Ballina

Etiketë: Presidenti

  • Presidenca e Kosovës e riparon veturën që i shpëtoi jetën presidentit Rugova nga eksplozivi

    Para 20 vjetësh përdorej nga presidenti Ibrahim Rugova. 20 vjet më vonë, vetura e presidentit historik të Kosovës u pa përsëri në rrugë më 21.01.2025, pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi ta riparojë atë.

    Osmani me këtë veturë udhëtoi për homazhe te varri i presidentit Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

    Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani për KALLXO.com thanë se vetura do të përdoret vetëm për raste solemne dhe do të ruhet në garazhin e Presidencës së Kosovës.

    Riparimi i veturës, që është prodhim amerikan, Zyrës së Presidencës i ka kushtuar 16 mijë e 700 euro. Përveç në pjesët motorike, sikurse servisimi i motorit është riparuar edhe pjesa e jashtme e veturës dhe janë ndërruar xhamat që ishin të thyer.

    Po ashtu është ndërhyrë edhe në pjesën e brendshme të veturës, ku është bërë riparimi i enterierit dhe është ndërhyrë edhe në mekanizmin e ulëseve.

    Pikërisht falë kësaj veture të fuqishme e modifikuar në nivelin më të lartë të blindimit, ish-presidenti Rugova i shpëtoi një atentati.

    Më 15 mars të vitit 2005, teksa eskorta e ish-presidentit Rugova po lëvizte në këtë rrugë që tash quhet “Agim Ramadani” u bë atentat ndaj tij.

    Kur vetura në të cilën ndodhej Rugova erdhi pikërisht në atë vend, ndodhi një shpërthim. Eksplozivi dyshohet se ishte vendosur në disa kontejnerë.

    Rugova i shpëtoi atentatit dhe më pas u takua në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana.

    Vetura e ish-presidentit Rugova e cila u përdor të martën për homazhe nga presidentja Vjosa Osmani, do qëndrojë e ekspozuar në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, deri më 23.01.2025.

    Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundje të rëndë.

  • Trumpi do të fajësohej nëse nuk do të zgjidhej President – thotë Prokurori Special

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të fajësohej për përpjekje ilegale për të përmbytur rezultatin e Zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i humbi, nëse nuk do të rizgjidhej me sukses në vitin 2024 – ka thënë njeriu që i ka prirë hetimit qeveritar amerikan kundër tij – raporton të martën, më 14.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Dëshmitë kundër Trumpit ishin “të mjaftueshme për të siguruar dhe mbrojtur një dënim në gjyq” – ka shkruar prokurori special, Jack Smith, në një Raport që është publikuar pjesërisht.

    Trumpi ia ka kthyer, duke thënë se Smithi është “i marrë” dhe se gjetjet e tij ishin “të rreme”.

    Trumpi ishte akuzuar se u kishte bërë presion zyrtarëve, që ta përmbysnin rezultatin e vitit 2020, duke e ditur se po përhapte rrena për mashtrim zgjedhor dhe se ishte munduar të shfrytëzonte trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitolin Amerikan. Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për keqpërdorim.

    Trumpi, i cili ishte President në kohën e akuzave të supozuara, i kaloi katër vjet pastaj jashtë Presidencës – por do të rizgjidhej suksesshëm për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në Nëntor. Ai do të rikthehet në Presidencë javën e ardhshme.

    Pas suksesit në Zgjedhjet e vitit 2024, çështje të ndryshme legale janë rrëzuar. Edhe rasti i ndërhyrjes tashmë është hedhur poshtë. Smith thotë se i qëndron “plotësisht prapa” gjetjeve që i kishte sjellë gjatë hetimit dhe se mund ta mbronte rastin.

    Ai ka përmendur faktin se vetëm Kushtetuta amerikane ia ka ndaluar hetimin e një Presidenti në detyrë.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Funerali shtetëror për ish-Presidentin Jimmy Carter

    Në shtetin e Xhorxhias, vendlindjen e ish-Presidentit Jimmy Carter po vazhdojnë ceremonitë në nderim të jetës dhe trashëgimisë së tij.

    Gjashtë ditët e funeralit për Presidentin e 39 të Shteteve të Bashkuara filluan të shtunën në Xhorxhia, ku ai vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.

