Ballina

Etiketë: Policia

  • Katër herë u anulua, tash tenderi për Stacionin Policor në Zubin Potok përfundoi në OSHP

    Që nga fundi i vitit 2023, Policia e Rajonit të Zubin Potokut funksionon në kontejner. Para kësaj periudhe si Stacion Policor ishte përdorur një shtëpi private, e cila nuk i ofronte as kushtet minimale.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, për KALLXO.com, thotë se kushtet në të cilat operojnë policët në Zubin Potok janë të vështira.

    “Në fakt Policia atje ka qenë duke punuar në një shtëpi private dhe më kujtohet një herë në vitin 2022 kur kam qenë për t’i vizituar në atë shtëpi, kushtet kanë qenë shumë të rënda. Pastaj, Kontrata me pronarin e shtëpisë përfundoi dhe me vendim të Komunës së mëhershme është ndarë ajo toka aty. Ne u vendosem në atë pjesë, ku edhe planifikohet ndërtimi. Veç me tregu që jemi në kontejner, kjo tregon mjaft, sepse nuk je në ndërtesë. Pra, nuk ke zyrë, nuk ke Qendër të ndalimit; viktimën ose dëshmitarin nuk ke ku e merr në pyetje e shumë gjëra të tjera.” – tha Veton Elshani, për KALLXO.com.

    Por, policët e këtij Rajoni verior, punën dhe angazhimin e tyre zyrtar do ta vazhdojnë në kontejner edhe për një kohë. Tenderi me vlerë të parashikuar prej 1.164.000.00, i hapur me 01.11.2024, për ndërtimin e Stacionit Policor dhe objektit në këtë qytet u pezullua – pas Ankesës së “AZ Building Development L.L.C.”, dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, më 10.01.2025.

    Fillimisht për dallim nga katër tenderët paraprakë ku u përdor procedura e mbyllur, pa publikim të njoftimit për Kontratë, tenderi me procedurë të hapur, për herë të pestë, u iniciua më 31.10.2024. Në këtë aktivitet të prokurimit aplikuan katër Operatorë Ekonomik.

    Më 31.12.2024, Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Policia e Kosovës, në tenderin dypjesësh, ku parashihet ndërtimin i Stacionit Policor në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë, ndërtimi i objektit të Agjencisë së Regjistrit Civil kishte shpallur fitues dy Kompani. Për pjesën e parë fitues ishte Operatori Ekonomik “NBT – ING” dhe për pjesën e dytë u shpallën fitues grupi i Operatorëve Ekonomik “Pro & Co Group SH.P.K., 2A Group SH.P.K.”.

    Kompania “AZ Building Development L.L.C.” ishte e pakënaqur me Vendimin e Policisë, meqë pretendon se Autoriteti Kontraktues ka shkelur 9 Nene të Ligjit të Prokurimit Publik. Fillimisht, kishte kërkuar rishqyrtim të Vendimit, më 06.01.2025.

    Më 09.01.2025, Kërkesa për Rishqyrtim të Vendimit u refuzua nga Autoriteti Kontraktues, kësisoj Vendimi i datës 31.12.2024 mbeti në fuqi.

    Të pakënaqur me refuzimin për Rishqyrtim të Vendimit, “AZ Building Development L.L.C.” iu drejtuan OSHP-së. Të kontaktuar nga KALLXO.com, përfaqësues të Kompanisë nuk pranuan të flasin, pasi që lënda është në shqyrtim – duke shtuar se pretendimet e tyre figurojnë në Ankesën drejtuar OSHP-së.

    Kompania në fjalë pretendon se u eliminuan padrejtësisht, sepse oferta e tyre ishte me çmimin më të lirë të përgjegjshëm.

    Sipas Ankesës së deponuar, “AZ Building Development L.L.C.” ka ofertuar për pjesën e parë me çmim prej 684,245.63 euro, ndërsa Operatori Ekonomik i rekomanduar për Kontratë ka ofertuar me çmim prej 684,660.99 euro.

    Ndërkaq, për pjesën e dytë “AZ Building Development L.L.C.”, sipas Ankesës, kishte ofertuar me çmim prej 305,457.30 euro, kurse Operatori Ekonomik i rekomanduar ofertoi me çmim prej 397,422.00 euro.

    Lënda është duke u shqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, teksa akoma nuk ka përgjigje të ekspertit shqyrtues.

    Teksa, tenderi i hapur së fundmi është në “dorë” të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe deri në marrjen e vendimit duhen të paktën 30 ditë nga parashtrimi i Ankesës, tenderi për ndërtimin e Stacionit të Policisë në Zubin Potok u anulua katër herë.

    Në Vendimin e datës 29.02.2024 ishte thënë se tre Operatorët Ekonomik “Pro&Co Group SH.P.K”, “U-UNIQUE SH.P.K”, “NNP EUROING SH.P.K” dhe grupi i OE-ve “BENI – COM SH.P.K. & Olti Trasing SH.P.K” në ofertat e tyre kishin kaluar vlerën e caktuar prej 997 mijë e 47 euro.

