Ballina

Etiketë: Policia

  • Shkelën rregullat në trafik, Policia në Vushtrri konfiskon dhjetë patentë-shofer

    Policia e Kosovës, në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, gjatë ditës së hënë më 27.01.2025, për shkak të shkeljeve të rregullave në trafik, ka konfiskuar përkohësisht dhjetë patentë-shofer.

    Ngasësit, të cilëve u është marrë patentë-shoferi, kanë kryer kundërvajtje-tejkalim nga ana e djathtë.

    “Gjatë monitorimit dhe kontrollit në trafikun rrugor në rrugën nacionale në hyrje të Vushtrrisë, gjatë ditës së djeshme kanë identifikuar trembëdhjetë (13) kundërvajtës të cilët kanë bërë tejkalime nga e djathta – duke rrezikuar edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.” – tha Policia në një komunikatë për media.

    Përveç konfiskimit të  patentë-shoferëve, ngasësit janë gjobitur.

    “Ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar Vendime për kundërvajtje me gjobë në shumë prej 150 euro, një pikë negative, si dhe masa mbrojtëse – konfiskim i përkohshëm i patentë-shoferit në kohëzgjatje prej tre muajve.” – thuhet në mes të tjerash në komunikatën e Policisë.

  • Treni godet një veturë në Pejë, nuk ka të lënduar

    Një veturë është goditur nga treni i linjës Prishtinë-Pejë sot, më 28.01.2025, rreth orës 10:00.

    Aksidenti ka ndodhur në hyrje të qytetit të Pejës.

    Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi.

    Ai ka njoftuar se nuk ka persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 10:00, Policia është njoftuar se treni që qarkullon në relacionin Prishtinë-Pejë, në hyrje të Pejës e ka goditur një veturë. Të lënduar nuk ka, vetëm dëme materiale. Hetuesit e aksidenteve kanë dalë në vend të ngjarjes për të kuptuar si ka ardhur deri tek aksidenti.” – ka thënë ai.

     

  • Arrestohet i dyshuari për largimin e fëmijëve nga nëna e tyre

    Një person është arrestuar, nën dyshimin se ka larguar nga shtëpia fëmijët e tij, derisa nëna e tyre ishte në punë – ka njoftuar Policia në Raportin 24-orësh, më 28.01.2025.

    Policia bën të ditur se rasti ka ndodhur në Gjakovë, më 26.01.2025, rreth orës 22:00.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.

    Në Raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës rasti është regjistruar si: “dhunë në familje”.

  • Çka dihet deri më tani për aksidentin e trafikut me tre të vdekur?

    Në rrugën rajonale Pejë – Mitrovicë mbrëmjen e së dielës, më 26.01.2025, ndodhi një aksident trafiku me fatalitet. 3 persona vdiqën e disa të tjerë u lënduan rëndë.

    Gjurmët e aksidentit me fatalitet vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes, në segmentin e rrugës Pejë-Mitrovicë, në fshatin Çubrel të Skenderajt.

    Derisa ekipi i KALLXO.com më 27.01.2025 ishte në vendin ku ndodhi aksidenti, një patrullë e Policisë mori nga vendi i ngjarjes targën e automjetit zyrtar dhe disa gjësende të tjera.

    Në aksidentin ku vdiqën 3 persona të një familjeje, e mbetën të lënduar edhe 5 persona, katër prej tyre zyrtarë policorë, ishin të përfshira një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë civile.

    Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, dyshohet se drejtuesi i automjetit të Policisë nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe ka dalë në korsinë tjetër, teksa dyshohet se e ka goditur veturën civile.

    “Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet  se aksidenti ka ndodhur si rezultat   i  mos përshtatjes së shpejtësisë së  lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili  ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile. Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.”- thuhet mes tjerash në komunikatën e Inspektoratit të Policisë.

    Derisa, IPK-ja, flet për dyshime se aksidentin e shkaktoi zyrtari policor, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti, shenja e komunikacionit tregon se shpejtësia maksimale e lejuar në këtë pjesë të rrugës është 50km/h.

    Policit i cili dyshohet se ishte duke vozitur veturën zyrtare i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Siç mëson KALLXO.com, dy zyrtarë policorë janë duke u trajtuar në Kliniken e Ortopedisë. Për shkak të lëndimeve në tru, një tjetër zyrtar policor, pas operacionit po trajtohet në Klinikë e Neurokirurgjisë.

    Sipas Policisë, nga janari i vitit 2024 deri më 27 janar të vitit 2025, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, kanë ndodhur 27 aksidente, një prej tyre me fatalitet.

    KALLXO.com në anën tjetër mëson se zyrtarët policorë janë të Njësisë Speciale Kufitare nga Peja dhe të njëjtit ishin duke shkuar në punë në Mitrovicë.

  • Dy raste të dhunës në familje të raportuara gjatë 24 orëve të fundit

    Dy raste të dhunës në familje janë raportuar të dielën, më 26.01.2025.

    Një burrë dhe një grua në Prishtinë dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje janë sulmuar mes vete.

    Sipas Policisë, të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

    Derisa në Klinë u arrestua një burrë, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar një grua.

    Policia bën të ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

    Të dy rastet po trajtohen, si: “dhunë në familje”.