Ballina

Etiketë: PZAP

  • Lista Serbe e akuzon KQZ-në se po ia mohon të drejtën për vëzhgim e kontroll në ditën e zgjedhjeve

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka shprehur pakënaqësi për përbërjen e komisioneve zgjedhore për numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 në vendvotime dhe në qendrat e numërimit të votave.

    Ajo e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e ka dëmtuar atë, pasi në shumë komuna, Lista Serbe nuk ka anëtarë të vet për të “kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

    Zyrtari i kësaj partie, Igor Simiq, tha në një konferencë për media se partia e Nenad Rashiqit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është “favorizuar” dhe se, në disa raste, ka më shumë anëtarë në komisionet zgjedhore, edhe pse, sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti mori dukshëm më pak vota.

    Si shembull për pretendimet e tij, Simiq e mori komunën e Istogut, ku në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe mori 259 vota, por nuk ka asnjë kryesues apo anëtar në komisionin zgjedhor, në qendrën komunale të numërimit të votave ose në vendet për votimin me kusht.

    Simiq theksoi se Lista Serbe, edhe pse parlamentare, ka më pak anëtarë në komisionet zgjedhore, madje edhe në komunat me shumicë serbe.

    “Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe si parti parlamentare ka 18 përfaqësues në vendvotime, përfshirë vetëm tre kryesues nga gjithsej 24 vendvotime dhe 15 anëtarë. Si rrjedhojë, mund të llogaritni vetë – në gjashtë vende ne nuk kemi përfaqësuesit tanë, që do të thotë se në gjashtë klasa me potencialisht 6.000 votues, nuk kemi kontroll mbi procesin zgjedhor, pasi nuk kemi anëtarë të cilët mund ta mbikëqyrin procesin”, tha Simiq.

    Ai gjithashtu theksoi përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se kjo parti është “mburoja e mbrojtjes së interesave të serbëve dhe Serbisë në Kosovë”.

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me akuzat e Listës Serbe për “shkeljen e rregullave zgjedhore”, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.

    Lista Serbe gjatë ditës paraqitur një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të KQZ-së për përbërjen e komisioneve zgjedhore.

    Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje bëri përpjekje ta ndalonte pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit duke kërkuar moscertifikimin e saj, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në dy raste mori vendime në favor të Listës Serbe.

    Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

    Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

    Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje, pasi e konsideron atë “kundërshtarin më të madh”.

    Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

    Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL

  • PZAP e hedh poshtë ankesën e LVV-së kundër certifikimit të Listës Serbe

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë më 09.01.2025 ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 09.02.2025.

    “HUDHET poshtë e palejuar ankesa Anr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ-së Nr. 01/2328-2024, i datës 31.12.2024, dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim” – thuhet në vendimin e PZAP-së.

    Sipas këtij vendimi, ankesa e LVV-së konsiderohet e palejueshme pasi nuk i përmbush kërkesat ligjore.

    Në fund të muajit të kaluar, PZAP miratoi ankesën e Listës Serbe dhe e urdhëroi KQZ-në ta certifikojë atë për zgjedhjet e 09.02.2025.

    Sipas njoftimit të PZAP-së, vetëm përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ mund të paraqisnin një ankesë të tillë, nëse konsideronin se u ishte cenuar ndonjë e drejtë.

    PZAP, në vendim përmend edhe aktvendimin e Gjykatës Supreme, e cila e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të PZAP-së.

    LVV po kundërshton certifikimin e Listës Serbe duke e quajtur të paligjshme certifikimin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    https://kallxo.com/lajm/supremja-hedh-poshte-ankesen-e-vetevendosjes-kunder-vendimit-te-pzap-se-ne-lidhje-me-listen-serbe/

     

  • LVV ankohet në PZAP, kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe

    Lëvizja Vetëvendosje, më 02.01.2025, ka dorëzuar ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe, për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.

    Kjo parti pretendon se “nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së” është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe.

    “Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

    Për LVV-në, “Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radoiçiq. “Ajo [LS] dikur përdorej nga Radoiçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

    “Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, përfundon LVV.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e fundit të vitit 2024 ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet 2025.

    Ky vendim është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e “urdhëronte” KQZ-në për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

    “KQZ ka marrë vendim që ta certifikojë Listën Serbe. Vendimi i PZAP-së është i plotëfuqishëm. Konsideroj që kjo çështje është mbyllur.” – deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    Më 25.12.2024, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u ankua në Gjykatën Supreme ndaj Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) – lidhur me rastin e Listës Serbe.

    Pasi u konfirmua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për certifikimin e Listes Serbe, kundër këtij vendimi u shpreh anëtari i  KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.

    “Ka shumë dëshmi, shumë elemente që unë mendoj që ky subjekt politik nuk meriton të certifikohet.” – tha ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 23.12.2024, nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

    Pas votimeve, me 2 vota “për”, 2 “kundër” dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e kishte konstatuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    “Nuk kalon Rekomandimi i Zyrës për certifikimin e Listës Serbe.” – kishte thënë ai në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.

    Vendimi paraprak ishte marrë, pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

    Lista Serbe pas kësaj më 25.12.2024 kishte parashtruar Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi që nuk u certifikua për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.

    Ndërsa, PZAP kishte vendosur në favor të kësaj partie.