Ballina

Etiketë: Policia e Kosoves

  • Një nënë në Mitrovicë pretendon se djali i saj po keqtrajtohet në shkollë, rasti po trajtohet nga Policia

    Nëna e një nxënësi të mitur të një shkolle fillore në Mitrovicë pretendon se djali i saj po rrahet, shantazhohet, ofendohet, kërcënohet me armë të ftohta nga nxënësit tjerë të shkollës.

    Pretendimet e saj, ajo i ka publikuar në një profil në Facebook të premten, më 31.01.2025.

    Ajo ka treguar se është nënë vetushqyese dhe se këto shqetësime për djalin e saj i ka ngritur te drejtori i shkollës, kujdestarja e klasës dhe te prindërit e fëmijëve që pretendon se po shkaktojnë dhunë ndaj tij.

    Prindi së bashku me djalin e saj të mitur thotë se është paraqitur në Policinë e Mitrovicës, më 31.01.2025, për këtë rast.

    Ajo pretendon se kujdestarja e klasës ku mëson djali i saj është në dijeni për rastin dhe se ka marrë masë ndëshkuese ndaj të miturit duke e larguar nga klasa.

    Më tej, prindi thotë se djalin e saj e kanë kaluar në një klasë paralele tjetër, dhe sipas saj, një fëmijë “problematik” dhe të tjerë kanë shkuar në atë paralele dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se në orët e pasditës më 31.01.2025 kanë pranuar një raportim nga nëna e një nxënësi në raport me shkollën ku ai vijon mësimin.

    “Bazuar në kompetencat dhe autorizimet policore në koordinim edhe me institucionet relevante për trajtimin e të miturve Policia ka filluar të trajtojë këtë rast”- ka thënë Zahiti, më 31.01.2025.

    Kurse, drejtori i shkollës ku vijon mësimin i mituri i ka përgënjeshtruar pretendimet e prindit të nxënësit duke thënë se nuk është e vërtetë se fëmija i saj po keqtrajtohet e rrahet nga nxënësit e tjerë.

    KALLXO.com e ka pyetur edhe drejtoreshën e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit

  • Nxënësit e fshatit Sazli u shkojnë për vizitë policëve në Ferizaj

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka pritur në vizitë disa nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Arsim Rexhepi” nga fshati Sazli i Ferizajt, më 31.01.2025.

    Nxënësit e Shkollës “Arsim Rexhepi” janë shoqëruar nga mësueset e tyre, kurse pjesëtarët e Policisë në Ferizaj i informuan ata për strukturën, detyrat dhe përgjegjësitë e institucionit të tyre të sigurisë.

    “Gjatë vizitës, nxënësit shprehën interes të veçantë për rolin e Policisë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke bërë pyetje dhe duke mësuar më shumë rreth funksionimit të saj” – ka njoftuar Policia, më 31.01.2025.

    Policia shton se në shenjë mirënjohjeje për këtë mundësi edukative, nxënësit u kanë dorëzuar një letër falënderimi dhe në përfundim të vizitës kanë intonuar himnin e Policisë para objektit të Drejtorisë Rajonale.

    Policia në Ferizaj vlerëson dhe inkurajon iniciativa të tilla, pasi konsideron se kontribuojnë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rëndësinë e sigurisë dhe respektimit të ligjit.

     

  • Kërkohen dy infermierë të përgjithshëm dhe tetë zyrtarë për drejtim të mjeteve të rënda në Polici të Kosovës

    Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për tri pozita, infermier të nivelit bachelor, infermier i përgjithshëm dhe zyrtar për drejtimin e mjeteve të rënda, më 31.01.2025.

    Sipas njoftimit të Policisë, konkurset për infermier të nivelit bachelor dhe ai për infermier të përgjithshëm janë hapur për nga një vend të lirë pune, kurse tetë vende të lira pune janë shpallur për pozitën e zyrtarit për drejtimin e mjeteve të rënda.

    Në konkursin për infermier të nivelit bachelor vendi i punës është caktuar në Sektorin e Mjekësisë dhe Promovimit të Shëndetit në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore.

