Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se është takuar me Presidentin e Grupit të Avokatisë së Shoqatës 60 Plus dhe ish-Kryetarin e Republikanëve të Miçiganit, Saul Anuzis, me të cilin thotë se ka biseduar për përmirësimin e ajrit në Prishtinë.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Rama ka thënë se gjatë vizitë së tij në SHBA, është përqëndruar në ndërtimin e partneriteteve me ligjvënësit amerikanë dhe kompanitë kryesore që mund të ndihmojnë për të bërë një zgjidhje sa i përket ndotjes së ajrti në kryeqytet.
“Së bashku, po ndërmarrim hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të një sistemi të ri dhe inovativ të menaxhimit të ajrit të pastër që jo vetëm do të trajtojë këtë çështje, por gjithashtu do të shfrytëzojë skemën e krediteve të karbonit. Duke bërë kështu, synojmë të sigurojmë që ajri ynë të jetë i pastër duke mbajtur kostot për vendin në zero”- ka shkruar Rama, të shtunën më 25.01.2025.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është aktualisht në vendin e tretë për ajrin më të ndotur në botë.
Sipas faqes IQAir, që bën matjen e cilësisë së ajrit në nivel global, para Prishtinës me ajër më të ndotur janë vetëm Dhaka në Bangladesh dhe Lahore në Pakistan.Sipas të dhënave të kësaj faqe, indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) në Prishtinë aktualisht është 224, që është shumë i pashëndetshëm.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka vazhduar fushatën elektorale më 23.01.2025 në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë.
Në vendin ku e ka kryer shkollën fillore, kreu i LDK-së rikthimin e tij e bëri kësaj radhe si kandidat për kryeministër, ku kërkoi votën e prishtinasve.
Në tubimin elektoral në degën e dytë të LDK-së në Prishtinë, Abdixhiku tha se 1.5 miliard euro do të investohen në kryeqytet.
“Dhe në këtë sallë, në këtë shkollë, kam kryer gjithë shkollën fillore. Ashtu siç e kishte kryer Floriani, Jehona, Berati e Jeta! Tani ishim bashkë, duke kërkuar mbështetjen për rrugëtimin tonë të djathtë mbarëkombëtar. Prishtina është e qartë! 124 është ndryshimi. Me 1.5 miliard euro investime në Kryeqytet, ky ndryshim mbetet i familjeve të Prishtinës, rinisë së Prishtinës, prindërve e nxënësve të Prishtinës”- ka thënë ai.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) premton digjitalizimin e Sistemit Shëndetësor, rritjen e pagave të mjekëve për 50%, themelimin e Qendrës për Trajtimin e Personave të Varur nga Narkotikët dhe Alkooli, si dhe barna falas për personat me sëmundje kronike. Nëse vjen në pushtet, kjo parti zotohet se do të themelojë edhe Memorialin e Gjenicidit dhe do të bëjë investime qindra-milionëshe në Rajonin e Prishtinës.
Nëse i fitojnë votat e mjaftueshme për të qeverisur në vend pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së zotohen se do të dyfishojnë buxhetin për Shëndetësinë, ta themelojnë Qendrën për Trajtimin e Personave të Varur nga Alkooli dhe Narkotikët, si dhe do ta krijojnë Sistemin Kombëtar të Emergjencave Mjekësore.
Me kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën, PDK-ja e cila për një kohë të gjatë kishte udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë premton se nëse rikthehet në pushtet do ta transformojë Sistemin Shëndetësor.
Përveç për Shëndetësinë, pjesëmarrësit e kësaj partie në “Debat Përnime”, më 22.01.2025, premtuan se nën “qeverisjen e PDK-së” do të përfundohen magjistralet për Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë dhe do të themelohet Muzeu i Gjenocidit në Prishtinë.
Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Prioritetet e PDK-së në Shëndetësi
Kandidatja për Deputete, Mimoza Ahmetaj, me profesion stomatologe, e cila më parë ka qenë deputete dhe ambasadore, thotë se PDK-ja si plan kryesor e ka zgjerimin e gamës së të gjitha shërbimeve shëndetësore, rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët dhe lehtësimin e barrës financiare që bie mbi pacientët.
Ahmetaj thekson se si PDK synojnë që të përmirësojnë infrastrukturën ekzistuese të institucioneve shëndetësore dhe t’i avancojnë Qendrat Klinike e Spitalet – duke i modernizuar me pajisje të teknologjisë së fundit.
“Objektivë e Partisë Demokratike të Kosovës është që të ofrojmë barna falas për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike, në mënyrë që ta lehtësojmë situatën e tyre materiale dhe ballafaqimin me sëmundjen.” – tha ajo.
Kandidatja për deputete, Mimoza Ahmetaj nga PDK. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Pa specifikuar se çka do të bëjnë për fëmijët me autizëm, ajo tha se synojnë që ta kenë një Program edhe për qytetarët të cilët vuajnë nga problemet në të folur e që kanë nevojë për logopedë.
“Ne synojmë po ashtu që në kuadër të Programit të ofrojmë edhe kujdesin paliativ, për të gjithë ata të sëmurë që për një kohë të gjatë janë të palëvizshëm. Do të mundohemi që përmes ekspertëve tanë shëndetësorë të profileve të ndryshme të ofrojmë kujdes, në mënyrë që gjendja e tyre të lehtësohet.” – tha Ahmetaj.
Në Program, sipas saj, e kanë edhe krijimin e Qendrës për Trajtimin e Kategorive që Vuajnë nga Varshmëria ndaj Alkoolit apo Përdorimi i Narkotikëve.
E pyetur se a do t’i shkarkojnë të emëruarit në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) gjatë qeverisjes Kurti, ajo tha se nuk do të marrin mandatin që të përjashtojnë dikë nga institucioni, por se të gjithë zyrtarët pavarësisht pozitës dhe funksionit do të vlerësohen mbi bazën e performancës që kanë.
“Ne do të kemi ndryshime, aty ku ka nevojë në mënyrë që të përmirësohet performanca.” – është shprehur ajo.
Buxheti për barnat
Buxhetin për Shëndetësinë PDK-ja synon që ta dyfishojë.
Buxheti i plotë për Shëndetësi për vitin 2025 është mbi 75.3 milionë, apo rreth 2.8 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak.
“Ne në start, me rishikimin e buxhetit për vitin 2025, menjëherë do ta rrisim buxhetin, në mënyrë që sadopak të ndihmojmë qytetarët.” – tha Ahmetaj.