    Edhe, në tenderin e dytë kishin aplikuar tre Operatorë Ekonomik. Më 21.03.2024, Policia mori Vendim për anulim – duke thënë se që të tre OE-të: “HIDRO PROJECT SH.P.K.”; grupi i OE-ve: “Adnan Bislimi B.I. & N.N.SH. WORLD MEDIUM” dhe grupi i OE-ve: “BENI – COM SH.P.K. & Olti Trasing SH.P.K.”, në ofertat e tyre kishin kaluar prapë vlerën e caktuar, që përsëri ishte 997 mijë e 47 euro.

    Andaj, Policia u detyra që vlerën në tenderin e tretë ta rrisë për afër 70 mijë euro – duke tejkaluar njëmilionëshin. Vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktues, pra Policia ishte gjithsej 1 milion e 66 mijë e 765 euro.

    Megjithatë, kjo rritje në çmim prapë nuk qe e mjaftueshme që një nga dy Operatorët Ekonomik të dalin fitues, për të filluar ndërtimin e Stacionit Policor në Zubin Potok.

    Dy Operatorët “Pro & Co Group SH.P.K.” dhe grupi i OE-ve: “NIKA PrO – Ing SH.P.K. & LENTI LBC”, në ofertat e tyre tejkaluan përsëri vlerën e parashikuar. Vendimi për Anulimin e tenderit të tretë u mor nga Policia më 07.06.2024.

    Ndërkaq, për herën e katërt, tenderi u anulua më 11.10.2024

    Para fundit të 2023-tës, zyrtarët policorë funksiononin në një shtëpi të vjetër, që shfrytëzohej si Stacion Policor, por që objekti ishte vlerësuar se nuk i plotësonte kushtet e punës.

    Kah fundi i nëntorit autoritetet kosovare nisën punimet për ndërtimin e Nënstacioneve në Leshak të Leposaviqit, në Izvor të Zveçanit dhe tek Ura e Bistricës në Leposaviq.

    Policia e Kosovës ka thënë vazhdimisht se Stacionet apo Nënstacionet Policore janë planifikuar të plotësojnë nevojat e zyrtarëve policorë dhe se shërbejnë për të ofruar siguri publike e ruajtje të rendit kushtetues.

    Ndërtimi i Stacioneve dhe Nënstacioneve kundërshtohet nga Serbia dhe nga serbët lokalë.

  • Gjashtë të arrestuar në Rajonin e Prishtinës për organizim të prostitucionit – FOTO

    Në dy raste të ndara, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës ka arrestuar gjashtë persona: pesë gra dhe një burrë, nën dyshimet për organizim prostitucioni.

    Në rastin e parë, Policia arrestoi dy gra nën dyshimin se kishin marrë një objekt banesor me qira, me qëllim të shfrytëzimit për veprën “mundësim ose detyrim në prostitucion”.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë, pas dyshimeve për kryrje të veprës penale ‘mundësim ose detyrim në prostitucion’ kanë arrestuar dy femra shtetase të Republikës së Kosovës, pasi dyshohet se të njëjtat kishin marrë një objekt banesor me qira, me qëllim të shfrytëzimit për kryrjen e kësaj vepre.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Lidhur me rastin dy të dyshuarat, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Derisa, në rastin e dytë Policia njofton se arrestoi katër persona – tri shtetase të Shqipërisë dhe një shtetas të Kosovës, nën dyshimin se në dy lokale ofruan shërbime seksuale me pagesë.

    “Policia e Kosovës, respektivisht DHTNJ, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore – Prishtinë, pas dyshimeve për kryrjen e veprës penale “mundësim ose detyrim në prostitucion” dhe “ofrim i lokaleve për prostitucion” kanë arrestuar katër persona (tri femra shtetase të Republikës së Shqipërisë dhe një mashkull kosovar), nën dyshimin se të njëjtit në dy lokale në Rajonin e Prishtinës dyshohet se kanë ofruar shërbime seksuale me pagesë.” – bëhet e ditur më tej nga Policia.

    Sipas njoftimit, të gjithë të dyshuarit, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Detaje nga Policia: Përveç nxënësve, qeni sulmoi edhe disa policë – arrestohet pronari

    Disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.

    Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.

    Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënëse e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit – thekson Policia për KALLXO.com.

    Ndërkaq, sipas PK-së, dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta gjatë ikjes.

    “Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë. Kur kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

    Tutje, ai njoftoi se Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim e ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, në lidhje me rastin në fjalë.

    Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti është arrestuar.

    Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia shton se Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.

  • Grabitje e armatosur në Prishtinë, të dyshuarit ishin të maskuar

    Një grabitje ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku”, në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se rasti ka ndodhur më 21.01.2025, rreth orës 12:30.

    “Pas marrjes së informacionit, Policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.” – deklaroi Ahmeti për KALLXO.com.

    Tutje, ajo shton se njëri nga të dyshuarit është arrestuar pak minuta pas raportimit të rastit.

    “Personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar.” – shton Ahmeti.

    Të dyshuarit e këtij rasti – sipas Policisë – dyshohet se janë të përfshirë edhe në një grabitje tjetër të datës 17.01.2025, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

  • Në Gjilan e Shtërpcë, dy persona raportohen të zhdukur

    Dy persona, një në Gjilan dhe një në Shtërpcë, raportohen të zhdukur në 24 orët e fundit.

    Në Gjilan një shtetas kosovar – sipas Policisë – ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

    Kurse në Shtërpcë raportohet se një grua që nga 18.01.2025 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    Për të dy rastet, Policia ka ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore.