Ballina

Etiketë: Punëtorët

  • Protesta e punëtorëve të terminalit doganor në Han të Elezit, kërkojnë të mbesin në punë edhe pas marrjes së terminalit nën menaxhim nga Qeveria

    Punëtorët e terminalit doganor në Han të Elezit kanë protestuar të martën, më 21.01.2025, me kërkesa që të mbesin në punë në terminal edhe pas marrjes së tij nën menaxhim nga Qeveria e Kosovës.

    Qeveria ka shpronësuar terminalin, i cili nga data 20.01.2025 konsiderohet pronë e Qeverisë.

    Por, ka lënë të pazgjidhur fatin e 28 punëtorëve të këtij terminali, i cili deri në shpronësim ishte në pronësi dhe menaxhohej nga kompania “Terminali” Sh.P.K.

    Punëtorët protestues thanë për KALLXO.com se po kërkojnë që të mos mbesim pa punë pas marrjes së terminalit në menaxhim nga Qeveria.

    Ahmet Tafili, punëtor i terminalit, tha për KALLXO.com se 28 punëtorë të terminalit rrezikojnë të mbesin pa punë.

    “Ne jemi me këmbëngulje që të gjithë të mbesim në punë, jo parcialisht, tre andej, dy andej, katër andej. Po, edhe tash në demokraci, në liri me na lënë pa punë gjithë këta kolegë është mjerim”- ka thënë Ahmet Tafili.

    Kurse, Mevlud Curri, punëtor në terminal, tha se arsye e protestës është edhe mospërmbushja e disa kërkesave nga një kompani që, sipas tij, po angazhohet për sigurimin e terminalit. “Ne kërkojmë që të jemi në punë, të gjithë ose asnjë”- tha Curri.

    Ndërsa, Xhevdet Ramuka, përfaqësues i agjencive doganore që funksionojnë në terminal, tha se po mbështesin protestën e punëtorëve se pas marrjes nën menaxhim nga Qeveria nuk është studiuar mirë as për punëtorët, as për agjencitë doganore.

    “Por, ne jemi duke shkuar mirë, ka filluar me u rregullu rryma, por fatin e punëtorëve askush nuk e ka marrë parasysh, punëtorëve teknikë dhe sigurimit të terminalit. Për momentin nuk po dihet se në fatin e kujt janë” – tha Ramuka.

    Xhevdet Bajramaliu, drejtor dhe bashkëpronar i kompanisë “Terminali” ka thënë për KALLXO.com se ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që të zgjidhë çështjen e punëtorëve të terminalit, por nuk ka marrë përgjigje.

    “Sa i përket punëtorëve unë kam kontaktuar këta shefat e degës që janë në pikë (në terminal) edhe kam kërkuar prej tyre që me iu bë një zgjidhje punëtorëve dhe me i mbajtë në punë, për arsye se aty janë 24 familje dhe nuk ka kuptim tash me shpronësu një pronë të terminalit edhe me i nxjerrë punëtorë në rrugë. Këtë e kam kërkuar prej Doganës dhe nuk kam marrë përgjigje ende”- tha ai për KALLXO.com.

    Dogana e Kosovës nuk është deklaruar për kërkesat e punëtorëve, pasi sipas tyre, ata nuk kanë qenë pjesë e Doganës.

    “Dogana ka informuar me kohë agjentët doganorë, të cilët kanë përkrahur procesin dhe kanë shfaqur mirëkuptimin e tyre deri në rifillimin e plotë të zhdoganimeve në terminalin e ri. Kjo zgjidhje është në interesin e tyre sikur që është në interesin e bizneseve dhe ekonomisë sonë, pasi që ofron shërbime falas për zhdoganimin dhe kushte më të favorshme për hisedarët në proces. Sa i përket çështjes së punëtorëve që ju referoheni, ju njoftojmë se ata asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Doganës së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për KALLXO.com.

    Kallxo.com ka pyetur edhe Ministrinë e Financave për çështjen dhe kërkesat punëtorëve të terminalit doganor në Han të Elezit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

  • Suspendohet tre punëtorë të Trepçës, ikën nga puna duke i shfrytëzuar daljet alternative

    Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se ka shqiptuar masa disiplinore ndaj tre punëtorëve, sot më 16.01.2025.

    Përmes njoftimit të ndërmarrjes, thuhet se për këta tre punëtorë është shqiptuar masë disiplinore me largim të përkohshëm nga puna.

    “Më datën 16.01.2025 ndaj M. S., B. SH., E. K., me vendim të u.d. Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A. me nr.prot:401 dhe me nr.prot:402 është shqiptuar masa disiplinore largim i përkohshëm nga puna”- thuhet në njoftimin e Ndërmarrjes “Trepça”.

    Tutje, në njoftim thuhet se të njëjtit kanë keqpërdorur kartelën indetifikuese dhe duke shfrytëzuar daljet alternative.

    “M. S., më datën 10.01.2025 në ora 06:30 është skenuar përmes kartelës dhe ka dalur nga rrethoja afër portës nr.1, ashtu që ka kryer shkelje të detyrave të punës sipas rregullores për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A. Gjithashtu B. SH., E. K., më datën 07.01.2025 kanë ikur nga vendi i punës dhe kanë shfrytëzuar daljet alternative për të ikur nga vendi i punës, ashtu që kanë kryer shkelje të detyrave të punës  sipas rregullores për përgjegjësine disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A.”- thuhet në njoftim.