Një person ka vdekur në një Qendër të Mjekësisë Familjare në Podujevë, derisa ishte duke marrë trajtim mjekësor.
Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga Bajram Bajgora, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.
“Konfirmoj se pacienti tashmë i ndjerë është kontrolluar, i është ordinuar terapi infuzive, ku gjatë marrjes së saj ka ndodhur përkeqësimi i gjendjes. Janë marrë veprimet e duhura nga ekipi i Mjekësisë Familjare dhe dy ekipe të Urgjencës, por pa sukses rikthimi në jetë” – ka thënë Bajgora.
Rasti i cili ka ndodhur të enjten, më 09.01.2025, nga prokurori është cilësuar si “hetim i vdekjes” dhe ka shkuar për autopsi për t’u ndriçuar shkaku i vdekjes.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin 24-orësh, që është duke hetuar rastin e vdekjes së pacientit në Podujevë.
“Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar” – ka thënë Policia në raportin e datës 10.01.2025.
Edhe Policia e ka konfirmuar se me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.