Ballina

Etiketë: Policia e Kosoves

  • Inspektorati Policor i Kosovës po inspekton tenderë e kontrata në Policinë e Kosovës

    Pesë raporte të inspektimit janë ende në proces nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës të cilët janë duke kryer dhe vlerësuar në Policinë e Kosovës.

    Në disa përgjigje për KALLXO.com në lidhje me punën aktuale të IPK-së në drejtim të tenderëve, kontratave e trajtimin e aksidenteve, Inspektorati ka thënë se tashmë janë në proces këto vlerësime ndërsa në javët në vijim do të jenë edhe raportet përfundimtare.

    Aktualisht Inspektorati Policor i Kosovës po inspekton menaxhimin e prokurimit dhe kontratave në Policinë e Kosovës, trajtimin e aksidenteve të trafikut, po vlerësim procesin e prokurimit për blerjen e mjeteve të blinduara, praktikat patrulluese dhe të ndaljes së mjeteve si dhe punësimin jashtë detyrës zyrtare të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Në anën tjetër IPK në përgjigjet drejtuar KALLXO.com ka thënë se tashmë kanë përfunduar shtatë raporte të inspektimit të cilat i kanë kryer gjatë javëve e muajve të kaluar gjatë vitit 2024.

    Një nga to është edhe vlerësimi i kapaciteteve dhe aktiviteteve operative në stacione policore, vlerësimi i procesit të gradimit për rreshter, vlerësimi i trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë, vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Prishtinë Qendër, respektimi i ligjshmërisë gjatë konfiskimit të automjeteve në trafik, trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës, përdorimi i kamerave të trupit dhe administrimi i provave digjitale.

    Në lidhje me inspektimin për procesin e gradimit për rreshter, nisja e kësaj procedure ishte bërë me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit. Kërkesa për inspektim kishte ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.

    Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura.

    Inspektorati Policor i Kosovës më 08.08.2024 kishte thënë se gjetjet e këtij inspektimi ishin anë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin ekzekutiv, drejtues dhe atë administrativ.

    IPK në kuadër të Raportit kishte dhënë tetë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të  harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policor me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike, përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim, etj.

    Policia e Kosovës kishte anuluar më 09.08.2024 konkursin për gradim për gradën rreshter, konkurs i cili ishte shpallur më 12.02.2024. Policia kishte njoftuar se ky konkurs u anulua bazuar në rekomandimet e IPK-së.

    “Bazuar në gjetjet e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja”- thuhet në komunikatë.

    Në këtë komunikatë gjithashtu thuhej se, PK do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike, që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur.

    “Policia e Kosovës është organizatë transparente, llogaridhënëse dhe çdo gjë që mund të dëmtojë reputacionin apo të krijojë mosbesim të policëve e të publikut, do të punojë që ta ruajë  dhe ta ngritë edhe më tej besueshmërinë e zyrtarëve të saj dhe publikut, duke ofruar transparencë, monitorim të procesit nga partnerë të jashtëm dhe mbikëqyrje të të gjitha proceseve”- thuhet tutje në komunikatën e PK-së.

    Konkursi ishte hapur për 350 pozita të lira për gradën rreshter.

     

     

     

     

     

     

  • Rrahje në Pejë, 10 persona marrin trajtim mjekësor

    Dhjetë persona kanë marrë trajtim mjekësorë pasi janë përfshirë në një rrahje që është regjistruar më 03.01.2025 në rrugën “Shaban Bajraktari” në Pejë.

    Policia ka njoftuar se katër të dyshuar, tre burra dhe një grua kanë sulmuar fizikisht gjashtë persona të tjerë.

    Si pasojë e sulmit fizik lëndime trupore të rënda kanë pësuar të gjithë të përfshirë në këtë ngjarje.

    Të njëjtit janë dërguar edhe në spital për të marrë trajtim mjekësorë.

    Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit dy janë dërguar në mbajtje, ndërsa një grua e dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

    Një nga të dyshuarit sipas policisë vazhdon të jetë në kërkim nga organet e rendit ndërsa rasti po vazhdon të hetohet pasi është iniciuar si lëndim i rëndë trupor.

  • Të shtëna armësh në një aheng familjar, arrestohet një person në Vitomiricë

    Të shtëna armësh janë regjistruar në orët e paradites së datës 03.01.2025 në fshatin Katuni i Ri në Vitomiricë.

    Policia ka njoftuar se kanë marrë informacione për të shtëna zjarri gjatë një ahengu familjar.

    Me të marrë informatën, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë shiqimin e vendit ku është regjistruar rasti.

    Në cilësi të provave janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja të kalibrit 9 milimetër.

    Ai që dyshohet se gjuajti me armë zjarri është identifikuar e që i njëjti më pas e ka pranuar veprën.

    Arma e përdorur është konfiskuar dhe sipas policisë ka qenë pa leje.

    I dyshuari është dërguar edhe për intervistim ndërsa me vendim të prokurorit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti është iniciuar si armëmbajtje pa leje si dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

  • Deçan, i mituri vodhi 9 mijë euro nga gjyshja e tij, me gjysmën e parave bleu dy armë

    9 mijë euro dyshohet se një i mituri i vodhi nga gjyshja e tij me qëllimin që me gjysmën e tyre të blej dy armë dhe dy karikatorë.

    Ngjarja u regjistrua në fshatin Lebushë në Deçan më 02.01.2024.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari i mitur në shtëpinë e gjyshes së tij kishte vjedhur 9 mijë euro para të gatshme.

    Nga totali i parave të vjedhura, 4 mijë euro i mituri dyshohet se ua dha dy shokëve të tij të mitur për t’i blerë dy armë/ pistoleta dhe dy karikatorë me dy fishekë.

    Njësitet policore kanë arritur që të trajtojnë rastin dhe të konfiskojnë edhe armët e blera nga i dyshuari.

    Të tre personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ngjarja po vazhdon të trajtohet edhe më tutje nga hetuesit policor pasi tashmë ka edhe rast të hapur për vjedhje, armëmbajtje pa leje si dhe detyrim.

  • Policia jep detaje për plagosjen në Lagjen Arbëria

    Një person është plagosur mbrëmë më 03.01.2025 rreth orës 18:30 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

    Policia ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen që ndodhi ndërsa ka njoftuar edhe se i dyshuari ndonëse është identifikuar vazhdon të jetë në kërkim nga njësitet policore.

    Viktima në këtë rast për të cilin KALLXO.com kishte marrë vesh se ka inicialet F.J, sipas policisë është plagosur në shpinë me armë zjarri.

    Sh.H., sipas policisë dyshohet se ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Pas marrjes së informacionit se në Lagjen Arbëria ka të shtëna armësh, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Aty kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa mjeku kujdestar Adem Jaha, i ka thënë KALLXO.com se nga salla operative ishte dërguar në kujdes intensiv duke shtuar se pacienti ka qenë në rrezik për jetë.

    Në anën tjetër zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se përvec të dyshuarit, janë identifikuar edhe dy vetura të cilat u përkasin të përfshirëve në plagosjen që ndodhi në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

    Rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.