Ajo deklaroi se “nën qeverisjen e PDK-së”, barnat do të mbërrijnë lehtë nga depoja deri te pacienti, pasi që e kanë në plan ta digjitalizojnë Sistemin Shëndetësor, si pjesë e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH). E, për sa kohë mendojnë ta bëjnë këtë gjë – nëse arrijnë të qeverisin – ajo nuk dha afate me arsyetimin “se më vonë mund të ma përmendni si argument”.
“Në këtë aspekt mendojmë që planifikimin ta bëjmë se sa pacientë i kemi pasur sivjet në trajtim për sëmundje të caktuara – informata të sakta që merren nga institucionet shëndetësore. Ne do të mund të planifikojmë për vitin e ardhshëm se sa kemi nevojë. Duke planifikuar do të bëhet edhe përpilimi i Listës esenciale të barnave se për çka kemi nevojë.” – tha ajo.
Përveç këtyre, Ahmetaj tha se e kanë në plan edhe krijimin e Sistemit Kombëtar të Emergjencave Mjekësore, që nënkupton që “përmes pajisjeve të ndryshme medicinale, por edhe helikopterëve, të kemi qasje në rast të krizave apo fatkeqësive të ndryshme”.
Një objektiv tjetër që e kanë në plan, ajo tha se është nxitja e prodhimit vendor e produkteve farmaceutike.
“Produktet farmaceutike kryesore në tregun e Kosovës vinë nga importi – gjë që e rrit enorm çmimin e produkteve të tilla dhe normal që është vështirë të ballafaqohemi me blerjen e produkteve të tilla.” – tha ajo.
Kandidati tjetër për deputet, Fatbardh Rexha, me profesion kirurg, beson që i gjithë transformimi i Sistemit Shëndetësor do të arrihet përmes funksionalizmit të Sistemit të Sigurimeve Shëndetësore, digjitalizimit të Sistemit Shëndetësor apo Sistemit Informativ Shëndetësor, si dhe aplikimit të protokoleve mjekësore për profesionistët shëndetësorë.
“PDK synon që përmes buxhetit të saj të rritë edhe gamën e shërbimeve shëndetësore. Po flasim për një qasje, në të cilën planifikohet që në katër vjetët e ardhshme nga buxheti i Kosovës të investohen rreth 1.5 miliardë euro në Shëndetësi; shto këtu, edhe dyfishimin e buxhetit sa i përket furnizimit me barna.” – tha ai.
Kandidati i PDK-së, Fatbardh Rexha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
PDK-ja e vlerëson se Kosovës i duhet një Ligj i tillë për Rregullimin e Çmimit të Barnave – duke u siguruar që çmimi i barnave të jetë koherent në raport me çmimet e tregut në vend.
“Tregu i barnave duhet të rregullohet konform tregut në Kosovë dhe jo të merren si referencë tregjet e tjera dhe pastaj ato të aplikohen në Kosovë.” – tha ai në lidhje me Ligjin për Barnat.
Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, ka publikuar Listën e çmimeve të barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës nga data 01.02.2025.
Përcaktimi i çmimeve të barnave bëhet duke u bazuar në Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili e parasheh edhe metodologjinë, e cila thotë se bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme, të cilat janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe vendi i origjinës së produktit.
Paragrafi 10 i Nenit 9 të Ligjit thotë se “Çmimi me shumicë përbëhet nga vlera e marzhës së qarkullimit me shumicë e shpenzimeve të tjera vartëse, jo më shumë se 7.5%, që llogaritet duke i shtuar çmimit të importit CIP marzhën e qarkullimit me shumicë dhe shpenzimet e ndërlidhura, por jo më shumë sesa vlera e kalkuluar – sipas Paragrafëve 5, 6, 7 apo 8 të këtij Neni”.
Mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore?
Me profesion kirurg ortoped, kandidati për Deputet, Pleurat Sejdiu, i cili është drejtor i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se qëndrimi i parë i PDK-së është zbatimi i pakompromis i ligjeve.
Sejdiu thotë se PDK-ja beson në vetëinspektim, vetërregullim dhe vetëauditim të brendshëm, e jo në inspektime.
“Inspektimi është i brendshëm – gjë që është i paraparë me ligj… Inspektorati Qendror të jetë i pavarur, e jo pjesë e një Ministrie…” – tha ai, duke e lakuar emrin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili e pati nisur auditimin e brendshëm.
Për shtimin e inspektorëve të Shëndetësisë, Mimoza Ahmetaj thotë se një gjë e tillë kërkon kohë. Sipas saj, më lehtë mund të flitet për ndërtimin e një Spitali, për një, dy ose tre vjet, sesa për Inspektoratin shëndetësor, i cili është “proces në vazhdimësi” që kërkon të investohet në kuadro.
Kandidati i PDK-së, Pleurat Sejdiu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Për disiplinimin e stafit shëndetësor, të cilët shfrytëzojnë kohën e punës në institucionin publik duke punuar në Klinika private, Pleurat Sejdiu tha se kjo çështje është hiperbolizuar, pasi që asgjë nuk i ndalon menaxherët që ta bëjnë kontrollin e personelit – nëse ka nevojë.
“Orari është orar dhe brenda saj është Drejtori apo Menaxheri i parë, që duhet të di çdo gjë. Është vetëm çështje e vullnetit politik, i atyre që drejtojnë dhe ta rregullojnë këtë çështje.” – tha ai, duke shtuar se nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër përpos zbatimit të ligjeve ekzistuese.
Sipas tij, çelësi është te bartja e përgjegjësisë te menaxherët, që do duhej të ishin përgjegjës, e jo të bëhet mikromenaxhim nga niveli i Ministrisë, apo SHSKUK-së.
“Nëse do menaxhmenti ta zë peshkun në rrjetë është shumë kollaj. Vetëm a duan -nëse ka peshk të tillë.” – tha ai.
Përkitazi me supremacinë e Klinikave private ndaj Sistemit Publik Shëndetësor, Sejdiu thotë se duhet që të fillojë çështja e licensimit dhe akreditimit të institucioneve publike.
Sipas tij, ajo çfarë ka ndodhur deri më tani është mesazhi i dhënë te pacienti nga niveli politik – gjë që nuk duhet. Zgjidhje, sipas tij, është të bëhet akreditimi apo një Kornizë e Kontrollit.
