Ballina

Etiketë: president i serbise

  • Vuçiq i bën thirrje opozitës të iniciojë referendum, nëse ai duhet të qëndrojë në postin e Presidentit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ftoi më 14 janar përfaqësuesit e opozitës që të kërkojnë mbajtjen e një referendumi këshillues për qëndrimin e tij në këtë post, me qëllim që të përcaktohet mbështetja që ka në mesin e qytetarëve.

    Vuçiq, përmes një videoje të publikuar në Instagram, tha se Qendra Joqeveritare për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) në Beograd kohët e fundit publikoi rezultatet e një sondazhi, sipas të cilit, në një referendum të tillë 52% e qytetarëve do të votonin kundër qëndrimit të tij në këtë funksion.

    “Nëse këto pohime të CRTA-s janë të sakta, për mua është e pamundur të qëndroj në postin e Presidentit të Serbisë. Prandaj, është e nevojshme që partitë opozitare të dorëzojnë vetëm 67 nënshkrime [të deputetëve] – dhe ata kanë më shumë se 80 – për të kërkuar mbajtjen e një referendumi këshillues për Presidentin e Serbisë.” – tha Vuçiq.

    Partia opozitare për Liri dhe Drejtësi shkroi në X se ky “grep i regjimit është një përpjekje për të organizuar një referendum, pa përmbushur kushtet zgjedhore, për të sjellë përsëri votues të rremë dhe për të bërë fushatë të papenguar në të gjitha televizionet që janë nën kontrollin e regjimit”.

    Sipas Ligjit në Serbi një referendum organizohet për të lejuar qytetarët të shprehin mendimin e tyre mbi një aktpropozim, për të konfirmuar një akt të miratuar ose për një çështje me rëndësi të përgjithshme. Ai mund të jetë detyrues ose këshillues.

    Organizata joqeveritare CRTA publikoi më 11 janar rezultatet e një sondazhi të opinionit publik, sipas të cilit, nëse një referendum do të mbahej tani, 52% e qytetarëve do të refuzonin, ndërsa 34% do të shprehnin besim ndaj Presidentit.

    Njëkohësisht, sondazhi tregoi se shumica e qytetarëve në Serbi nuk mendojnë se një referendum këshillues, pra jodetyrues, për besimin ndaj presidentit të Serbisë do të ishte zgjidhja për daljen nga kriza politike – ide kjo që u propozua nga Vuçiq.

    Vuçiq vlerësoi se Serbia është “nën presion të përbashkët dhe të koordinuar nga jashtë dhe brenda në nivel politik”.

    Sipas tij, legjitimiteti është gjëja më e rëndësishme në politikë dhe sovraniteti buron nga vullneti i popullit.

    “Unë do të respektoj çdo vendim që do të merret në referendumin këshillues dhe nëse vendimi është që më shumë se 50%, qoftë edhe për një votë, dëshirojnë që të mos jem President i Serbisë, unë do të jap dorëheqje menjëherë.” – deklaroi Vuçiq.

    Ai tha se është “çështje diskutimi” nëse referendumi këshillues do të mbahej në mars, prill apo maj.

    “Kjo është një mënyrë për ta zgjidhur në mënyrë paqësore krizën e shkaktuar nga abuzimet e pamoralshme të tragjedisë – duke respektuar gjetjet objektive të sondazhit të opinionit publik. Kështu, Serbia hyn në ujëra të qeta.” – shtoi Presidenti./ REL