë sipas tij fillimisht është planifikuar ridizajnimi i aeroportit.
Përveç kësaj, për Rajonin 07 është paraparë edhe modernizmi i sistemit të ujitjes, për një pjesë të madhe të këtij Rajoni.
“Modernizimi i Sistemit të ujitjes, që po ashtu më shumë e mbulon pjesën lindore Prizren – Rahovec, por edhe këtë pjesën tjetër të Gjakovës, pasi burim e ka Radoniqin.” – tha Nimani.
Gjithashtu, në Program të AKK-NISMA-s parashihet linja hekurudhore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Zotime janë dhënë edhe për investime në infrastrukturën rrugore.
“Parashohim zhvillimin e infrastrukturës, e cila infrastrukturë e parasheh përfundimin e infrastrukturës rrugore, duke filluar në plan të parë autostrada e Dukagjinit, pastaj përfundimi i autostradës së Gjilanit, autostradës për Merdarë dhe rrugëve që kanë mbetur të kontraktuara dhe të papërfunduara.” – ka thënë Nimani.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-koalicionit-aak-nisma-termocentral-me-thengjill-rritje-pagash-e-funksionalizim-te-aeroportit-te-gjakoves/