Ndërsa, për zvogëlimin e Listës së pritjes të pacientëve për operime në institucionet publike, Sejdiu tha se ndikojnë tre faktorë: mungesa e stafit të mjaftueshëm të profesionalizuar, mungesa e shërbimeve në nivel rajonal dhe koncentrimi i pacientëve vetëm në Prishtinë.
“Te një pjesë e shërbimeve që duhet të kryhen në Spitale rajonale mungojnë furnizimet bazike të atij Spitali – gjë që e ngarkon nivelin terciar. [Si rrjedhojë] shumica e intervenimeve janë në pritje. Atëherë ndodh që i jepet prioritet një traume dhe shkaktohen këto pritje.” – tha ai.
Sipas tij, duhet të bëhen investime në shërbime të ndryshme edhe në Spitalet e tjera rajonale dhe të bëhet risistematizimi i forcës së punës.
Parandalimi i ikjes së mjekëve nga Kosova
Pleurat Sejdiu thotë se Kosovës nuk i duhet një Qendër e Re me vlerë 500 milionë euro, në vend të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), përderisa çelësi i mbajtjes së mjekëve në Kosovë është investimi në resurse njerëzore. Projekti për Qendrën është i Lidhjes Demokratike të Kosovës – si një ndër premtimet më të mëdha nëse kjo parti vjen në pushtet.
Megjithatë, Sejdiu thotë se Kosova i ka rreth 600 mjekë pa punë, të cilët, sipas planit të tyre, do të sistematizohen.
“Këta mjekë do të punësohen qoftë si mjekë në Klinikë, në Repartet Rajonale apo në Qendra të Mjekësisë Familjare.” – tha ai.
Sejdiu theksoi se rreth 110 mjekë largohen nga vendi nga 170 sa diplomojnë. E gjitha, sipas tij, shkaku i papunësisë.
“Ata kur shkojnë në Gjermani, shkojnë si mjekë në Repart. Përgatiten për fazën e dytë të shkollimit specialistik. Pra, është një fazë përgatitore, por njëkohësisht japin shërbime në Sistem.” – tha ai.
Ndërsa, Mimoza Ahmetaj, zgjidhje për ikjen e mjekëve e konsideron rritjen e pagave, ashtu siç ka thënë kandidati për kryeministër, Bedri Hamza për 50% në vitin e parë.
“Të mos jetë paga arsyeja, pse ata ikin nga vendi.” – tha ajo.
Ndërsa, Fatbardh Rexha tha se nën qeverisjen e PDK-së do të investohet në funksionalizimin dhe modernizmin e Spitaleve Rajonale dhe rrjedhimisht edhe në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Plani i PDK-së për sigurimet shëndetësore
Përmes Fondit për Sigurime Shëndetësore, kandidati Fatbardh Rexha synon që të ofrohen shërbime shëndetësore, të mbulohen ato, të rimbursohen shërbimet për kategoritë e caktuara dhe të rimbursohet deficiti me shërbime shëndetësore.
Rexha thotë se sigurimet shëndetësore janë obligative për funksionimin e mirëfilltë të Sistemit Shëndetësor. Sipas tij, baza legjislative ekziston, por si top-prioritet e kanë që të bëjnë funksionalizmin e tyre.
Megjithatë, ai nuk dha ndonjë afat se kur mund ta bëjnë tërësisht këtë punë.
“Nuk mund të themi saktë në mënyrë kohore datën e fillimit, megjithatë do të jetë një punë e jashtëzakonshme që do të bëhet gjatë vitit të parë qeverisës, që në mënyrë komplementare Sistemi Informativ, Protokoli dhe Sistemi i Sigurimeve Shëndetësore të fillojnë së zbatuari.” – tha ai.
Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u miratua nga Qeveria më 28.08.2024, megjithatë funksionalizimi i tyre është ende larg në horizont.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në fushatën zgjedhore të vitit 2019, kishte premtuar që sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen brenda katër vjetëve. Parakusht për funksionalizimin e tyre është zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), për të cilin Vitia pati thënë se merr optimalisht 2 vjet kohë.
Votimi i këtij Projektligji ka qenë në Agjendën legjislative prej vitit 2021. Aktualisht, në Kosovë është në fuqi Ligji për Sigurimin Shëndetësor, i cili u miratua në vitin 2014, mirëpo nuk u zbatua asnjëherë plotësisht.
Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore është premtim i dhënë e i paplotësuar nga Qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë. Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë: Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.
Investimet në Rajonin 05
Në planin e PDK-së është finalizimi i magjistraleve për në Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë.
Kandidatja për Deputete, Eliza Hoxha, me profesion arkitekte, zotohet se do të bëhet funksionalizimi i transportit rrugor përbrenda Prishtinës – përfshirë edhe Unazën e Jashtme me vlerë 400 milionë euro.
Ajo premtoi investime në hekurudha, me fokus linjën e cila do të përfshijë “Portin e Kosovës” – siç quhet me Planin hapësinor të Kosovës Zona e Regjionit 01, që është lidhja e Kryeqytetit me Stacionin kryesor të trenit dhe Aeroportin e Prishtinës.
“Në këtë drejtim normalisht parashihet edhe linja e tramvajit, e cila do t’i funksionalizojë zonat urbane dhe rurale, në lidhje me Aeroportin dhe Stacionin e trenit, që përfshin Lipjanin, Graçanicën, Prishtinën dhe Fushë Kosovën.” – tha ajo.
Kandidatja e PDK-së, Eliza Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Hoxha premtoi Qendra për të Moshuarit në Zonat regjionale, investim në Stadiumin Olimpik Kombëtar, restaurimin e objektit të Pallatit të Rinisë, investime në ish-objektin e Boro-Ramizit dhe investime në Salla më të vogla të sportit dhe në Qendrat kulturore komunitare.
“Një gjë tjetër që është paraparë është Memoriali i Gjenocidit. Në këtë pjesë nuk ka një pozicion të caktuar se ku do të jetë. Mirëpo, në këtë aspekt do të bëjmë një debat fillestar me Komunën e Prishtinës, se ku do të ndërtohet ky Memorial.” – tha ajo.
Përvoja e PDK-së në qeverisje
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.
Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.
Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.
PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.
Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave doli fituese Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi lëvizjen Vetëvendosje, se ka sabotuar dhe bllokuar projektet për zhvillimin e kryeqytetit. Ai sjell si shembuj unazën dhe spitalin e Prishtinës. Por pavarërsisht kësaj situate thotë zoti Rama, Prishtina është transformuar.
Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 20.01.2025.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, kryetari i Komunës së Prishtinës u përgjigjet kritikëve që e akuzojnë për mos zgjidhje të problemeve me trafikun, mbledhjen e mbeturinave, apo ndotjen e mjedisit. Po kështu zoti Rama flet dhe mbi hetimet e nisura nga Prokuroria Speciale mbi tenderin prej 12 milionë eurosh për themelimin e shërbimit të ‘Arkitektit të Kryeqytetit’.
Rama thotë se me tenderin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore duke e cilësuar atë si një projekt madhor që ka ndihmuar në transformimin e Prishtinës.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, Kosova ndodhet tashmë zyrtarisht në fushatë zgjedhore për përballjen më 9 shkurt. A mendoni se ka ndryshuar diçka nga zgjedhjet pararendëse, ku partia juaj Lidhja Demokratike u rendit e treta. A ka shanse që LDK-ja të jetë forcë e parë apo edhe e dytë?
Përparim Rama: Lidhja Demokratike e Kosovës më ka ftuar që të garoj për kryetar të kryeqytetit. Pra është e vetmja parti e cila që në atë kohë ka filluar transformimin e menjëhershëm të saj, pra rivitalizimin e partisë, rishqyrtimin e strukturave të brendshme dhe ka bërë një punë të madhe që nga ajo kohë, pra rreth më shumë se tre vite, kur fituam garën, pra kur u bëra kryetar i kryeqytetit, kryetar i Prishtinës, një garë që mendohej se nuk mund të fitohej. Por ja që e kemi fituar dhe kemi tregu se me një vizion të mirëfilltë, me një analizë dhe njohje të mirëfilltë të problemeve, dhe me një vision për të ardhmen e kryeqytetit, nuk ka asgjë që mund të na ndalë. Dhe kjo po shihet tashmë pas më shumë se tre vitesh në menaxhimin e kryeqytetit.
Zëri i Amerikës: Por a e ka këtë vizion fitues partia (LKD-ja) për zgjedhjet e përgjithshme?
Përparim Rama: Po, ne jemi duke punuar së bashku me Dr. Lumir Abdixhikun, i cili është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku strukturat e brendshme janë ristrukturuar dhe rivitalizuar, pra është një ekip fantastik e fitues në garën e 9 shkurtit. Kemi pasur një konferencë të përbashkët ku edhe jemi zotuar që investimet në kryeqytet të jenë 1.5 miliardë euro, investime të cilat i duhen kryeqytetit për arsye se kryeqyteti është taksapaguesi më i madh në buxhetin e Kosovës. Pra 49.8 për qind e gjithë buxhetin të Kosovës paguhet nga bizneset dhe qytetarët e kryeqytetit, për këtë arsye është me rëndësi që investimet të vijnë së pari dhe më të mëdhajat të jenë, për kryeqytetin.
Zëri i Amerikës: Logjika ta do të mendosh se një drejtues i pushtetit lokal do të preferonte që në pushtetin qendror, të kishte partinë e tij në mënyrë që të avanconte projektet dhe vizionin për qytetin. A keni ndjerë ju probleme në punën tuaj, duke pasur parasysh që në qeverisjen qendrore është lëvizja Vetëvendosje. Si do ta përkufizoni ju bashkëpunimin me qeverinë?
Përparim Rama: Unë mendoj se në çdo qeverisje normale nuk do të duhej të ishte problem se kush është në nivelin qendror dhe kush në atë lokal, por ja që përkundër faktit që unë kam qenë neutral në aspektin e qeverisjes, pra Prishtina ka qenë për të gjithë, ashtu e kam qeverisur dhe ashtu do të vazhdoj ta qeveris, duke parë në përbashkim dhe jo në përçarje, për fat të keq nuk e kemi pasur përkrahjen e qeverisë, pra kemi pasur sabotazh dhe bllokada të ndryshme në zhvillimin e kryeqytetit. Për shembull për projekte madhore si ai i unazës dhe spitali i kryeqytetit. Mirëpo përkundër faktit të bllokadave dhe sabotazhave ne kemi arritur të realizojmë buxhetin e kryeqytetit me 80 për qind, që është faktikisht realizim historik, më i madhi në historinë e kryeqytetit, po ashtu edhe në investime kapitale 63 për qind. Paramendo po të kishim pas një qeverisje më normale, nëse e quaj kështu, çka do të kishim pas mundësi të bënim. Do të kishim pas mundësi të bëjmë shumë më shumë edhe në kryeqytet, por edhe në të gjithë Kosovën.
Zëri i Amerikës: Por megjithatë çfarë do t’u thoshit ju kritikëve tuaj që u fajësojnë për mos zgjidhje të problemeve që lidhen me trafikun e ngarkuar, ngushtimin e hapësirave për lëvizjen e makinave, problemet me mbledhjen e mbeturinave, ndotjen e mjedisit, ndërtimet pa leje apo edhe kritika të tjera të kësaj natyre?
Përparim Rama: Pikërisht këto janë edhe problemet të cilat i përmenda dhe më herët. Pra unaza e kryeqytetit, një projekt madhor për kryeqytetin i cili është i gatshëm tashmë prej dy vite e gjysmë, e që bllokohet nga qeveria. Një projekt 206 milionësh, në të cilin 40 për qind e të gjitha fondeve janë faktikisht grant nga Komuniteti Evropian, vazhdon të bllokohet nga qeveria. Pra ky është një projekt madhor i cili do ta kishte zbutur dhe përmirësuar dukshëm trafikun në kryeqytet. Me informatat të cilat ne i marrim çdo ditë, kemi 748 mijë hyrje në qytet, po them hyrje, pra vetëm prej telefonisë mobile IPKO, i kemi këto të dhëna prej tyre. Pra paramendoni kur i marrim edhe ata që kanë telefona VALA e të tjerë, kemi afër një milion hyrje. Çfarë do të thotë kjo? Që gati më shumë se gjysma e Kosovës vjen çdo ditë në kryeqytet dhe del nga kryeqyteti dhe kjo normal që shkakton presion në trafik në kryeqytet. Për këtë arsye edhe projektet madhore siç është unaza e kryeqytetit…
Zëri i Amerikës: E keni fjalën për rrugën ‘A’, çfarë po ndodh me të?
