Ballina

Etiketë: Prishje

  • Prishje në rrjetin elektrik, disa fshatra të Klinës pa rrymë që nga mbrëmë

    Si pasojë e një prishjeje që ka ndodhur në rrjet, disa fshatra të komunës së Klinës si Ceraviku e Gllareva, kanë mbetur pa energji elektrike, që nga mbrëmë (04.01.2025).

    Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, për KALLXO.com ka thënë se prishja ka ndodhur në daljen e Gllarevës dhe se ekipet janë duke punuar.

    “Po, kemi një prishje në daljen e Gllarevës atje dhe ekipet e KEDS-it janë duke punuar aktualisht” – ka thënë Krasniqi.

    Sipas tij, synimi është që të rikthehet furnizimi me energji elektrike brenda ditës së sotme.

    Reduktime të energjisë elektrike ka pasur edhe të premten me 03.01.2025 në disa rajone në Kosovë.

    Sipas zëdhënësit Krasniqi, të premten më të prekurat nga reduktimet kanë qenë komunat si Gjilani, Vushtrria dhe Ferizaj.

    Lidhur me këtë gjendje, para disa dite kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se rrjeti i transmetimit nuk ka kapacitet të bartë gjithë konsumin e energjisë.

    “Nuk e kemi problemin që në treg ka mungesë të energjisë elektrike, por problemi është që rrjeti i transmetimit dhe i shpërndarjes nuk ka kapacitet për ta bartur këtë konsum. KOSTT merret me KEDS dhe KESCO. Tash sa po merret suksesshëm unë nuk e di.” – u shpreh Kurti, në një emision në Kohavision.

    “Transmetimi dhe shërndarja nuk kanë kapacitet që në 5 në mëngjes, kurrë s’ka ndodh, më 25 dhjetor, konsumi të jetë 1 gigaëat. Të gjitha njësitë në Kosovën A dhe Kosovën B mbërrijnë 900 mgë. Peak-u i konsumit është afër 1,5 mgW.” – shtoi më tej Kurti.

    Kurti shtoi se rrjeti është i vjetëruar, “njëri termocentral është mbi 60 vjet, tjetri mbi 40 vjet. Në treg ka energji sepse ne importojmë, mirëpo nuk kemi kapacitete për transmetim që do të furnizonin më rrjetin ekzistues.” – tha ai.

    https://kallxo.com/lajm/reduktimet-e-rrymes-po-vazhdojne-ende-ne-disa-rajone-te-kosoves/