Ballina

Etiketë: qeveria e kosovës

  • Qeveria miraton Programin për Reforma në Ekonomi 2025-2027

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 245-të përmes së cilës ka miratuar Programin për Reforma në Ekonomi 2025-2027.

    Kjo mbledhje e Qeverisë u mbajt në mënyrë elektronike më 15.01.2025.

    Qeveria ka miratuar edhe “vendimin për autorizimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve që të aprovojë transferet nga nën-programi “Shpenzimet e Paparashikuara” në ndonjë nën program tjetër në tabelën 3.1 dhe 4.1 të Ligjit Nr. 08/L-332 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën prej 40 mijë euro”.

    Tabela 3.1 është Buxheti i nivelit Qëndror kurse ajo 4.1 sipas ligjit të cituar nga Qeveria, është tabela e plant të ndarjeve buxhetore të shpenzimeve totale të komunave për vitin 2025.

  • Lista Serbe: Punonjësit e institucioneve serbe do të vazhdojnë të paguhen

    Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se të gjithë punonjësit e institucioneve paralele serbe, që u mbyllën më 15 janar nga autoritetet kosovare, do të vazhdojnë të marrin paga dhe se kjo parti “do të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet dhe t’i fitojë zgjedhjet për të mbrojtur popullin serb”.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt, dhe Lista Serbe është i vetmi opsion politik në mesin e komunitetit serb që ka mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në to.

    Lista Serbe, pas mbylljes së shumicës së institucioneve që veprojnë në sistemin serb në jug të Ibrit nga Qeveria e Kosovës me mbështetjen e policisë, mbajti një takim të Kryesisë dhe nxori disa përfundime.

    Disa prej tyre, sipas Ellek, janë që të vazhdojnë konsultimet me Serbinë për hapat e mëtejshëm dhe të kërkojnë shpjegime nga komuniteti ndërkombëtar “përse mbështesin veprimet e [kryeministrit të Kosovës Albin] Kurtit”.

    “Ndoshta përkohësisht mund të mbyllin ndërtesat, por nuk mund ta ndalojnë ndihmën e shtetit të Serbisë, as nuk mund ta ndalojnë Listën Serbe që të kujdeset për popullin e saj dhe të marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.

    Gazetarëve iu drejtuan edhe kryetarët e organeve të përkohshme komunale të Vushtrrisë dhe Lipjanit, të cilët veprojnë në sistemin serb, Millan Kostiq dhe Millan Joksimoviq.

    Kostiq deklaroi se 60 punonjës të komunës serbe të Vushtrrisë nuk do të mbeten pa paga dhe se “Kurti nuk i ka frikësuar”.

    Joksimoviq tha se komuna e Lipjanit ka ofruar shërbime për rreth 10.000 qytetarë dhe se këta nuk do të privohen nga shërbimet, as nuk do të mbeten pa paga 150 punonjës nga buxheti i Serbisë.

    Përndryshe, Kostiq dhe Joksimoviq janë edhe deputetë të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, por që nga nëntori i vitit 2022 kanë bojkotuar seancat, duke shkuar vetëm për t’u nënshkruar çdo gjashtë muaj për të mos humbur mandatet dhe pagat.

    Kur u pyetën nga gazetarët se si deputetët e Listës Serbe kanë mbrojtur interesat e komunitetit serb gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe sa herë janë paraqitur për të folur për problemet, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, fillimisht shprehu pakënaqësi për “pyetje jashtë teme”.

    Më pas shtoi se ai ka folur në Kuvendin e Kosovës dhe se Lista Serbe do të vazhdojë të luftojë për interesat e popullit serb dhe për praninë e Serbisë. Ai tha se në nëntor 2022 morën vendimin për t’i lënë institucionet e Kosovës për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht për heqjen e targave serbe.