Përparim Rama: Pikërisht vazhdojmë tash me punë në rrugën A, por ja që tre herë e kemi fituar gjyqin, pra na e kanë bllokuar. Kemi dalë në gjykatë e kemi fituar herën e parë, po ashtu e kemi fituar edhe herën e dytë edhe herën e tretë. Pra na e kanë bllokuar projektin për më shumë se gjashtë muaj. Projekte madhore të cilat janë në të mirën e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit edhe jo vetëm. Pra kur janë për kryeqytetin janë për të gjithë Kosovën, sepse e përmenda që jemi taksapaguesit më të mëdhenj në buxhetin e Kosovës. Pra këto janë sfidat. Mirëpo nuk është vetëm kjo, ka pasur edhe mungesë të ndërtimit të shkollave, jemi duke ndërtuar shkolla gjithandej përrreth. Kemi vazhduar tashmë mësimin tërëditor edhe kjo është shndërruar në problem sepse prindërve u është dashur t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, jo në zonat ku jetojnë, por në qendër në mëngjes dhe t’i marrin në orën dymbëdhjetë, gjë që ka shkaktuar edhe probleme në trafik. Pra kur e kemi një qytet i cili po zhvillohet dhe që ka një energji fantastike, një energji pozitive dhe po i mundësojmë bizneseve dhe çdo qytetari që të vijë, të punojë, të zhvillohet, i duhet edhe infrastruktura, i duhet edhe bashkëpunimi me nivelin qendror. Ja që këtu s’e kemi. Mirëpo përkundër faktit, po them që nuk e kemi mbështetjen e nivelit qendror, ne vazhdojmë ta transformojmë kryeqytetin dhe vazhdojmë me projekte të mira e madhore për të.
Zëri i Amerikës: Zoti Rama, Prokuroria Speciale ka konfirmuar para pak muajsh se ka nisur hetimin mbi tenderin 12 milionë eurosh për themelimin e shërbimit të ‘Arkitektit të Kryeqytetit’. A besoni se gjatë tenderimit janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore?
Përparim Rama: Po unë të gjitha informatat i kam që të gjitha procedurat ligjore janë ndjekur edhe normal që të gjitha kontratat në spektrin publik duhet të analizohen, të shihet a është çdo gjë ligjore. Unë i kam mirëpritur këto dhe i mirëpres edhe në të ardhmen. Mirëpo kontrata e Arkitektit të Kryeqytetit është një projekt madhor i cili e ndihmon kryeqytetit në transformim. Deri më tani nuk është shpenzuar as gjysma e kësaj kontrate, kemi më shumë se 65 projekte për të mirën e kryeqytetit. Për herë të parë kryeqyteti ka projekte të shumta ku edhe mundësohet që punimet në terren të kryen më mirë, më shpejt dhe në mënyrë të planifikuar. Për këtë arsye po them edhe kemi arritur që realizimi i buxhetit të jetë historikisht më i madhi këtë vit dhe do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Projektet do të vazhdojnë dhe projektet e mëdha pavarësisht faktit që kemi bllokadë nga niveli qendror.
Zëri i Amerikës: A do të rikandidoni për Prishtinën?
Përparim Rama: Patjetër që po. Unë kam thënë edhe gjatë kandidimit tim të parë që më duhen tetë vite ta transformoj kryeqytetin, jemi në proces të transformimit, pra kemi filluar transformim e kryeqytetit. Tashmë Prishtina është e njohur ndërkombëtarisht në aspektin e artit, kulturës, të eventeve të mëdha, e po ashtu të një jete të mirë, ku edhe sektori për shembull i teknologjisë ka më shumë se 35 mijë të punësuar, ku shumica prej tyre janë të fokusuar në kryeqytet, me kompani tashmë gjithnjë e më të mëdha, e më të shumta prej vendeve të ndryshme, që po vijnë në kryeqytet, të krijojnë bazën e tyre.
Zëri i Amerikës: Si mund ta ndikojë rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit tek fati i Prishtinës në zgjedhjet lokale të vjeshtës?
Përparim Rama: Me siguri që do të ketë ndërlidhshmëri, por them nëse ne kemi qendrën e djathtë që e fiton nivelin qendror, atëherë zhvillimi jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë territorin e Kosovës do të jetë më i mirë, më i përshpejtuar. Nëse kemi fitore të të majtës ekstreme atëherë normal që do të vazhdohet me pengesa. Mirëpo ne nuk do të ndalemi. Kryeqyteti e ka edhe ligjin e vet dhe fuqinë e vet, kështu që nuk ka gjë që na ndal në transformimin e Prishtinës, e me të Prishtinës edhe të të gjjthë vendit./VoA
Me përvojë të gjatë në qeverisje, por tani nga tabori i opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), synon që të rikthehet sërish në pushtet me premtimet për digjitalizim të sistemit të drejtësisë, përmbyllje të procesit të Vetting-ut si dhe realizimit të një sërë projektesh kapitale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia që dikur udhëhiqej nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova, për herë të parë synon që ta ulë në karrigen e kryeministrit, liderin e ri të saj, Lumir Abdixhikun.
Me 110 kandidatë për deputetë, prej tyre një pjesë e madhe figura të reja, synimi i kësaj partie është që kësaj radhe ta marrin mandatin me zotimet se do të bëjnë Kosovën një vend ku politika nuk prek fare sistemin e drejtësisë, me digjitalizim të lulëzuar dhe me projekte të mëdha kapitale.
Kjo parti e djathtë fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 e nisi herët dhe investimet në të u dukën dukshëm të mëdha në bazë të asaj që vetë e kanë shpërfaqur. Të ballafaquar me pyetje në “Debat Përnime”, shtatë nga kandidatët e kësaj partie treguan një pjesë të planeve në fushën e drejtësisë dhe për investimet në rajonin e Prishtinës, nëse arrijnë të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Doarsa Kica- Xhelili, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Alban Zogaj, Krenar Xhaferi, Besian Mustafa e Fatlume Jaha, mëtojnë që si parti ta bëjnë Vetting-un, t’i gjejnë zgjidhje “sistemit të pështjellur” të drejtësisë duke e digjitalizuar atë, ta ndërtojnë një Qendër të re Klinike Universitare të Kosovës dhe të investojnë 1.5 miliardë euro për një mandat në rajonin e Prishtinës.
LDK-ja ka numrin 124 në fletëvotimin e zgjedhjeve që do të mbahen më 09.02.2025.
A vihet në vend drejtësia me ndryshime teknike?
