Ballina

Etiketë: policia e shtetit

  • Vrasja në Shkodër, arrestohen dy të dyshuar – Pamje

    Një 33-vjeçar dyshohet të jetë vrarë në fshatin Dragoç të Shkodrës, më 05.01.2025.

    E vëllai i autorit të vrasjes dyshohet se ndihmoi për të kryer aktin dhe për ta fshehur armën e krimit.

    Policia e Shtetit njoftoi se arrestoi dy vëllezërit gjithashtu në vendbanimin e tyre gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

    Organet e rendit sjellin pamje nga operacioni i koduar “Profili i rremë”, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç, ku u vra me armë zjarri 33-vjeçari.

  • Dyshohet se ishte bashkëpunëtor në një vjedhje, arrestohet 36 vjeçari në Durrës

    36 vjeçari me iniciale A.H është arrestuar nga Policia e Shtetit nën dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor për vjedhjen e një shumë parash dhe bizhuterish, në një banesë, duke përdorur kopje të çelësit të derës.

    Personi në fjalë ishte shpallur në kërkim më datë 14.09.2024, në lidhje me vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish, në një banesë në lagjen nr.18, Durrës.

    Policia e Shtetit njofton se për këtë rast të vjedhjes ishin arrestuar dy persona. Sanitarja në këtë banesë, 33 vjeçarja dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës dhe ua ka dhënë 42-vjeçarit dhe 36-vjeçarit (vëllezër), të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen.

    “Gjithashtu, në shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes”- bënë të ditur Policia e Shtetit.

    Sipas këtyre të fundit, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.

  • Vrasja e 33 vjeçarit në Shkodër u krye për motive të dobëta, arrestohen dy vëllezër

    Për motive të dobëta, e dyshime se viktima mund të kishte ndikuar për prishje të marrdhënieve familjare, janë pretendimet që janë thënë sot në një konferencë për media, disa nga pikat që shtynë vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër ndaj 33 vjeçarit Ramazan Mataj. 

    Policia tashmë ka njoftuar se për ngjarjen tashmë janë vënë në pranga dy persona, vëllezër që dyshohet se njëri kreu vrasjen e tjetri ndihmoi në këtë vepër penale. 

    “Nga hetimet e policisë rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj”- tha në një konferencë për media, Drejtori i Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj.

    Sipas tij,  29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.

    Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve familjare.

    Dy ditë më parë (05.01.2024) 33 vjeçari Ramazan Mataj është vrarë me armë zjarri ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar se tashmë nga hetimet intenstive që janë zhvilluar janë identifikuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit janë arrestuar. 

    Në një konferencë për media, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj, ka njoftuar se kanë zhvilluar një hetim dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, është bërë edhe zbardhja  e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç. 

    Pas ngjarjes që u regjistrua një numër i lartë i personave janë identifikuar dhe janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje në lidhje me rastin. 

    Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.

    Vëllai i të dyshuarit si autor i vrasjes, shtetasi Klisman Hasaj, dyshohet se kishte ndihmuar Arjon Hasajn për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.

    “Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës”- u tha në konferencën për media. 

    Gjithashtu policia njoftoi se Arjon Hasaj, po dyshohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë dërguar shkresat dhe dosjen në prokurori. 

    “Theksojmë faktin se pas ngjarjes së ndodhur, në adresë të DVP Shkodër kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët, për bashkëpunim dhe mbështetje, si dhe informacione, të cilat pavarësisht vlefshmërisë, ishin inkurajuese për punën intensive që Policia kreu për të zbardhur këtë ngjarje me impakt publik”- tha drejtori Lleshaj. 

     

  • Krimi i organizuar ka implikuar nivelet drejtuese të Policisë shqiptare

    Arrestimi i një grupi oficerësh të lartë të Policisë së Shtetit gjatë dy viteve të fundit si pjesë e hetimeve të SKY ECC reflekton sipas ekspertëve nivelin e depërtimit të krimit të organizuar në radhët e policisë, po aq sa problemet sistemike të korrupsionit dhe ndikimit politik. Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.

    Policia e Shtetit në Shqipëri përmbylli një cikël të ri ndryshimesh në dhjetor (2024), duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe deri tek shefat e komisariateve të vendit. Ndryshimi i të gjithë zinxhirit drejtues u motivua publikisht me nevojën për të përmirësuar imazhin e policisë, po aq sa për të rritur parametrat e sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër krimit.

    Kjo është një betejë e vjetër për Policinë shqiptare, imazhi i së cilës u dëmtua edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit nga arrestimi i një duzine oficerësh të lartë, të cilët akuzohen se u vendosën në shërbim të rrjeteve të krimit të organizuar.

    Niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat e Policisë së Shtetit doli në sipërfaqe përmes komunikimeve të aplikacionit Sky ECC, të cilat iniciuan disa operacione dhe hetime të Prokurorisë së Posaçme.

    Sipas Adriatik Agos, ish-drejtues i strukturave të policisë dhe ekspert për sigurinë, këto komunikime ekspozuan implikimin në nivele të larta të Policisë së Shtetit.

    “Panoramat e reja, të dhënat inkriminuese që sollën këto platforma të komunikimeve elektronike vërtet janë të dhimbshme, kur dëgjon për nivele të larta, për funksione menaxheriale që janë të implikuar. Nga rastet e hetimeve të SPAK-ut, është mëse e qartë që nivele të larta apo funksione të veçanta si në nivelet vendore, ashtu edhe në nivele qëndrore janë të implikuar” – tha Ago.

    Mes zyrtarëve të arrestuar, ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri akuzohet për rrjedhje të informacioneve sekrete për llogari të rrjeteve të krimit të organizuar, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri akuzohet për lejimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë.

    Drejtues të tjerë policie akuzohen se u përfshinë drejtpërdrejt në planet për të eliminuar rivalët apo në kultivimin e kanabisit gjatë viteve 2019-2021.

    Drejtuesit e institucioneve që kontrollojnë integritetin e efektivëve të policisë në Shqipëri i quajnë rastet të izoluara, ndërsa pohojnë se kanë ngritur një sërë filtrash për vetëpastrimin e radhëve të uniformave blu.

    “Nuk bëhet fjalë për një numër shumë të madh për hir të së vërtetës, janë raste sporadike dhe të izoluara po sigurisht që meritojnë vëmendjen jo vetëm të Prokurorisë së Posaçme, por sigurisht edhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore” – thotë drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

    “Për vitin 2024 ne kemi një sërë rezultatesh në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm pastrimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga elementë të inkriminuar dhe që turpërojnë uniformën e Policisë së Shtetit” – shtoi ai.

    Vetëm gjatë vitit të fundit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore raporton se ka bërë 272 referime penale për 425 punonjës policie të dyshuar për shkelje të rënda disiplinore që lidhen kryesisht me vepra të shpërdorimin e detyrës, korrupsionin apo ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.

    Edhe kreu i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu thotë se janë marrë të gjitha masat që sistemi të vetëpastrohet përmes testeve të integritetit dhe procedimeve disiplinore.

    “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash dhe po aplikon një sërë detyrash për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit. Ato orientohen drejt dhe qartë mbi detyrimet që rrjedhin mbi planin e integritetit të Ministrit të Brendshëm… ku ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në strukturat e policisë, promovimin e transparencës, rritjen e profesionalizmit, rritjen e besimit dhe forcimi i mekanizmit të kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit” – thotë Ziu.

    Megjithatë, ekspertët e sigurisë i shohin me dyshim masat antikorrupsion në radhët e Policisë Shqiptare.

    “Nuk ka besim Policia te masat antikorrupsion që janë duke u marrë, për assye sepse punonjësit e Policisë nuk shohin ndonjë shembull pozitiv tek drejtuesit e tyre në nivel vendor apo kombëtar dhe pak a shumë edhe me shifra, në një masë shumë të konsiderueshme, strukturat më të korruptuara janë nivelet drejtuese dhe zyrtarët e lartë të policisë në nivel vendor apo kombëtar” – shpjegon Sotiraq Hroni, drejtor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim me qendër në Tiranë.

    Hroni thekson se faktori kryesor që ndikon në inkriminimin e policisë së Shtetit lidhet me korrupsionin e gjithëpërhapur në shoqërinë shqiptare. Një rol qëndror negativ duket se luan edhe ndikimi i politikës.

    “Në masën 74% punonjësit e policisë mendojnë se një nga faktorët kryesorë, ndër më të rëndësishmit në fakt, për nivelin e inkriminimit është edhe ndikimi i politikës” – theksoi ai.

    Faktorë të tjerë lidhen sipas tij me procesin e rekrutimit, kulturën e punës apo mungesën e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit./VoA

  • 47-vjeçari shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm arrestohet në Greqi

    Një 47 vjeçar shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar më 03.01.2025, në Athinë.

    Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, për arrestimin e tij është zhvilluar operacion i përbashkët me Policinë e Greqisë.

    “Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’ – duke arrestuar këtë shtetas.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    Ndërsa, është bërë e ditur se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.