Ballina

Etiketë: Policia

  • Plagosje me armë zjarri në Prizren

    Pas një fjalosjeje në një Parking në Prizren, të mërkurën, më 29.01.2025, dy persona janë plagosur me armë zjarri – njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas Policisë personat e plagosur kanë kërkuar tretman mjekësor dhe po trajtohen aktualisht në Spitalin Rajonal të Prizrenit, teksa gjendja e tyre është stabile.

    Kurse pa specifikuar numrin, Policia në mes të tjerash njoftoi se disa të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në këtë rast janë në kërkim.

    “Më 29.01.2025, rreth orës 02:00, në rrugën ‘Transiti i ri’ në Prizren disa persona të dyshuar janë takuar në Parkingun e një pike shitje të derivateve. Të dyshuarit menjëherë pas takimit  kanë filluar të fjalosen  dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të të dyshuarve të tjerë. Pas shkrepjes së armës  persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Me kohë janë njoftuar Sektori i Hetimeve të Stacionit dhe  hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe kanë mbledhur provat dhe dëshmitë. Dy nga të dyshuarit gjenden në trajtim  mjekësor. Gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë, kurse të dyshuarit e tjerë janë në kërkim.” – thuhet në komunikatën e Policisë.

    Policia ka identifikuar personat e përfshirë dhe ka kryer kontrolle në disa vende – duke konfiskuar armë zjarri e automjete.

    “Policia gjatë natës ka bërë identifikimin e personave të përfshirë në rast. Janë kryer kontrolle në disa vende; tri armë zjarri (pistoleta) dhe dy automjete janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke e hetuar rastin. Në konsultim me Prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës.” – bëri të ditur Policia.

  • Vidhen 300 euro në një lokal në Fushë Kosovë, i dyshuari iku në drejtim të panjohur

    Një person i maskuar nën kërcënimin e armës dyshohet se i ka vjedhur 300 euro në një lokal në Fushë Kosovë – njoftoi Policia në Raportin 24-orësh.

    Teksa nuk raportohet për të lënduar, grabitësi është larguar në drejtim të panjohur, derisa rasti po hetohet – thekson Policia.

    “Viktima ka raportuar se derisa ka qenë në vendin e tij të punës një i dyshuar i panjohur, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur 300 euro dhe është larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha Njësitet përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori. Rasti nën hetime.” – sqaroi Policia.

  • Disa vajza shihen në rrjete sociale duke sulmuar njëra-tjetrën, identifikohen nga Policia

    Policia në Prishtinë ka identifikuar katër shtetase kosovare përmes një video-incizimi të publikuar në rrjete sociale, teksa shihen duke e sulmuar njëra-tjetrën.

    Pas intervistimit tri nga to janë dërguar në mbajtje – thekson Policia.

    “Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një video-incizim të shpërndarë në rrjete sociale, ku shiheshin disa vajza duke sulmuar njëra tjetrën, janë identifikuar dhe intervistuar katër femra kosovare: tri në cilësinë e të dyshuarave dhe një në cilësi të viktimës.” – thuhet në Raportin policor.

    Sipas Policisë pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, të dyshuarat janë dërguar në mbajtje.

    Rasti është iniciuar si: “sulm”.

  • Dhuna në familje – Viktima dërgohet në Strehimore bashkë me fëmijët

    Një grua ka raportuar në Polici se burri i dyshuar ushtron në vazhdimësi dhunë psiqike ndaj saj.

    Policia ka njoftuar në Raportin 24-orësh se rasti ka ndodhur në Pejë, më 28.01.2025, rreth orës 12:30.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi i shkakton dhunë psiqike. Rasti në procedurë hetimore”.

    Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Malishevë, më 28.01.2025, rreth orës 12:00.

    Policia bën të ditur se viktima grua është sulmuar fizikisht dhe se e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta është dërguar në Strehimore bashkë me fëmijët. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, lirohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin 24-orësh të Policisë.

  • Dyshohet se sulmoi zyrtarët policorë, arrestohet një person në Skenderaj

    Policia e Kosovës ka raportuar se një person në gjendje jo të mirë ka sulmuar zyrtarët policorë në Skenderaj, më 28.01.2025.

    Madje, njëri nga policët ka kërkuar edhe tretman mjekësor.

    Sipas Policisë rasti ka ndodhur kur i njëjti ka tentuar ta dëmtojë varrin e babait të tij.

    “Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me të meta psikike ka tentuar të dëmtojë varrin e babait të tij, si dhe i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë, ku njëri ka kërkuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – tha Policia në Raportin 24-orësh.