Ballina

Etiketë: Policia e Kosoves

  • Aksion i Policisë në katër Komuna

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, në orët e hershme të mëngjesit, më 15.01.2025, ka nisur një operacion policor në disa rajone të Kosovës.

    Operacioni i Policisë po zhvillohet në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

    Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

    “Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshin disa rajone të Kosovës, si: DRP – Prishtinë, DRP – Gjilan, DRP – Gjakovë dhe DRP – Mitrovicë Jugu.” – ka thënë Kelani.

    Ai ka shtuar se pas përfundimit të operacionit policor do të bëhen të ditura informacionet shtesë.

  • Policia në Vushtrri konfiskon dy armë, në dy raste të ndryshme – FOTO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar dy armë në dy raste të ndryshme në Vushtrri, brenda 24 orëve.

    Sipas një komunikate për media, në rastin e parë Policia ka arrestuar një person në gjendje të dehur në rrugën “Ana Lin”, gjatë kontrollit të së cilit organet e rendit i kanë gjetur në posedim një pistoletë me katër fishekë.

    Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

    Në rastin e dytë, Policia thotë se në rrugën “Ahmet Selaci” ka arrestuar një person të dyshuar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë – pistoletë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Në komunikatë bëhet e ditur se, ndaj dy të dyshuarve janë iniciuar raste për veprën penale: “mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”.

  • Gjendet i vdekur 26-vjeçari i cili ishte zhdukur që nga dhjetori

    26-vjeçari i raportuar si “i zhdukur” që nga 24.12.2024 është gjetur i vdekur në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës në fshatin Rugovë.

    Për KALLXO.com, kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi. Ai tha se trupin e viktimës e kishte vërejtur një qytetar.

    “Më 14.01.2025, rreth orës 08:20, Policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Me të marrë këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur një trup të pajetë.” – tha Gashi për KALLXO.com.

    Policia e ka identifikuar viktimën përmes dokumentacionit personal, të gjetur në rrobat e tij.

    “Pas kontrollimit të viktimës nga njësitet përkatëse, në rrobat e viktimës është gjetur dokumentacion personal, në emër të Arban HISARI, DL. 05.06.1998, si dhe rrobat të cilat i kishte viktima. Ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar “i zhdukur” nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajetë është i viktimës së lartcekur.” – shtoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi.

    Për rastin është informuar edhe Prokurori i Shtetit.

    Policia e Kosovës kishte njoftuar se kërkimet për 26-vjeçarin kishin filluar që nga data 25.12.2024.

    Më 10.01.2025, FSK-ja njoftoi se ka angazhuar ekipe të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkimshpëtimit malor dhe ujor në kërkim të 26-vjeçarit.

    https://kallxo.com/lajm/fillojne-kerkimet-ne-lumin-drini-i-bardh-per-nje-person-te-zhdukur/

  • Dy persona janë gjetur të vdekur në banesat e tyre në Prishtinë – Policia po i heton rastet

    Policia ka njoftuar se është duke i hetuar dy raste të vdekjeve, të cilat janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit.

    Dy personat, një mashkull dhe një femër, janë gjetur pa shenja jete në banesat e tyre respektive në Prishtinë.

    “Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.” – bëri të ditur Policia, më 14.01.2025.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Policia njofton se rasti është duke u hetuar.

    Organet e rendit kanë njoftuar se janë duke hetuar edhe vdekjen e një burri në Prishtinë. I njëjti, po ashtu, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

    Në Raportin policor thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe njësia e Emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

     

  • Është raportuar e zhdukur që nga nëntori, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 25-vjeçares (FOTO)

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion për vendndodhjen e qytetares Arianita Gajtani, e cila është raportuar e zhdukur nga data 20.11.2024.

    Sipas njoftimit të Policisë, Gajtani është banuese në Lipjan dhe që nga koha kur është raportuar “e zhdukur” Policia ka ndërmarrë një varg veprimesh.

    Policia ka bërë intervistime të personave të cilët mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së Gajtanit, kontrollimin e hyrjeve-daljeve në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që ajo i kishte frekuentuar zakonisht – ambiente të mbyllura e të hapura, analizimin dhe hetimin e çdo lloj informacioni që lidhet me të.

    “Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar. Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato Policisë përmes numrit 192.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 14.01.2025.