Ballina

Etiketë: policia e shtetit

  • Gjirokastër, 17 të arrestuar për shitje të narkotikëve

    Në Gjirokastër 17 persona janë arrestuar nën dyshimin për shitje të lëndëve narkotike.

    Sipas Policisë, për dhjetë prej tyre është caktuar masa e arrestit në burg ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

    Arrestimi i të dyshuarve, sipas Policisë, është faza e tretë e operacionit antidrogë të koduar me emrin “Andromeda”.

    “Operacioni, si rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

  • Fier, Policia zbulon lokalin ku organizoheshin lojërat e fatit

    Policia e Shtetit ka arritur që përmes rrugëve të saj operative të zbulojë në Fier një objekt brenda të cilit organizoheshin lojërat e palejuara me ligje në Shqipëri.

    Dy persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast ndërsa 2 të tjerë do të ndiqen për vepër penale.

    Sipas policisë, njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me njësinë për  Mbështetjen Operacionale të Hetimit në Fier, kanë evidentuar një rast të vënies së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over 2”.

    Në këtë lokal janë sekuestruar tre aparate celulare në të cilët u gjetën faqe të basteve sportive me shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro dhe biseda për vendosjen e llotove sportive.

    Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 31 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Fier, si edhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. M., 41 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe.

    Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara nga shërbimet e Policisë,  shtetasit e arrestuar u kapën në flagrancë, në lokalin në pronësi të shtetases M. M. dhe djalit të saj A. M., në lagjen “11 Janari”, Fier, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

  • Tiranë, arrestohet një 21-vjeçar, dyshohet se në mënyrë të përsëritur vodhi aksesorë e pjesë të një veture

    Policia e Shtetit ka arrestuar një 21-vjeçar L.Gj., në Tiranë, nën dyshimet se i njëjti në mënyrë të përsëritur vodhi aksesorë e pjesë të një veture.

    Këto veprime sipas Policisë u kryen në periudha të ndryshme por te e njëjta veturë.

    Pas arrestimit u bë edhe kontrollimi në banesën e të njëjtit, ku edhe policia më pas gjeti një armë zjarri pistoletë me mulli.

    Në vendbanimin e të dyshuarit u gjetën dhe pjesët e vjedhura në automjet.

    “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas kryente vjedhje, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin të koduar “Përsëritësi” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit L.Gj, 21 vjeç, banues në Laç”-thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Materialet procedurale të policisë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore.

  • Bora në malin e Tomorit, Policia ndihmon familjen që mbeti e bllokuar në rrugë – Pamje

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Shqipëri kanë arritur t’i dalin në ndihmë një familje, e cila kishte mbetur e bllokuar në rrugën për në malin e Tomorit.

    Për shkak të reshjeve të dendura të borës, vetura me të cilën lëvizte familja 5-anëtarëshe kishte mbetur në rrugë.

    “Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma – duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit, që ndodheshin në veturën e bllokuar.

    Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë apeluar për të gjithë drejtuesit e mjeteve nëse udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin zinxhira dhe goma dimërore, të përshtasin shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

    Ata kanë bërë të ditur se borëpastrueset po vijojnë punën në këtë aks rrugor për pastrimin e rrugës.

     

     

     

  • Policia e Shtetit parandalon një rast të kontrabandës me mallra nga Shqipëria në Kosovë

    Policia e Shtetit ka parandaluar një rast të tentativës për të kontrabanduar mallra nga Shqipëria në Kosovë, nëpërmjet kufirit të gjelbër më 11.01.2025 në Qafë Prush.

    Sipas një komunikate për media, Policia ka arrestuar një person që transportonte mallrat, si dhe të njëjtit i janë sekuestruar mallrat dhe automjeti.

    “Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush, në bazë të analizës së riskut, kanë vijuar kontrollet për të konstatuar dhe goditur paligjshmëritë në këtë pikë kufitare. Në këtë kuadër, janë kryer kontrolle në automjetin kamionçinë me drejtues shtetasin B. Gj”- thuhet në komunikatë.

    Në njoftim bëhet e ditur se, gjatë kontrollit në këtë automjet, Policia ka gjetur mallra ushqimore pa dokumentacion, të cilat i dyshuari po tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, nëpërmjet kufirit të gjelbër.

    “Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVKM Kukës arrestoi në flagrancë shtetasin B. Gj., 46 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”- theksohet në njoftim.

    Policia thotë se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.