Ballina

Etiketë: Policia

  • Raportohet për gjuajtje me armë në Veternik, thyhet xhami i një lokali

    Në një lokal në Veternik të Prishtinës xhami i katit të tretë është thyer si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri.

    Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në Raportin 24 orësh – pas raportimit të një qytetari. 

    “Sipas ankuesit, predha ka thyer xhamin dhe ka depërtuar brenda objektit.” – njofton Policia.

    Rasti ka ndodhur më 05.01.2025, në orën 17:30 dhe Policia po heton rrethanat. 

    Vepra është cilësuar si “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

  • Vdes një 47-vjeçar, dyshohet se ra nga një objekt në Lagjen Dardania në Prishtinë

    Një 47 vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta mbëmjen e sontme më 03.01.2025 rreth orës 20:45 në Lagjen Dardania në Prishtinë.

    Policia e Kosovës ka pranuar një informatë mbrëmjen e sontme, se rreth orës 20:45, se një person ka rënë nga një objekt në Lagjen Dardania në Prishtinë. 

    Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, viktima është 47-vjeç dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjekët emergjent.

    “Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”- ka njoftuar Borovci, më 03.01.2025.

  • I plagosuri në Lagjen Arbëria i nënshtrohet operimit në QKUK

    22:43 – I plagosuri në Lagjen Arbëria i nënshtrohet operimit në QKUK

    Ka përfunduar operimi i të plagosurit në Emergjencën e QKUK-së dhe ai tashmë ka kaluar në kujdes intensiv.

    Kështu ka thënë mjeku kujdestar në QKUK, Adem Jaha. Por, Jaha nuk e ka pohuar në rast se viktima e ka kaluar rrezikun për jetë.

    “Prej sallës është nxjerr, d.m.th ai ka qenë në rrezik për jetë, prej sallës operative shkoi në kujdes intensiv. Tash, varet” – ka thënë Jaha.

     

    21:34 – Policia identifikon dy vetura që dyshohet se u përkasin të përfshirëve në plagosjen e sontme 

    Përveç një personi që ka arritur ta identifikojë Policia si të dyshuar lidhur me rastin e plagosjes në Lagjen Arbëria në Prishtinë, janë identifikuar edhe dy vetura. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Sipas tij të gjitha njësitet përkatëse të Policisë tashëm janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer procedurat hetimore për të zbardhur rastin.

    “Aktualisht Policia ka identifikuar një të dyshuar të përfshirë në rastin në fjalë, po ashtu edhe dy vetura, ndërkaq po vazhdon punën e saj operativo-hetimore si dhe të ekzaminimit të vendngjarjes me qellim të sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen” – ka thënë Borovci, më 03.01.2025.

    21:20 – Plagosja në Lagjen Arbëria, i dyshuari është identifikuar nga Policia

    Policia e Kosovës është duke e hetuar plagosjen e personit që ndodhi në Lagjen Arbëria të Prishtinës mbrëmjen e sontme, më 03.01.2024.

    Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, rreth orës 19:00, është raportuar për shkrepje të armës së zjarrit në rrugën “Mine Peza” në Prishtinë.

    Pasi e kanë pranuar informatën, Borovci tha se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    21:04 – I plagosuri në Lagjen Arbëria në gjendje të rëndë

    Personi që mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme (03.01.2025) në Lagjen Arbëria të kryqytetit është në rrezik për jetë.

    Kështu ka treguar përmes telefonit, mjeku kujdestar në Emergjencë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Adem Jaha, i cili e ka pranuar të plagosurin.

    Sipas Jahajt, viktima është plagosur në gjoks dhe është duke u operuar.

    “Është hy në sallë operative, gjendja është d.m.th rrezik për jetë, d.m.th gjendja shumë e rëndë është. Veç sa e futëm në sallë operative për intervenim kirurgjik”- ka thënë Jaha, më 03.01.2025.

    KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se i plagosuri është një person me inicialet F. J.

    Siç mëson KALLXO.com, dyshohet se një person ka gjuajtur me armë zjarri e më pas është larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

    Sipas burimeve brenda Policisë i dyshuari për këtë rast të plagosjes është një person me inicialet SH. H.

    20:59 -Plagosje me armë zjarri në Lagjen Arbëria në Prishtinë

    Një person dyshohet se ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme (03.01.2025) rreth orës 19:00 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

    KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se i plagosuri është një person me inicialet F. J. 

    Siç mëson KALLXO.com, dyshohet se një person ka gjuajtur me armë zjarri e më pas është larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

    Sipas burimeve brenda Policisë i dyshuari për këtë rast të plagosjes është një person me inicialet SH.H.

    KALLXO.com ka kontaktuar me mjekët e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të kuptuar për gjendjen shëndetësore të të plagosurit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

  • Babai dyshohet se vrau djalin e tij në Tetovë

    Në Tetovë të Maqedonisë së Veriut 39-vjeçari S.N është gjetur pa shenja jete.

    39-vjeçari u gjet me plagë të armës së zjarrit në kokë rreth orës 18:50 të 02.01.2025.

    Sipas Portalb.mk, S.N ka jetuar vetëm me babanë e tij.

    Viktima e cila u gjet pa ndjenja u dërgua në Qendrën Urgjente të Tetovës. Policia e Tetovës njofton se në dhomën ku është gjetur S.N. është gjetur një pushkë gjuetie.

    “Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e rastit, në koordinim me prokurorin publik, është konstatuar se kemi të bëjmë me vepër penale “vrasje” e kryer më datë 31.12.2024, ku pas një konfrontimi fizik të mëparshëm, M.N. (65) ka vrarë me pushkë gjuetie djalin e tij S.N” – thanë nga Policia e Tetovës raporton Portalb.mk.

  • Theret me thikë në kraharor një person në Prizren, arrestohen dy të dyshuar

    Një person është therur me thikë në krahëror në Prizren. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona.

    Kështu ka bërë të ditur Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë Rajonale të Prizrenit. Ai ka njoftuar se më 02.01.2015 rreth orës 16:35 u mor informacioni se R.Sh i lindur më 1980 nga fshati Poslishtë po trajtohej në Emergjencën e Spitalit Rajonal.

    Policia ka kontaktuar me viktimën, i cili ka deklaruar se në qendrën e Poslishtës kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes tij dhe të dyshuarit 18-vjeçar.

    Sipas Bytyqit, të dyshuarit viktima nuk ia dinte emrin por nga ai ishte goditur me thikë në kraharor, me ç’rast mori lëndime trupore.

    “Sipas mjekëve viktima është jashtë rrezikut për jetë. Dy persona janë arrestuar si të dyshuar lidhur me rastin, një i mitur dhe një madhor” – deklaroi Bytyqi për KALLXO.com