Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Programin e saj zgjedhor ka paraparë edhe disa projekte për Rajonin 01 – Prishtinën.
Ndër projektet e para që është menduar nga kjo parti për qytetarët e Prishtinës është funksionalizimi i transportit rrugor.
Në kuadër të kësaj parashihet ndërtimi i Unazës së Jashtme të Kryeqytetit, e cila sipas kandidates për deputete Eliza Hoxha ka një kosto prej 400 milionë euro.
“Funksionalizimi i transportit rrugor brenda qytetit të Prishtinës dhe këtu përfshihet Unaza e Jashtme e Prishtinës, me zotim deri në 400 milionë euro.” – tha Hoxha në “Debat Përnime”, më 22.01.2025.
Mirëpo, PDK ende nuk e ka ‘formulën’ e gatshme, sesi do t’i gjejnë mjetet.
Kjo, sipas Hoxhës, mbetet të shihet pasi të “vijnë në pushtet” – nëse do të jetë zgjidhje përmes ndonjë kredie apo bashkërendim të fondeve.
Investime parashihen të bëhen edhe në infrastrukturën hekurudhore, me fokus të veçantë do të jetë linja që përfshin Prishtinën – duke e lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si dhe funksionalizmi i një linje të tramvajit në këtë drejtim.
“Zona e Regjionit 01, lidhja e Kryeqytetit me Stacionin kryesor të trenit dhe Aeroportin e Prishtinës cili është në Lipjan. Dhe, në këtë drejtim normalisht parashihet edhe linja e tramvajit.” – tha Hoxha.
Në Programin zgjedhor të PDK-së parashihet që linjat e tramvajit të përfshijnë, jo vetëm zonat e urbane dhe periferike të Prishtinës por, edhe linjat për Fushë-Kosovë, Lipjan dhe Graçanicë.
Investime u premtuan edhe në Stadiumin Olimpik Kombëtar, në restaurimin e ish-objektit ‘Boro dhe Ramizi’ dhe investime në qendrat kulturore.
Hoxha përmendi edhe ndërtimin e Memorialit të Gjenocidit, që sipas saj, ende nuk ka një lokacion të caktuar se ku do ndërtohet, por në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të vendoset.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/planet-e-pdk-se-digjitalizim-e-rritje-pagash-ne-shendetesi-dhe-memorial-te-gjenocidit-ne-prishtine/