Ballina

Etiketë: QKK

  • QKK emëron jurinë për vlerësimin e projekteve filmike që kanë aplikuar për subvencionim

    Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar jurinë vlerësuese për projektet filmike të metrazhit të gjatë, të cilat kanë aplikuar në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024.

    Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi, janë emëruar anëtarë të jurisë vlerësues për projektet filmike të cilat kërkojnë mbështetje financiare nga fondet publike.

    Më 12.12.2024, QKK-ja ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, por jo edhe për zhanret e  tjera të filmit siç kishte vepruar në vitet paraprake.

    Ndërsa konkursi u zgjat më 13.01.2025 për 24 orë për shkak të problemeve teknike që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online të QKK-së gjatë datës 12.01.2025.

  • QKK-ja e merr me qira për 200 euro në muaj Kino ABC-në, synon pronësinë e saj

    Nga janari i vitit 2025 Qendra Kinematografike e Kosovës ka marrë me qira Kinemanë ABC (Kino ABC) në Prishtinë.

    Marrja e Kino ABC-së nën menaxhim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes QKK-së, është konfirmuar për KALLXO.com nga drejtoresha e kësaj të fundit, Blerta Zeqiri.

    Por, MKRS dhe QKK-ja planifikojnë ta marrin në tërësi në pronësi Kinemanë ABC (Kino ABC), duke përfshirë edhe Ndërmarrjen për Distribuimin dhe Shfaqjen e Filmave “Genci”, e cila menaxhonte me KINO ABC-në. NDSHF “Genci” duke përfshirë edhe Kino ABC-në është nën të menaxhim të Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Më 27.12.2024, QKK-ja përmes një njoftimi pati bërë të ditur se në bashkëpunim me MKRS ka marrë në shfrytëzim këtë kinema.

    Vendimi për dhënien me qira të Kino ABC-së është marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) më 27 dhjetor 2024.

    Pas këtij vendimi, më 3 janar 2025, përmes Facebook-ut, Kino ABC njoftoi për ndërpreje të përkohshme të shfaqjes së filmave.

    Me Ligji për Kinematografinë i cili ka hyrë në fuqi më 16.07.2023, fusha e kinematografisë është shpalur me interesat të veçantë. Nisur nga ky fakt, po sipas këtij ligji, edhe kinematë publike janë shpallur institucione të interesit të veçantë.

    Marrëveshja për qiranë

    Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri ka thënë për KALLXO.com se QKK e ka marrë me qira KINO ABC-në për 200 euro në muaj dhe synon marrje në peronës të NDSHF “Genci”.

    “Kinemaja ABC është marrë me qira nga janari i vitit 2025, me një pagesë mujore prej 200 eurosh. Marrëveshja është planifikuar të zgjasë deri në përfundimin e procesit të shpronësimit. Kjo periudhë e qirasë siguron që kinemaja të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje, ndërkohë që punojmë për ta integruar atë plotësisht në pronësi publike, duke garantuar mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”- ka thënë Zeqiri.

    Drejtoresha Zeqiri ka thënë se vendimi për marrjen me qira të Kino ABC-së nga QKK-ja marrë më 27.12. 2024 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    “Vendimi bazohet në nenet 4, 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, si dhe në Ligjin Nr. 03/L-205 për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij ligji. Pas miratimit të kërkesës së QKK-së për marrjen me qira të kinemasë ABC, prona është transferuar nga administrimi i AKP-së në pronë publike.  Ajo do të administrohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) përmes QKK-së, duke mbështetur misionin për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës kulturore në Kosovë”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

    Zeqiri ka thënë se rifillimi i punës në kinemanë ABC pritet në muajin shkurt 2025.  Zeqiri thotë se, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema (Kino ABC) si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë.

    “Ne synojmë që ky institucion i dashur kulturor të vazhdojë të jetë një vend i gjallë për artin dhe kinematografinë, duke i qëndruar besnik traditës së tij si një hapësirë ku audienca e Prishtinës dhe më gjerë mund të shijojë magjinë e filmave”- ka thënë ajo, duke shtuar se  QKK do të rikthej në vendet e tyre të punës punëtorët që kanë kontribuar ndër vite në funksionimin e Kino ABC-së.

    Ndërsa, marrë në pronësi edhe të NDSHF “Genci”, së bashku me strukturën menaxhuese , Zeqiri e konsideron me rëndësi. Pasi sipas saj, kjo do të mundësojë një administrim më të qëndrueshëm dhe një fokus më të madh në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore që kinemaja përfaqëson.

    “Arsyeja kryesore është rëndësia kulturore dhe historike e kinemasë ABC. Duke marrë parasysh mandatin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për privatizimin e aseteve dhe ndërmarrjeve shoqërore, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë”- ka thënë Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së për KALLXO.com.

    AKP-ja nuk i është përgjigjur KALLXO.com lidhur me vendimi për dhënien me qira të Kino ABC dhe procesin e kalimit të NDSHF “Genci” në pronësi të MKRS/QKK-së, deri në publikimin e artikullit.

    Me Ligji për kinematografinë, neni 4, fusha e kinematografisë është shpallur me interes të veçantë publik. Duke u bazuar në këtë nën të këtij ligji, kinematë publike shpallen gjithashtu institucione me interes të veçantë publik.

    “Në raport me kinematë si në paragrafin 1 të këtij neni, (21) të gjitha institucionet që ushtrojnë autoritet publik në Republikën e Kosovës, nuk mund të ndërmarrin veprime në drejtim të: ndërrimit të destinimit; privatizimit”- thuhet në pikën 2, të nenin 21 të Ligjit për Kinematografinë.

    Në bazë të këtij ligji, në kuadër të QKK-së parashihet edhe themelimi i njësia e veçantë për menaxhimin e rrjetit të kinemave publike.

    Kinemaja ABC, funksionon që nga 24 maji i vitit 2000 dhe që nga ajo kohë e deri më sot, kjo kinema ka shërbyer si urë lidhëse e Kosovës me botën e filmit. Në kinemanë ABC shfaqen filma premierë në bashkëpunim me kompanitë më të njohura holivudiane.

    Kjo kinema ishte e para kinema në Kosovë me të drejta të shfaqjes së filmave në formatin 3D dhe atë digjital 2D.

  • Problemet teknike në platformën online, QKK shtyn afatin e Konkursit për Mbështetje të projekteve për film të metrazhit të gjatë

    Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se ka shtyrë për 24 orë afatin e aplikimit në Konkursin për Subvencionim të projekteve për film të gjatë artistik.

    Ky Konkurs mbetet i hapur deri në fund të datës 13.01.2025.

    Sipas QKK-së, shtyrja e afatit për aplikim për këtë Konkurs po bëhet për shkak të problemeve që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online, gjatë datës 12.01.2025.

    “Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për Subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë. Afati i ri për dorëzimin e aplikimeve është deri sonte, më 13 janar 2025, në ora 00:00.” – thuhet në njoftimin e QKK-së, më 13.01.2025.

    Më 12.12.2024, QKK ka hapur Konkursin për Subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik.

    Për dallim nga vitet e kaluara, QKK-ja nuk ka hapur Konkurs edhe për kategoritë tjera, si për filma dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër e të animuar – duke lënë jashtë këtij Konkursi këto kategori filmike.

    Sipas Rregullores për Konkurset dhe Mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audiovizuale, QKK-ja brenda vitit hap një apo më shumë Konkurse. Po, sipas saj, në Konkurset e QKK-së prioritet kanë veprat filmike dhe audiovizuale vendase.

    QKK-ja për vitin 2025 do të ketë një buxhet prej 2,139,694 euro.