Ballina

Etiketë: Policia e Kosoves

  • Ibishi: LDK nuk e përkrah kthimin e policëve serbë me marrëveshje politike

    Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, në emisionin “Debat Përnime”, më 18.01.2025, ka folur për çështjen e largimit të policëve serbë në vitin 2022 nga Policia e Kosovës. Me këtë rast, ai ka paraqitur edhe propozimin e LDK-së lidhur me këtë rast.

    LDK, sipas tij, nuk e përkrah ndonjë marrëveshje politike për kthimin e të dorëhequrve serbë në Policinë e Kosovës, mirëpo e sheh të udhës hapjen e konkurseve të reja për pranimin e policëve nga radhët e këtij komuniteti.

    “Nuk jemi përkrahës të marrëveshjeve politike [për këtë gjë]. Ata mund të konkurrojnë edhe pse është e kufizuar mosha. Ata që i kanë deri në 29 vjet mund të aplikojnë si pjesëtarë të ri, nëse s’kanë qenë të implikuar, por jo me një marrëveshje politike”- tha Ibishi.

    Sipas tij, “zyrtarët policorë të komunitetet serb e kanë lëshuar detyrën me urdhëresë të Beogradit”.

    Mirëpo, përkundër kësaj, siç thotë ai, LDK është për një qasje më ndryshe.

    Sipas Ibishit, sovraniteti nuk fitohet vetëm me forcë, por edhe me integrim.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/lagje-per-ushtaraket-njesi-te-helikoptereve-dhe-smart-defence-zotimet-e-ldk-se-per-mbrojtjen/

  • Parandalohet një rast i kontrabandimit me mallra në Ranillug

    Dogana e Kosovës dhe Policia ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në Ranillug.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë gjetur mallra si: pije alkoolike dhe mallra të tjera ushqimore.

    Ndërsa thuhet se për mallin pronari nuk kishte dokumente mbi prejardhjen.

    “Dyshohet se malli ishte futur kontrabandë përmes rrugëve malore nga Serbia në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 18.01.2025.

    Po ashtu, është bërë e ditur se mallrat janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme.

    Rasti është duke u trajtuar nga njësitet e Doganës së Kosovës.

  • Vetaksident në fshatin Vojtesh të Mitrovicës, lëndohet një person

    Një person është lënduar si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur sot me 18.01.2025, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, përkatësishtë në fshatin Vojtesh.

    Këtë e ka konfimuar për KALLXO.com zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Vetaksident i shkaktuar në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë vendi i quajtur Vojtesh. Si pasojë e vetëaksidentit lëndime ka pësuar shoferi i kamionit”- ka thënë Zahiti.

  • Një ndërtesë banimi përfshihet nga zjarri në Ferizaj, Policia thotë se ka dëme të konsiderueshme

    Një ndërtesë banimi në Ferizaj është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm me 18.01.2025 rreth orës 01:10.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka evakuuar të gjithë banorët dhe se përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, persona të lënduar nuk ka.

    Zjarrfikësit, sipas Policisë, kanë dalë me kohë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që ta lokalizojnë zjarrin.

    “Lidhur me rastin, prokurori i shtetit është njoftuar dhe nën autorizimin e tij, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit” – ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.

  • Raportohen tre raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar 24 raste të dhunës në familje. Dy raste janë raportuar në Gjakovë dhe një rast tjetër në Mitrovicë.

    Në Gjakovë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga i dyshuari me të cilin bashkëjeton. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Në një rast tjetër po ashtu në Gjakovë, është arrestuar një person, pasi që ka sulmuar fizikisht një grua me të cilën bashkëjeton. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Ndërsa në një rast në Mitrovicë, është arrestuar një person, pasi që kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij, e cila ka pranuar tretman mjekësor. Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit palët janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.