Kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi po e vazhdon fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Më 26.01.2025 ai ka mbajtur tubim me qytetarë në Prizren dhe në Shtime.
Krasniqi ka thënë po i takojnë qytetarët për t’i dëgjuar me vëmendje dhe për të ju dëshmuar se janë aty për të ofruar zgjidhjen e duhur.
“Në Prizren me deputetin Lala dhe kandidatët tanë nga lista jonë e fitorës, po i takojmë qytetarët për t’i dëgjuar me vëmendje dhe për të ju dëshmuar se jemi këtu për të ofruar zgjidhjen e duhur. Derë më derë, kalldrëm për kalldrëm, do të ju përciellim mesazhin se IRDK në Prizren, do të të jetë për kohë të gjatë”- ka thënë ai.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.