    Këto ditë, dielli shkëlqen ndryshe mbi qytetën Plains të Xhorxhias, për Philip Kurlandin, pronar i një dyqani, ndërsa ai dhe të tjerë në këtë komunitet rural prej 700 vetësh vajtojnë ndarjen nga jeta të banorit të tij më të famshëm, Jimmy Carter.

    “Po shpresonim që të planifikonim festimet për ditëlindjen e tij të 101, por ai do të jetë pranë Rosalynnës, do të jetë në diku larg, më mirë, ndërsa sa jetoi bëri gjithçka që mundi për këtë komunitet dhe për tërë botën”, shprehet Philip Kurland, pronar i dyqanit “Plains Trading Post”.

    Ndërsa për agjentët e shërbimit sekret, që e mbrojtën atë për afro 5 dekada në më shumë se 140 shtete ai njihej me emrin e koduar “Deacon”, (një emër që reflektonte besimin e tij të fortë fetar), Jimmy Carter është më shumë se një ish-President dhe një humanitar për ata që jetuan krah tij në këtë vend, që ai e quajti shtëpi, për një shekull.

    Ndërsa makina e funeralit me trupin e zotit Carter dhe autokolona që e shoqëronte kalonte përmes qytezës Plains, duke shënuar fillimin e 6 ditëve të funeralit shtetëror në nderim të tij, zoti Kurland kujton ndikimin që pati tek ai personalisht, ish-Presidenti. “Ishte heroi im”, thotë ai.

    “Është fillimi dhe fundi”, thotë Jill Stuckey nga Parku Kombëtar Historik “Jimmy Carter”.

    Jill Stuckey është mikeshë e familjes Carter dhe mbikqyrëse e Parku Kombëtar Historik “Jimmy Carter”, që përfshin edhe fermën në pronësi të familjes së tij, në Archer, një prej ndalesave të autokolonës me trupin e zotit Carter. “Një president fillon të planifikojë funeralin e tij një ditë pasi është zgjedhur, kështu që funerali është planifikuar për dekada të tëra”, shprehet zonja Stuckey.

    Një plan që zonja Stuckey dhe të tjerë po e ndjekin plotësisht.

    “Nuk e kam vajtuar akoma. Ka të ngjarë ta bëj kur funerali shtetëror të ketë mbarur”, shprehet Kim Fullerm, mbesa e ish-Presidentit Jimmy Carter.

    Kim Fuller është mbesa e Jimmy Carter, vajza e vëllait të tij të njohur Billy Carter. Ajo është gjithashtu fqinja e tij në qytezën Plains dhe vazhdon trashëgiminë e ish-Presidentit në Kishën Baptiste Maranatha, ku vetë zoti Carter, një i krishterë evangjelist i përkushtuar, jepte mësim në orët e katekizmit, që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në 1981.

    Ndërsa e pranon se aktivitetet e funeralit po e mbajnë të zënë, ajo thotë se ka momente të vështira reflektimi.

    “Në një moment ndjeva shumë trishtim, po i bëjmë të gjitha këto sepse ai ka vdekur, nuk kthehet më. U desh të largohesha për pak. Ka çaste kur më kaplon një trishtim i madh”, thotë Kim Fuller.

    Ndërsa forcat e ushtrisë amerikane mbajnë arkivolin ish-Presdentit Carter të mbuluar me flamurin amerikan, në Qendrën Presidenciale Carter në Atlanta, mijëra vizitorë, si Walter Ramsey kanë mundësinë të nderojnë Presidentin e vetëm nga shteti i Xhorxhias.

    “Nuk e kam jetuar periudhën e Presidencës së tij, por ky funeral na ndihmon të ndjejmë sikur e kemi njohur Jimmy Carterin”, shprehet Walter Ramsey, banor i Atlantas.

    Njerëzit do të kenë mundësi që të bëjnë homazhe në nderim të ish-Presidentit Jimmy Carter në Qendrën Presidenciale Carter deri të martën, ditë kur trupi i tij do të zhvendoset në Kapitolin e shtetit të Xhorxhias, për ceremonitë shtetërore. Trupi i tij do të rikthehet në Xhorxhia në 9 janar, për ceremoni shtetërore dhe private.

    Ish-Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara do të prehet në qytetën Plains./VOA.