    Kohëzgjatja e emërimit në këtë pozitë, sipas konkursit, është në afat të pacaktuar. Njëra nga detyrat dhe përgjegjësitë e infermierit të nivelit bachelor është përkrahja mjekësore në situata emergjente gjatë planeve operative të Policisë dhe shërben si ndërlidhës midis pjesëtarëve të Policisë, shërbimeve shëndetësore të Policisë dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike.

    Të njëjtat detyra i ka edhe infermieri i përgjithshëm, mirëpo dallimi mes tyre është se për pozitën e infermierit të nivelit bachelor kërkohet diploma e fakultetit e infermierit të përgjithshëm-bachelor, kurse për pozitën e infermierit të përgjithshëm kërkohet diploma e shkollës së mesme-infermier i përgjithshëm.

    Dhe për këto dy pozita, ndërron koeficienti i pagës, i cili është pak më i lartë për infermier të përgjithshëm të nivelit të studimeve bachelor. Pra, koeficienti 5.6 vlen për infermier të nivelit bachelor, kurse 5.3 për infermierin e përgjithshëm me shkollë të mesme.

    Konkursi për të dy pozitat e infermierit të përgjithshëm të kërkuara në Policinë e Kosovës do të jetë i hapur nga e hëna, më 03.02.2025 deri më 18.02.2025. Për dokumentet e nevojshme për aplikim, mund të lexoni konkursin në këtë LINK.

    Kurse, vendi i punës për pozitën e zyrtarit për drejtimin e mjeteve të rënda në Policinë e Kosovës është Njësia e Transportit, në Sektorin e Flotës Operative në kuadër të Drejtorisë së Logjistikës.

    Për pozitën e zyrtarit për drejtimin e mjeteve të rënda, disa nga detyrat dhe përgjegjësitë janë: është përgjegjës për mbajtjen e rregullt të linjave të transportit të personelit të Policiës me qëllim të ofrimit të mbështetjes me transport për gjithë personelin e Policisë; përgjegjës për transportin e zyrtarëve policor gjatë kryerjes së detyrave operacionale; përgjegjës për tërheqjen e automjeteve jofunksionale të Policisë, të cilat janë të aksidentuara, të dëmtuara, me defekte.

    Kurse, nga shkathtësitë kërkohet që të ketë patentë shoferi në kategoritë B, C, D, CE; diplomë e arsimit të lartë më së paku 3 vite adekuate të studimeve ose shkollim të mesëm dhe përgatitje profesionale për pozita specifike dhe të tjera.

    Edhe ky konkurs është i hapur gjatë periudhës 03.02.2025 deri më 18.02.2025 dhe për detajet tjera mund të lexoni në këtë LINK.

     

  • Kapen dy serbë të cilët hynë ilegalisht në Kosovë, në automjet iu gjetën pako me zogj

    Gjatë patrullimit nga ana e organeve të rendit kanë takuar automjetin e drejtuar nga i dyshuari dhe pasagjeri, të dy serbë, të cilët përmes rrugëve ilegale kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, si dhe kanë shkaktuar aksident trafiku.

    Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhjetë pako me zogj: gjithsej 1600 copë dhe disa pako me gjëra ushqimore.

    Me vendim të Prokurorit, automjeti dhe malli i janë dërguar në Terminalin doganor, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Rasti u regjistrua në Banov Do – Zveçan, më 30.01.2025, rreth orës 14:00.

  • Dyshohet se u dhunuan seksualisht nga një familjar i tyre sa ishin të mitura, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit

    Dy vajza kanë raportuar në Policinë e Kosovës, më 21.01.2025, se janë dhunuar seksualisht nga një familjar i tyre gjatë periudhës 2012-2019.

    Prokuroria në Ferizaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, viktimat kanë qenë të moshës së mitur.

    I dyshuari për kryerjen e dhunimit është arrestuar disa ditë më vonë, më 29.01.2025. Me vendim të Prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

    KALLXO.com mëson se viktimat janë familjare mes vete dhe po ashtu kanë lidhje familjare me të dyshuarin.

    Po ashtu, KALLXO.com mëson se i dyshuari është mbrojtur në heshtje para Policisë së Kosovës.

    Vjosa Baftiu, zëdhënëse në Prokurorinë e Ferizajit, tha se kanë bërë Kërkesën për caktimin e paraburgimit.

    Ndërsa, më 31.01.2025, do të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.