    Në një pyetje shtesë nëse kishin arritur qëllimin dhe pse tani hyjnë përsëri në garë për mandate deputetësh, Simiq u përgjigj: “Duket se nuk po i qëndrojmë temës, ju lutem bëni pyetje që lidhen me mbylljen e organeve të përkohshme”.

    “Në këtë mënyrë po largoni vëmendjen nga diçka që është e rëndësishme për serbët, sepse mbyllja e dhjetë komunave që punonin në sistemin serb rrezikon jetën normale të dhjetëra mijëra serbëve. Besoj se edhe ju keni interes për popullin serb”, tha Simiq.

    Ai theksoi se do të gjendet një mënyrë që asnjë qytetar të mos privohet nga shërbimet që ofrojnë institucionet serbe dhe se janë në konsultime për të arritur këtë.

    Disa punonjës të institucioneve serbe të mbyllura tashmë shkojnë në punë në zyra alternative të vendosura në kontejnerë të zinj pranë pikave kufitare Bërnjak, Jarinjë dhe Merdare.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mes të shtatorit paralajmëroi hapjen e “zyrave moderne” nga ana serbe e pikave kufitare. Ai premtoi gjithashtu rritje të pagave për të gjithë ata që udhëtojnë, që të mbulohen shpenzimet e tyre.

    Igor Simiq theksoi gjithashtu se Serbia ndan fonde të mëdha për paga, pensione apo pagesa të tjera, nga të cilat përfitojnë rreth 75.000 qytetarë nga Kosova.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar njoftoi se nuk i ka dhënë leje Policisë së Kosovës për bastisjen e lokacioneve në komunat në jug të Ibrit për shkak të dyshimeve se në to funksiononin institucione paralele serbe.

    Ndërkohë, policia u përgjigj se kanë vepruar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës, Ministrinë e Administratës së Vetëqeverisjes Lokale dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

    Institucionet e Kosovës i konsiderojnë të paligjshme ato të Serbisë dhe mbyllja e tyre filloi në fillim të vitit 2024.

    Përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, u mbyllën edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb./REL

  • Zgjedhjet dhe Dialogu – Disa nga temat në takimin e Bislimit me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, Prattipati

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim Anu Prattipati, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.

    Bislimi dhe Prattipati kanë biseduar për fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, ndërsa temë diskutimi kanë qenë edhe pritjet nga Zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë – ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    “Bashkëbiseduan rreth partneritetit Kosovë-SHBA dhe për fuqizimin e thellimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona. Temë e diskutimit ishin edhe Zgjedhjet e ardhshme e fushata e cila sapo ka filluar dhe pritshmëritë e 9 Shkurtit.” – thuhet në komunikatën e Qeverisë.

    Bislimi dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë biseduan edhe për procesin e Dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës ka shprehur gjatë takimit mirënjohjen për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – theksohet më tej.

  • Rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, Murati: Këtë do ta kishim edhe pa Zgjedhje

    Qeveria e Kosovës miratoi Vendimin për rritjen për 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit, derisa ministri i Financave Hekuran Murati para mediave u shpreh se kjo bëhet për shkak të rritjes ekonomike dhe jo Zgjedhjeve, që do mbahen më 09.02.2025.

    “Vendimi për rritjen e pensioneve të këtyre kategorive është për shkak të rritjes ekonomike dhe buxhetit. Ka qëlluar që Zgjedhjet të mbahen në muajin shkurt, po të mbaheshin në ndonjë muaj tjetër, përsëri do të ishte ky cikël, për shkak se buxheti miratohet në muajin tetor të vitit të kaluar e ekzekutohet në janar të vitit pasues.” – deklaroi Murati pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 10.01.2025.

    Ai, po ashtu, shtoi se rritje të tillë nuk ka pasur që nga viti 2014.