  • Ndalen përpjekjet për arrestimin e presidentit pas konfrontimeve në Korenë e Jugut

    Hetuesit jugkoreanë ndalën përpjekjet e tyre për të arrestuar presidentin Yoon Suk Yeol, në Rezidencën e tij, më 03.01.2025, lidhur me shpalljen e gjendjes së luftës – duke u thirrur në shqetësime të sigurisë pas një konfrontimi me ekipin e tij të sigurisë.

    Yoon, i cili veçse është pezulluar nga detyrat e tij të Presidentit pas një votimi të ligjvënësve, do të bëhej Presidenti i parë në detyrë në historinë e Koresë së Jugut, që do të arrestohej nëse do të zbatohej fletarrestimi.

    Presidenti, i cili më 3 dhjetor 2024, njoftoi për shpalljen e gjendjes së luftës – njoftim që tronditi demokracinë e Azisë Lindore dhe për një kohë të shkurtër riktheu në shtet sundimin ushtarak – përballet me shkarkim ose në skenarin më të keq, me dënim me vdekje.

    “Sa i përket ekzekutimit të fletarrestimit sot, u vendos se ekzekutimi do të ishte i pamundur për shkak të përplasjes së vazhdueshme.” – tha përmes një deklarate Zyra për Hetimin e Korrupsionit, që po heton Yoonin lidhur me vendimin e tij për gjendjen e luftës.

    “Shqetësimet për sigurinë e personelit në terren çuan deri te ndalja e vendimit” për përpjekjet për arrestim – u tha në deklaratë, ku u shtua se ka pasur konfrontim me Shërbimin Presidencial të Sigurisë së Yoonit dhe njësisë së tij ushtarake.

    Afati për zbatimin e fletarrestimit është të hënën, teksa Yoon më herët gjatë kësaj jave tha se do të “luftojë” me autoritetet që duan ta marrin atë në pyetje.

    Hetuesit e Zyrës për Hetimin e Korrupsionit, përfshirë prokurorin e lartë, Lee Dae-hwan, më herët u lanë që të kalonin kordonin e sigurisë dhe hynë në Rezidencë, në përpjekje për të zbatuar fletarrestimin për Yoonin.

    Por, ushtarët e Shërbimit Presidencial të Sigurisë më pas u përfshin “në konfrontim me Zyrën për Hetimin e Korrupsionit në Rezidencën presidenciale.” – tha për AFP-në një anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Seulit.

    Shërbimi i Sigurisë së Yoonit, që e mbron ende atë si President i vendit, edhe më herët kishte bllokuar përpjekjet për bastisje policore në Zyrën Presidenciale.

    Presidenti ka injoruar tri thirrje të hetuesve, duke i shtyrë ata që të kërkojnë një fletarrestim.

    Ekipi ligjor i Yoonit ka kritikuar përpjekjet për ekzekutimin e fletarrestimit – duke paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të tjera ligjore kundër kësaj.

    “Ekzekutimi i fletarrestimit, që është ilegal dhe i pavlefshëm, realisht është joligjor.” – tha avokati i Yoonit, Yoon Kap-keun.

    Të premten, prokurorët po ashtu ngrenë akuza ndaj dy zyrtarëve të lartë ushtarakë, përfshirë edhe ndaj njërit që u emërua komandant i gjendjes së luftës, duke i akuzuar për kryengritje – raportoi Yonhap. Që të dy veçse janë në paraburgim.

    Dhjetëra autobusë të Policisë dhe qindra policë janë parë në qendër të Seulit. Afër 2.700 policë u dislokuan në zonë për të ndaluar përleshjet – raportoi Yonhap, pasi mbështetësit e Yoonit u përballën me protestuesit kundër tij një ditë më parë.

    Mediat jugkoreane kanë raportuar se hetuesit dëshironin të arrestonin Yoonin dhe ta dërgonin atë në zyrat e tyre për ta marrë në pyetje.

    Pas kësaj, ai mund të dërgohej në mbajtje për 48 orë. Hetuesit më pas do të duhej të kërkonin një tjetër vendim të Gjykatës, për ta mbajtur atë në paraburgim.

    Yoon, po ashtu, përballet me një seancë të ndarë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të konfirmojë apo do të refuzojë votimin në Parlament, për shkarkimin e Presidentit.

    Në deklarimet e rralla të bëra lidhur me situatën politike në Jug, media shtetërore e Koresë së Veriut tha të premten se Seuli gjendet në një “kaos politik”./REL