Ballina

Etiketë: Prokuroria Themelore në Mitrovicë

  • Prokuroria e Mitrovicës pret kërkesën e Policisë për bastisjet në rajonin e Mitrovicës

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për KALLXO.com se për bastisjet në objektet e strukturave paralele në rajonin e Mitrovicës, Prokuroria e Mitrovicës vetëm është informuar nga Policia, teksa kërkesë zyrtare nuk ka pasur.

    Ai shtoi se kërkesa pritet të bëhet ndërkohë.

    “Prokurori kujdestar vetëm është njoftuar nga Policia, por kërkesë nuk ka pasur. Pritet që kërkesa të bëhet e pastaj të vendoset më tutje.” – tha Preteni për KALLXO.com.

    Po ashtu KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje – jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

    Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    https://kallxo.com/lajm/aksion-i-policise-ne-kater-komuna/

     

  • Kërcënohet kryeministri Albin Kurti, arrestohet një qytetar serb në veri

    21:24

    Kanosja ndaj kryeministrit Kurti, Policia konfirmon arrestimin e një personi

    Një person me iniciale M.R. është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për veprën penale – kanosje.

    Këtë e konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    “E konfirmojmë arrestimin e M.R. (i lindur më 2004) për rast kanosje. Arrestimi është kryer për interesa të Krimeve të Rënda në Prishtinë”- tha Elshani.

    I pyetur nga KALLXO.com se a është i njëjti rast ku një qytetar serb është ndaluar për 48 orë pasi përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti, Elshani tha se nuk e di nëse është për kryeministrin.

    KALLXO.com raportoi për kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti dhe se për këtë rast është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb në veri të vendit.

    19:26

    Kërcënohet kryeministri Albin Kurti, arrestohet një qytetar serb në veri

    Burime brenda Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kanë konfirmuar se një qytetar serb është ndaluar për 48 orë pasi i njëjti përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti.

    Siç mëson KALLXO.com, i riu serb, që dyshohet nga Prokuroria, në profilin e tij në “Instagram” ka bërë një postim kërcënues ndaj Kurtit.

    Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

    Kjo nuk është hera e parë që kryeministri përballet me kërcënime.

    KALLXO.com kishte raportuar më 2021 se për shkak të një kërcënimi serioz ishin shtuar masat e sigurisë për sigurinë e kryeministrit Kurti.

    Atëherë, afër shtëpisë ku banonte Kurti ishte dërguar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

    https://kallxo.com/lajm/kercenohet-albin-kurti-njesia-speciale-e-ruan-shtepine-e-tij-foto/

    www.kallxo.com