Me premtimet që do ta luftojnë korrupsionin pa parulla politike, LDK-ja ka dalë me një program të veçantë për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, madje duke përdorur ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Në këndvështrimin e tyre, lëndët gjyqësore po zvarriten për shkak të burokracisë nëpër gjykata e prokurori.
E pyetur se si do ta luftojnë korrupsionin, kandidatja për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, që me profesion është juriste, u shpreh në terma administrativ e lehtësues, se do ta luftojnë duke bërë digjitalizimin e sistemit të drejtësisë. Me planin që e shpërfaqi, ajo tha se do të shihet një transparencë në sistemin e drejtësisë “që nuk e keni parë kurrë më parë”.
“Zvarritja e lëndëve është një formë e interferimit në sistemin e drejtësisë. Dikush që don me iu zvarritë lënda, mënyrën më të lehtë e ka me zvarritë procesin me gjëra që nuk vërehen dhe duken të parëndësishme. Duke e digjitalizuar sistemin e drejtësisë, ne e lirojmë barrën e akterëve brenda institucionit të drejtësisë që duhet të merren me procese burokratike”- tha Kica-Xhelili.
Ajo premtoi se LDK do të evitojë hapat proceduralë të panevojshëm. Procedura pararake civile apo shqyrtimi fillestar në penale, sipas saj, do të bëhet në formë virtuale.
Kandidatet e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
“Janë disa gjëra që nuk ka nevojë as të jesh në seancë fizikisht. Me hy dhe me pas qasjen në një sistem elektronik se pse një lëndë ka zgjat 20 seanca, e në atë sistem ti ke me i pasë me rend me tikë ato që janë përmbushur: a është dërgu lënda tek pala; a është ftuar eksperti; a është përmbyllur dokumentimi etj”- u shpreh ajo.
Fajin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ajo ia la procedurave, duke thënë se personat që i marrin shënimet nëpër institucione shkruajnë dhe kështu një lëndë që do duhej të zgjaste 30 minuta zgjat një orë e gjysmë minimalisht. Për të zhdukur këtë problematikë, ajo tha se do ta përdorim Inteligjencën Artificiale. Në fund, sipas saj, do të jenë personat zyrtarë që e konfirmojnë shkrimin e transkriptuar.
“Kjo i jep kohë më shumë gjyqtarit në një anë me trajtu aspektin profesional të lëndës, e në anën tjetër me kry një lëndë shumë më shpejt. Imagjino që krejt njoftimet që ka ardhë një padi, lëndë, të vijnë në mënyrë elektronike. Kështu i ke në krejt vendet e BE-së”- shtoi ajo.
Me programin e LDK-së, planifikohet që të përdoret potenciali i AI-së për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve duke investuar 15 milionë euro për Programin Kombëtar të Inteligjencës Artificiale.
Sipas Kica-Xhelilit, në Kosovë sistemi i drejtësisë është shndërruar në një monstrum që nuk po funksionon për askënd, pasiqë prokurorët nuk kanë vullnet “kur shahen çdo mëngjes”, e kanë pagën e pamjaftueshme, nuk kanë ekip mbështetës dhe kohën që e kanë për t’u marr me atë që e kanë ekspertizë, duhet të merren me procedura burokratike.
Bashkëpartiaku i saj, Shkëmb Manaj, poashtu jurist tha që nëse fitojnë mandatin jo që nuk do të zvogëlohen pagat për prokurorë dhe gjyqtarë, por ato do të rriten.
“Në javën e parë do të bëhet koeficenti 150 euro. Por, te prokuroret dhe gjyqtarët është një çështje tjetër sepse atyre ua kanë zvogëluar pagat dhe na duhet ta kthejmë gjendjen në pikën ku ka qenë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- shtoi ai.
Ndërsa për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Manaj tha se Këshilli Prokurorial dhe Presidentja e Kosovës është dashtë me i dhënë epilog procesit të përzgjedhjes të Kryeprokurorit.
“Qeverisja aktuale dikur thoshte që do të shkoj Lumezi e do të vjen Elezi, Lumezi nuk ka shkuar dhe nuk ka ardhur Elezi ende”- tha ai.
Kandidatët LDK-së, Sibel Halimi dhe Shkëmb Manaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Ndërsa, për Doarsa Kica – Xhelilin, vetë fakti që ka adhur puna që pyetja për Kryeprokurorin t’i bëhet figurave politike, tregon se sa problematike është drejtësia e sotme në Kosovë.
“Politika duhet me i mbajë duart larg Kryeprokurorisë, se pikërisht personat që kanë ardhur në krye të atij institutcioni janë persona që nesër kanë me na hetu neve, potencialisht. Larg qoftë, nuk besoj që do të ketë nevojë”- tha ajo.
Një tjetër segment i drejtësisë i rëndësishëm është edhe çështja e pastrimit të parave, pyetje që kandidatëve iu parashtrua nga Visar Prebreza nga rubrika “Krypometri” në Kallxo.com. Prebreza pyeti se pse në 254 faqet e programit të LDK-së askund nuk figuron pastrimi i parave si terminologji.
Kica- Xhelili, tha se në programin e tyre nuk përmendet me terma as vrasja e grave, as dhunimi i të miturëve dhe as pastrimi i parave, pasiqë në botëkuptimin e tyre drejtësia nuk mund të shihet si një mënyrë e mikro-menaxhimit, por si diçka e tërësishme.
“Nëse e rregullon sistemin e drejtësisë asisoji që ajo me u marrë mirë me vetveten dhe në mënyrë transparent duke ia ofruar të gjitha mekanizmat, atëherë [drejtësia] do të merret edhe me pastrimin e parave, edhe me të gjitha të tjerat. Pra, arsyeja pse nuk është terminologjia, është se nuk kemi parulla populliste në programin tonë politik”- u përgjigj ajo.
Ndërkaq, kandidati tjetër, Alban Zogaj me profesion ekonomist që njëherësh është nënkryetar i Prishtinës, tha se në program i përmendin shumë terme të tjera që lidhen me luftën ndaj krimit.
“Ne e kemi shumë të fokusuar programin tonë në luftën ndaj krimit dhe informalitetit. Në ekonomi pastrimi i parave konsiderohet në pjesën e informalitetit”- tha ai.
