Ballina

Etiketë: protesta në serbi

  • Vazhdojnë protestat në Serbi, protestuesit bllokojnë kryqëzimin më të ngarkuar të autostradës në Beograd

    22:11

    Vuçiq thotë se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve dhe zotohet për falje

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, nisur nga publikimi i gjithë dokumentacionit rreth rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, e deri te falja e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave.

    Në një adresim publik më 27 janar, ai ka thënë se do të publikohen edhe dokumentet tjera, dhe kështu shteti do të ofrojë “gjithçka që ka”.

    “Nuk ka më dokumentacion që ka të bëjë me rindërtimin e stacionit hekurudhor”, ka thënë Vuçiq.

    Ai, gjithashtu, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë faljen e të gjithë studentëve dhe profesorëve, ndaj të cilëve janë nisur procedura penale, pas arrestimit të tyre në protesta.

    Protestat kanë nisur pas shembjes së një cope të madhe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, duke lënë të vrarë 15 persona dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.

    Duke folur për kërkesat e studentëve për ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmet ndaj studentëve, profesorëve dhe qytetarëve tjerë në marshe dhe protesta, Vuçiq ka thënë se janë iniciuar raste kundër 37 individëve.

    Sa i përket përfshirjes së zyrtarëve qeveritarë në sulme, Vuçiq ka thënë se “ekziston vetëm një rast në Beogradin e ri” dhe që beson se “tashmë është zgjidhur”.

    Kur ka folur për kërkesën për rritje të buxhetit për 20 për qind për edukimin e lartë, presidenti serb ka thënë se studentët e kanë ndryshuar kërkesën për të përfshirë rritje të pagave të profesorëve dhe zvogëlim për 50 për qind të tarifave studentore, dhe që shteti tashmë ka vendosur të plotësojë edhe këtë kusht.

    Sipas tij, kjo do t’i kushtojë shtetit rreth 73 miliardë dinarë.

    “Pyetja është nëse të gjitha këto që kemi përmbushur do të jenë mjaftueshëm që dikush të thotë se ‘të gjitha kërkesat janë përmbushur’. Nuk jam i sigurt, por shpresoj të jetë ashtu. Por, jam i sigurt që kjo do të nisë një dialog në shoqëri, dhe që dikush prej rektorëve dhe dekanëve, dhe të gjithë të tjerët të nisin të flasin, të niset dialogu dhe kështu të nisë shërimi i shoqërisë sonë”, ka thënë Vuçiq.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë në konferencë të përbashkët me Vuçiqin se i ka ftuar të gjithë rektorët, dekanët, profesorët dhe studentët e universiteteve dhe fakulteteve në Serbi që të shkojnë në Qeveri dhe të diskutojnë për kërkesat e studentëve, që sipas tij, janë plotësuar në tërësi.

    Vuçiq ka thënë të hënën se do t’i dërgojë një kërkesë Qeverisë serbe “për ristrukturimin më urgjent dhe më masiv të mundshëm”.

    “Sepse në këto kohë të vështira politike, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të shkarkohen dhe zëvendësohen në një ristrukturim shumë, shumë urgjent”, ka thënë Vuçiq më 27 janar.

    Ai ka thënë se në tre muajt e fundit, pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad – në të cilin kanë vdekur 15 persona – është krijuar një atmosferë që nuk është në të mirë të askujt.

    “Në këta tre muaj, ne kemi dëgjuar shumë akuza kundër trupave shtetërore, thirrje për përmbysje të shtetit, kemi dëgjuar deklarata shumë të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet”, ka thënë ai.

    Presidenti serb ka thënë se ka biseduar me përfaqësues qeveritarë dhe që ata “kanë deklaruar se kanë dëshirë të dëgjojnë palën tjetër” [studentët që po protestojnë] dhe që dëshirojnë dialog dhe bisedë.

    Studentët vazhdojnë bllokadën 24-orëshe

    Vuçiq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiq, i janë adresuar publikut në ditën kur studentët kanë organizuar bllokadë 24-orëshe në njërën prej pikave kryesore të trafikut në Beograd.

    Bllokada 24-orëshe është organizuar tri ditë pasi mijëra njerëz i janë bashkuar thirrjes për grevë të përgjithshme.

    Studentët, që janë bllokuar punën e më shumë se 60 fakulteteve për më shumë se dy muaj, janë duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për 15 vdekjet e shkaktuara nga incidenti në Novi Sad.

    Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë paraprakisht se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Akademikët, në anën tjetër, kanë thënë se kërkesat e tyre janë plotësuar pjesërisht dhe që pezullimi i punës do të vazhdojë deri në njoftimin e radhës.

    Më shumë se 5.000 profesorë universitarë në Serbi kanë mbështetur bllokadën e studentëve.

    Përmes një peticioni ata dënojnë tentimet e Qeverisë për t’i frikësuar studentët – duke i bërë publike të dhënat e tyre personale, apo edhe duke dërguar agjentë të agjencive qeveritare në shtëpitë e tyre apo të prindërve të tyre.

    Zyra e Prokurorit të Lartë në Novi Sad ka paditur 13 njerëz lidhur me incidentin e nëntorit.

    Në mesin e tyre janë edhe ish-ministri për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë, Goran Vesiq, asistentja e tij Anita Dimoski, si dhe ish-drejtorja e kompanisë publike infrastrukturore, Jelena Tanaskoviq.

    Dhjetë prej të paditurve janë në mbajtje, Vesiq është në arrati, ndërsa Tanaskoviq dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak./REL.

    21:01

    Vazhdojnë protestat në Serbi, protestuesit bllokojnë kryqëzimin më të ngarkuar të autostradës në Beograd

    Protestuesit vazhduan të rrisin presionin ndaj Qeverisë së Serbisë të hënën, duke bllokuar kryqëzimin më të ngarkuar të autostradës në Beograd, pas një fundjave protestash në të gjithë vendin.

    Studentët në Beograd të mbështetur nga profesorë, mësues dhe anëtarë të publikut të hënën filluan një bllokadë 24-orëshe të një prej kryqëzimeve më të ngarkuara të autostradave në kryeqytetin e Serbisë, Autokomanda.

    Pas dhjetëra incidenteve të dhunshme në protestat dhe bllokadat e mëparshme, kur protestuesit u përplasën nga makina, duke përfshirë dy incidente në të cilat dy studentë u plagosën rëndë, bllokada e së hënës u mbështet nga fermerët me traktorë si dhe nga çiklistët, të cilët siguruan protestuesit.

    Protestuesit po kërkojnë llogari nga qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq për një fatkeqësi në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, e cila la 15 të vdekur.

    Studentët mbërritën nga pika të ndryshme të qytetit, në varësi të vendndodhjes së fakulteteve të tyre. Rruga më e gjatë ishte nga Fakulteti i Bujqësisë në periferi të Zemunit, kështu që protestuesit bllokuan njërën korsi të autostradës Beograd-Zagreb ndërsa po ecnin në pikën e bllokimit.

    Një motoçiklist që kërkoi të mos përmendet i tha BIRN se ata erdhën në bllokadë individualisht dhe nuk përfaqësonin ndonjë organizatë të veçantë motoristësh.

    “Studentët thirrën për ndihmë dhe ne u organizuam nëpërmjet një forumi të motoçiklistëve në internet, kështu që do të ndahemi në turne dhe do të jemi në Autokomanda deri në fund të bllokadës” – tha ai për BIRN. /BalkanInsight.