Ballina

Etiketë: Policia e Kosoves

  • Rruga se si arriti Policia deri te zollat dhe terrorizmi në Bregun e Diellit

    Një rast i dhunës në familje për të cilin kishte marrë informacion Stacioni Policor – Qendra në Prishtinë doli më pas edhe me një rast tjetër, që kalon te terrorizmi.

    B.D. është arrestuar mbrëmë nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje”, “posedim i narkotikëve” e “përgatitje e veprave terroriste”.

    KALLXO.com mëson nga burimet e saj se Stacioni Policor – Qendra në Prishtinë fillimisht kishte pranuar një informatë për një rast të dhunës në familje.

    Më pas një njësi e reagimit ishte dërguar në vendin e ngjarjes në Breg të Diellit. Ngjarja u trajtua menjëherë, ndërsa ekipi reagues i Policisë kishte kërkuar të hyjë brenda në banesë për të vërtetuar informatën. Me lejen e personit të dyshuar kanë hyrë brenda dhe kanë hasur në një sasi të lëndës narkotike, të dyshuar marihuanë, e vendosur në një tavolinë.

    Më pas kanë kryer edhe një kontrolle sipërfaqësore, gjatë së cilës kanë hasur në pajisje, municion dhe armë të tipit zolla.

    Menjëherë pasi u identifikuan këto armë, u thirr edhe Drejtoria e Anti-terrorit për të trajtuar rastin.

    Policia arriti që në banesën e të dyshuarit B.D., të gjejë dhe sekuestrojë tri zolla, gjashtë fishekë special, pesë fishekë të tjerë dhe substancë e dyshuar narkotike, që dyshohet se është marihuanë, me peshë 269.3 gram, peshore elektronike, një USB, grinder, një telefon dhe dy mbështjellëse të zollave.

    Më këtë rast po merret tashmë edhe Prokuroria Speciale. Deri më tani nga informacionet që ka KALLXO.com Prokuroria nuk ka pranuar ende kallëzimin penal ndaj të dyshuarit, për të vazhduar më pas me procedurat e tjera.

    Pas arrestimit dhe bastisjes, Prokurorja ka vendosur që të dyshuarin ta dërgojë fillimisht në mbajtje për 48 orë.

  • Sekuestrohen pajisje kompjuterike dhe dokumente në objektin ilegal në Veri

    Në lidhje me mbylljen e Zyrës ku ka funksionuar ilegalisht Sigurimi DUNAV (Osiguranje) në Veri, një person është shoqëruar në Stacion policor.

    Ai dyshohet për veprën penale: “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.

    Sipas Policisë gjatë bastisjes së këtij objekti janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe dokumente.

    “Në konsultim me Prokurorin është bërë bastisja në një lokacion ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: dy shtëpiza kompjuterike, një laptop, një vulë, dokumente të ndryshme etj. Pas përfundimit të kontrollit një lokal është mbyllur dhe me vendim të Prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës, të lëshuar më 09.01.2025.

    Policia e Kosovës ka mbyllur Zyrën ku ka funksionuar Sigurimi DUNAV (Osiguranje), më 08.01.2025. Ky objekt ka funksionuar ilegalisht në Mitrovicën e Veriut.

    Sipas zëvëndësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani është hapur rast në Prokurori për “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

    https://kallxo.com/lajm/mbyllet-nje-tjeter-objekt-ilegal-ne-veri-hapet-rast-per-keqperdorim-te-autorizimeve-ekonomike/

     

  • Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve në Policinë e Kosovës.

    Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Pejë e Gjakovë.

    Në Prishtinë është raportuar se një burrë i ka shkaktuar dhunë psiqike një gruaje pas një mosmarrëveshjeje.

    “Me vendim të Prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në njoftim.

    Në Kryeqytet është raportuar edhe për një rast tjetër, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj një gruaje.

    “Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme.” – bën të ditur Policia e Kosovës.

    Ndërsa në Pejë një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje.

    Ndërkohë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka tentuar të godasë një burrë tjetër.

    “Lidhur me rastin me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.” – thuhet në Raport.

    Rasti ka ndodhur në Gjakovë.

  • Mbyllja e Zyrës ilegale në Veri, intervistohet një i dyshuar për falsifikim dokumentesh

    Në lidhje me objektin ilegal që funksiononte si ‘Administratë Tatimore’ ilegale në Mitrovicë të Veriut, një person është shoqëruar në Stacionin policor.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes Raportit ditor më 09.01.2025, në të cilin theksohet se pas intervistimit me urdhër të Prokurorit ky person është liruar në procedurë të rregullt.

    “Objekti është mbyllur, ndërsa dokumentet janë sekuestruar deri në një vendim tjetër të Prokurorit.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raporuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si ‘Administratë Tatimore’.

    Partia Lista Serbe ka reaguar në lidhje me mbylljen e institucionit paralel në Mitrovicë të Veriut.

    Mbylljen e objektit që ka funksionuar si ‘Zyrë Tatimore’ nga Serbia, këta të fundit e kanë cilësuar si fushatë parazgjedhore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura ‘Administrata Tatimore’.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

  • Skenderaj – Arrestohet i dyshuari që publikoi foto me armë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në fshatin Lubavec të Skenderajt, pasi që i njëjti kishte postuar një fotografi me armë në rrjetet sociale – sipas Raportit 24-orësh të Policisë.

    I dyshuari me pas ka dorëzuar në Polici armën së bashku me një karikator dhe pesë fishekë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në rrjete sociale kishte postuar një foto me pistoletë. Lidhur me rastin personi i dyshuar e ka dorëzuar armën së bashku me një karikator dhe pesë fishekë.” – thuhet në Raportin e Policisë.

    Ndërsa, pas intervistimit me vendim të Prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 15:10, më 08.01.2025.

    Policia këtë rast e ka klasifikuar si vepër penale: “armëmbajtje pa leje”.