Ndërsa, Shkëmb Manaj tha se këtë segment e kanë paraparë te plani i tyre për ndërtimin e Qendrës Hetimore, e cila sipas tij, është mekanizëm krejtësisht i ri që do të funksionojë si Njësi Speciale e Policisë të Kosovës, e që kontrollohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Pjesë e specializuar e Policisë që menaxhohet drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Kosovës. Ne duhet ta largojmë ndikimin politik te çështja e hetimeve. Nuk mund të ketë qendër të hetimeve në kuadër të Policisë, e cila udhëhiqet nga ministri i Punëve të Brendshme që është figurë politike”- shtoi ai.
Për themelimin e Byrosë për Sekuestrimim e Pasurisë të Pajustikueshme, Kicaj-Xhelili, tha se asgjë dhe askush nuk e ka penguar kryeministrin e vendit dhe Lëvizjen Vetëvendosje ta zgjedhin drejtësuesin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, as të themelojë Task-Forcë për luftimin e korrupsionit. Por, sipas saj, Qeveria nuk ka dashur ta bëj një gjë të tillë edhe pse e ka pasur në duart e veta “mundësinë e artë”. Në vend të kësaj, sipas saj, Qeveria ka zgjedhur ta shtrij ushtrimin e kontrollit.
“Po ta kishte seriozisht [Albin Kurti] kthimin e parasë publike, duhet me pyet ku i ka Martin Berishaj të hollat e veta. Kthej njëherë paratë e tij pa Byro fare, më pas flasim për Byronë”- tha ajo.
A do të bëhet Vetting-u?
Qëllimin e parë dhe kryesor në sistemin e drejtësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se e ka përmbylljen e procesit të Vetting-ut, “duke u larguar nga parullat e filozofisë politike për drejtësinë”.
Kica-Xhelili ka premtuar që Vettingu do të përmbyllet si proces gjatë mandatit të tyre të parë, duke e proceduar në një version të kombinuar.
Ajo thotë se versioni i LDK-së për Vetting-un është që në shkallë të parë të mbyllen amandamentet kushtetuese. Sipas saj, nuk mjafton që Vettingu të bëhet vetëm për krerët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
“Më pas do të vazhdojmë me hapin e dytë që është një Vetting i brendshëm, i qëndrueshëm që e veçon sistemin e drejtësisë nga vetë Këshillat në mënyrë të vazhdueshme. Kështu Këshillat e ndërvetësojnë kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë sistematike”- thotë ajo, duke shtuar se do të bëjnë vlerësim vjetor dhe kontroll sistematik në çdo pesë vjet.
Nëse nuk voton pakica serbe në Kuvendin e Kosovës, gjë që e pengon procesin e Vettingut, Kicaj-Xhelili, tha se do të “bëjnë diçka”, ngase sipas saj, nuk mund të presin pafundësisht. Ajo thotë se maksimumi i pritjes mund të shkoj 6 muaj deri në 1 vit, në mënyrë që të mbetet hapësirë që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Nëse dojmë me përmbyll Vettingun brenda një mandati, duhet me pas parasysh që nuk mundemi me prit pafundësisht që pakicat mos ta votojnë, edhe në vitin e tretë të na kujtohet se mund të shkojmë me hapin e dytë”- shtoi ajo.
Duke akuzuar Qeverinë Kurti, Kica-Xhelili, e cila për pak kohë ishte deputete e koalicionit LVV- Lista Guxo gjatë kësaj qeverisje, por më pas kaloi në LDK, tha se tani për tani kanë të bëjnë me një Qeveri që në shumicën e ligjeve ka elemente të kontrollit të pushtetit në drejtësi.
“Qeveri e cila reformën e drejtësisë e sheh në një fjali ‘po hymë na brenda se qashtu rregullohet drejtësia’”- tha ajo.
Juristi tjetër i kësaj partie, Shkëmb Manaj pretendon që Qeveria Kurti jo që ka bërë hapa pak, por ka bërë hapa mbrapa në procesin e Vettingut.
“Na ka kthyer në hapa mbrapa, dhe cilado Qeveri do të vjen tash, do të kemi një hap mbrapa- se nuk do të ketë Vetting të plotë në sistemin e drejtësisë”- tha Manaj.
Vettingu është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë që sa vite në fushën e drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Në pritje për zbardhje të krimeve të luftës
Kosova ka vetëm tre të prokurorë dhe 34-35 policë hetues për rastet e krimeve të luftës. Një numër i tillë vështirëson zbardhjen e rasteve të shumta, përderisa vitet po kalojnë e dëshmitarët po vdesin.
Shkëmb Manaj, premton se në minimum do të jenë 10-15 prokurorë për këto raste të ndjeshme.
“Ne menjëherë duhet ta bëjmë një strategji kombëtare e cila aprovohet në Kuvend, që ka afat 5 vjet që t’i trajtojë të gjitha krimet e luftës. Dhe në kuadër të strategjisë, të bëhet buxheti, të rritet numri i prokurorëve dhe policëve. Zbardhjen e krimeve të luftës mund ta bëjmë brenda pak viteve, për shkak se shumica e dëshmitarëve po vdesin e pastaj do të bëhet e pamundshme”- tha ai.
Ndërkaq, Kica- Xhelili tha se ajo çfarë duhet të bëhet është që politika të kryejë rolin e saj administrues dhe të sigurojë kapacitetet e nevojshme.
“Shkon e pyet prokurorin dhe gjyqtarin se çka po të duhet që me ma zbardhë këtë lëndë, sa persona po të duhen, sa pare po të duhen, sa prokurorë shtesë po të duhen; cilat institute botërore të duhen për ekspertizë që ne nuk i kemi kapacitetet. Dhe ti ia siguron …”- tha ajo.
Lufta në Kosovë la shumë viktima, të pagjetur, gra e burra të dhunuar e shumë dëme materiale, që ende nuk janë zbardhur. Me shkas, kërkohet që të merren hapa sa më parë që mos të kalojnë tri dekada nga përfundimi i luftës për t’i dhënë epilog pritjeve.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.
Parandalimi i dhunës ndaj grave
Kandidatja për deputete nga LDK, Sibel Halimi, e cila njëherësh është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, duke folur në nivel të konstatimeve tha se deri më tani nuk kanë parë asgjë konkrete nga partia në pushtet për ta parandaluar vrasjen e grave.
Halimi tha që është ithtare që të përfshijnë një lëndë specifike në sistemin parauniversitar që ka të bëjë më njohuritë mbi gjininë. Poashtu, ajo premtoi që gratë do t’i përfshijnë në tregun e punës, do të ofrojnë politika miqësore, do të përfshijnë ligjin e prindërimit dhe do ta zhdukin hendekun mes sferës publike dhe private për jetën e grave në Kosovë.