    “Për herë të parë po bëhet ndryshimi apo rritja tash, pas më shumë se 10 vjetëve. Keni dëgjuar premtime të ngjashme e po dëgjoni edhe sot. Në dy mandatet e kaluara nuk ka pasur asnjë veprim, sa i përket këtyre kategorive e që do të ketë edhe në vijim – krahas rritjes ekonomike.” – shtoi më tej Ministri.

    Murati ndau edhe disa detaje për rritjet që do bëhen në kategori të ndryshme.

    “Janë disa kategori: familja që ka një dëshmor, pensioni ka qenë 448 euro, derisa do të rritet në 537 euro; familja që ka dhënë dy dëshmorë, pensioni ka qenë 537 euro, derisa do të rritet në 806 euro; familja me 3 dëshmorë do të marrë 1,075 euro; familja me katër dëshmorë ka qenë 627 euro, do të bëhet 1,344 euro dhe më shumë se katër dëshmorë do të bëhet 1,613 euro. Te kategoria për invalidët e luftës ka qenë 448 euro, për invalidin me dëmtim trupor prej 80%, derisa do të bëhet në 537 euro. E kështu me radhë do të rriten 20%, në krahasim me vlerën që kanë qenë.” – bëri të ditur Ministri.

    Në mbledhjen e mbajtur më 10.01.2025, Qeveria e Kosovës aprovoi rritjen prej 20% të pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, për invalidët dhe familjet e invalidëve të UÇK-së, për familjet e viktimave civile dhe të zhdukurve civilë të luftës dhe shtesat për përkujdesje për invalidët e luftës (UÇK dhe civilë).

    Derisa, ata që fitojnë mbi 20% janë familje që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur dhe viktima.

    https://kallxo.com/lajm/nje-dite-para-fillimit-te-fushates-zgjedhore-qeveria-rrit-pensionet-per-kategorite-e-dala-nga-lufta/

  • Qeveria e Kosovës ndan 100 mijë euro për familjen e veprimtarit Enver Hadri

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Vendimin për Ndarjen e 100 mijë eurove për familjen e veprimtarit Enver Hadri, i cili është vrarë në Belgjikë në vitin 1990.

    “Propozimi në vlerë prej 100 mijë euro është për familjarët e veprimtarit të vrarë Enver Hadri, i cili u vra në Belgjikë në vitin 1990. Jemi në kontakt me familjarët, por edhe me autoritetet belge. Dy të akuzuarit janë shtetas serbë, se kanë kryer vrasjen. I treti i akuzuar, i cili ishte pjesë e institucioneve serbe akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e Enver Hadrit.” – deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 10.01.2025.

    Ministri Hekuran Murati deklaroi se Ministria e Financave e mbështet ndarjen e mjeteve për familjen e Enver Hadrit.

    “Në këtë rast, këto mjete merren nga shpenzimet e paparashikuara dhe më pas do të bëhet ekzekutimi.” – deklaroi Murati në mbledhjen e Qeverisë.

    Enver Hadri, kreu i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në makinën e tij ndërsa priste në semafor në Bruksel më 25.02.1990.

    Në vitin 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel dënoi Bozhidar Spasiq, ish-kreu i Operacioneve Speciale të Policisë sekrete jugosllave UDBA dhe anëtarët e një bande kriminale serbe, Andrija Drashkoviq e Veselin Vukotiq me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e Enver Hadrit.

    Spasiq organizoi vrasjen dhe Drashkoviq e Vukotiq e kryen atë – tha Gjykata në Vendimin, derisa të tre burrat u gjykuan dhe u dënuan në mungesë.

    Enver Hadri kishte ikur në Belgjikë në vitin 1972. Ai ishte aktiv në Rezistencën Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës dhe më vonë themeloi Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, i cili mblodhi të dhëna mbi shtypjen e shqiptarëve etnikë nga forcat jugosllave të sigurimit.

    Ai u vra disa ditë para se të ishte programuar të paraqiste një Raport të detajuar të vdekjeve të dhjetëra shqiptarëve etnikë në duart e Policisë jugosllave në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.