Ballina

Etiketë: Policia e Kosoves

  • Përleshje mes tre të miturve në Gjilan – theret njëri

    Tre të mitur pas një mosmarrëveshjeje janë përleshur në mes vete. Sipas Policisë së Kosovës, kjo ka çuar deri në therje me një mjet të ftohtë të një personi.

    Në Raportin 24-orësh thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Rasti ka ndodhur në Gjilan më 16.01.2025, rreth orës 12:00.

  • Policia: Vjedhje në dy restorante në Jezerc të Ferizajit

    Katër persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer dy raste të vjedhjeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në fshatin Jezerc të Ferizajit.

    Policia mëson se 21-vjeçari M.G., 22-vjeçari L.B., 33-vjeçari XH.G. dhe 32-vjeçari G.H., me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror kishin depërtuar me forcë në dy restorante, duke vjedhur gjësende të ndryshme.

    “Në restorantin e parë janë vjedhur tre televizorë dhe tre të tjerë janë dëmtuar (vlera rreth 6,000 euro). Arka fiskale, një monitor dhe kabllo elektrike (vlera rreth 8,000 euro). Është dëmtuar gjithashtu edhe dera e hyrjes. Në restorantin e dytë janë vjedhur një gjenerator elektrik (vlera rreth 1,400 euro), disa shishe alkoolike të ndryshme, vlera nuk dihet.” – bën të ditur Policia e Kosovës.

    Më 15.01.2025, Policia thotë se ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë këta katër persona të dyshuar. Sipas Policisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

    “Sendet e vjedhura janë sekuestruar përkohësisht nga Policia.” – thuhet në njoftim.

  • Policia pajiset me kartela xhepi për trajtimin e rasteve që përfshijnë personat me aftësi të kufizuara

    Zyrtarët policorë janë pajisur me kartela xhepi, për qasje cilësore ndaj personave me aftësi të kufizuara.

    Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës. Policia thotë se më 15.01.2025, përmes një ceremonie të veçantë i ka pranuar 8,000 kartela xhepi nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

    Kartelat janë ndarë në dy gjuhët zyrtare: shqip dhe serbisht, si dhe në gjuhën angleze – njofton Policia.

    “Kartelat janë ndarë në gjuhën shqipe (7000), serbe (1000) dhe angleze (40), të cilat do të shpërndahen te zyrtarët hetues, sektorial dhe reagues e do të (lehtësojnë) punën e PK-së në përmirësimin e shërbimeve ndaj komunitetit.” – ka njoftuar Policia, më 16.01.2025.

    Policia e Kosovës e sheh si hap të rëndësishëm këtë mundësi, për trajtimin e personave me aftësi të kufizuara nga ana e tyre.

    “(Kartelat) do të ndihmojnë zyrtarët policorë në trajtimin profesional të rasteve, që përfshijnë këtë kategori qytetarësh. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit me OSBE-në – duke forcuar përkushtimin e PK-së për profesionalizëm dhe gjithëpërfshirje në shërbimet ndaj qytetarëve.” – ka theksuar Policia.

  • ‘Polici i Lagjes’ – largohet një Deponi ilegale në Mitrovicë të Veriut

    Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me banorë të lagjes, kanë identifikuar një deponi ilegale që kishte shqetësuar banorët e zonës.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, më 15.01.2025, ku theksohet se iniciativa për ta larguar është marrë në kuadër të detyrave të përcaktuara për Policët e Lagjes, që përfshijnë identifikimin dhe adresimin e problemeve të komunitetit.

    “Me angazhim dhe me bashkëpunim të ngushtë me komunitetin dhe institucionet relevante është ndërmarrë një aksion për pastrimin e kësaj Deponie. Ky veprim synon përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt.” – thuhet në njoftim.

    Policia e Komunitetit apelon qytetarët që të raportojnë çdo shqetësim, që ndikon në cilësinë e jetesës në lagjet e tyre.

    Në nëntor, KALLXO.com pati raportuar se secila pjesë në Komunat veriore do ta ketë policin e vet, për të raportuar çdo shqetësim.

    Policia kanë bërë të ditur se në Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq do të ketë policë të Sektorit (që përbën disa lagje), ku banorët e Sektorit përkatës do të kenë mundësi të raportojnë secilin rast te Polici i tyre.

    https://kallxo.com/lajm/polici-i-lagjes-secila-pjese-ne-komunat-veriore-do-ta-kete-policin-e-vet-per-te-raportuar-cdo-shqetesim/

  • Prokuroria e Mitrovicës pret kërkesën e Policisë për bastisjet në rajonin e Mitrovicës

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për KALLXO.com se për bastisjet në objektet e strukturave paralele në rajonin e Mitrovicës, Prokuroria e Mitrovicës vetëm është informuar nga Policia, teksa kërkesë zyrtare nuk ka pasur.

    Ai shtoi se kërkesa pritet të bëhet ndërkohë.

    “Prokurori kujdestar vetëm është njoftuar nga Policia, por kërkesë nuk ka pasur. Pritet që kërkesa të bëhet e pastaj të vendoset më tutje.” – tha Preteni për KALLXO.com.

    Po ashtu KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje – jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

    Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    https://kallxo.com/lajm/aksion-i-policise-ne-kater-komuna/