“Në këtë sistem të drejtësisë që është jashtëzakonisht i brishtë me një diskurs publik i cili denigron të gjitha hallkat e funksionimit të sistemit të drejtësisë natyrishtë që gratë ndihen të pambrojtura dhe janë në një pozitë ku më nuk i besojnë as institucioneve të sigurisë” – tha Halimi.
Kandidatët LDK-së, Sibel Halimi dhe Shkëmb Manaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Kica- Xhelili përmendi që në fund të vitit 2022, LDK-ja e ka propozuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës që merret pikërisht me çështjen e dhunës ndaj grave, por se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka votuar.
“Po flasim për të drejtat e njeriut, mirëpo duhet të mos harrohet edhe një gjë, LDK-ja nuk iu përzihet deputetëve të saj se çka votojnë e cka nuk votojnë. Ne jemi parti e djathtë dhe kemi demokarci të skajshme të brendshme dhe deputetët tonë nuk i detyrojmë të votojnë në një mënyrë apo tjetrën”- tha ajo duke thumbuar partinë në pushtet.
Kurse, kandidatja Fatlume Jaha tha se nuk ka formë më të mirë për t’i fuqizuar gratë se sa t’i fuqizosh ato në aspektin ekonomik.
“Konsideroj se LDK veçse e ka bërë hapin e parë për ta bërë këtë përmes shkollës tërëditore, sepse ka bërë një lehtësi shumë të madhe për nënat”- tha ajo.
Kandidatet e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Premtimet për Prishtinën
Tetë nga 110 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së kanë pozita në Komunën e Prishtinës. Në planet e tyre si deputetë, ata parashohin ndryshime që do të shtrihen në rajonin e Prishtinës, e që më së shumti janë investime kapitale.
Në “DebatPërnime”, që si format në pjesën e dytë koncntrohet në punët që do të bëhen në rajonet e Kosovës, Sibel Halimi, Besian Mustafa, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj dhe Fatlume Jaha u zotuan për ndryshime përmes projekteve të mëdha.
Dokumenti “Rruga e Re”, programi qeverisës i LDK-së, parasheh investime kapitale shtesë prej 5 miliardë eurove për katër vite mandat, me mbi 120 projekte të mëdha në vend,
Alban Zogaj tha se prej 5 miliardë euro investime kapitale në mandatin e parë, 1.5 miliardë janë të orientuara për rajonin e Prishtinës.
Një prej projekteve të mëdha të kryeqytetit, që është proklamuar edhe nga Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është Unaza e Jashtme e Prishtinës.
Kandidati për deputet, Krenar Xhaferi, fajësoi Qeverinë Kurti, duke thënë se projekti për Unazën e Jashtme të Qytetit që dy vjet nuk e merr garancionin nga Qeveria e Kurtit.
“Ky garancion vjen me ditët e para [të qeverisjes së LDK-së] dhe për katër vjet ne e kemi të përfunduar Unazën e Kryeqytetit” – tha ai.
Zogaj tha se Unaza e Jashtme është një projekt i madh kapital me 350 milionë euro investime, të zotuara për kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e që sipas tij, aktualisht nuk po nënshkruhet nga Qeveria aktuale.
Kandidatët e LDK-së, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
“Projekti i dytë i madh për kryeqytetin është “Qendra Kombëtare e Sportit” me rreth 200 milionë euro investime. Kjo qendër do të ndërtohet në perfieri të Prishtinës dhe i ndihmon Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030”- tha Zogaj, duke shtuar se aty përfshihet edhe Stadiumi Kombëtar me një kosto prej 50 milionë euro.
Për Spitalin e ri, Zogaj tha se është projekt tjetër i madh që do të zhvendoset nga lokacioni aktual ku është QKUK, e do të ndërtohet në periferi të Prishtinës, me 500 milionë euro investime.
Sipas tij, projekti i pestë i madh i kryeqytetit është projekti i kogjenerimit, ngrohja qendrore në kryeqytetin e Prishtinës ku parashihet dyfishimi i kapaciteteve në mënyrë që Prishtina në pesë vitet e ardhshme të ketë energji nga ngrohja.
Tjera projekte që u premtuan nga kandidatët e LDK-së, janë projekti i solareve në vlerë 100 milionë eur, pastaj rruga Prishtinë- Podujevë; rruga Prishtinë- Gjilan; rruga Prishtinë- Mitrovicë; ndërtimi i rrugës Prishtinë- Pejë.
Zogaj tha se financat për këto investime kapitale do t’i marrin në tri burime të financimit; e para përmes buxhetit; e dyta përmes kredive ndëkombetëre dhe kredive dypalëshe; dhe e treta do ta shtyjnë modelin e Partneritetit Publiko-Privat (PPP).
Besian Mustafa, i cili ishte ministër i Bujqësisë në Qeverinë Hoti, tha se do ta ndërtojnë centralin me gaz në komunën e Ferizajt përmes fondeve të Trustit Pensional.
“Nuk është problemi te mungesa e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe financimit ndërkombëtar, por është mungesa e ekzekutimit të këtyre fondeve nga ana e kësaj Qeverie”- tha ai.
Mustafa premtoi edhe Parkun Teknologjik në dalje të Prishtinës, që sipas tij, do të ketë një sistem që përfshin të gjitha hallkat e zinxhirit të këtyre teknologjive, me një investim prej 30 milionë eurove.
Sibel Halimi, tha se LDK e ka programin e saj politik për kulturën të ndarë në tri shtylla kryesore; e para ka të bëjë me investimet kapitale që brenda një sistemi 4 vjecar t’i rehatojnë institucionet dhe hapësirat e veçanta për artistët; dhe e dyta ka të bëjë më decentralizimin me institucionet vartëse.
“LDK do të ndërtoj një Teatër te ri Kombëtar”- tha ajo.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës më 04.03. 2002, dhe LDK-ja formoi qeverinë e parë pas luftës. Rugova ishte president deri në vitin 2006.
Kjo parti fitoi përsëri zgjedhjet e vitit 2004 në krye me Ibrahim Rugovën.
Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe të formonte një qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV, bëri një koalicion të mundshëm me LDK-në, por marrëveshja u shkatërrua pas disa muajsh kur Qeveria e Kurtit u rrëzua në Kuvend në mars 2020 përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Në 22.03.2020, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % duke u renditur si partia e tretë për nga numri i votave.