Ballina

Etiketë: PK

  • Në Kosovë konsiderohet se janë afër 230 mijë armë pa leje

    Kosovarët sipas shoqërisë civile dhe MPB-së në duart e tyre mbajnë afër 230 mijë armë pa leje. Arsye, sipas njohësve të sigurisë, është kontrabandimi i lehtë i tyre nga shtetet fqinje, dhe pamundësisë së organeve të rendit për të kontrolluar gjithë kufirin.

    Data 13.12.2024 do të ishte fundi i një grupi kriminal, që bënin kontrabandë me armë në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    14 persona mbetën të arrestuar, 8 prej tyre në Kosovë.

    Kjo ishte vetëm një formë se si në duart e qytetarëve të Kosovës binin armët pa leje.

    TV Dukagjini pyeti Policinë e Kosovës së sa armë pa leje kanë marrë nga duart e qytetarëve këtë vit.

    “Në baza vjetore, Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë numër relativisht të madh të municionit të kalibrave të ndryshëm si dhe mjeteve të ndryshme plasëse duke përfshirë edhe eksplozivët artizanal. Numri i armëve dhe municionit të konfiskuar për periudhën Janar – Gusht 2024 në nivel të PK-së është 1122, kurse numri i municionit të konfiskuar është 20653” – thuhet në përgjigjen e Policisë e Kosovës.

    Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organizata të shoqërisë civile në duart e qytetarëve besohet të jenë mbi 230 mijë armë pa leje.

    Shumica nga to, besohet të kenë mbetur edhe lufta e fundit por që një rol të rëndësishëm e luan kontrabanda.

    Njohësit e sigurisë në vend thonë se këto armë, nuk vijnë nga shtete të posaçme siç është Serbia, por gjithandej pasi janë fitim prurëse për grupet kriminale.

    ”Krimi trans-nacional nuk zgjedh shtet as komb as dhe as fe, dhe unë nuk do të thoja që armët vinë vetëm nga Serbia, ku patëm rastin e fundit ku u kap një grup kriminal në kuadër të krimit transnacional në mes Kosovës dhe Serbisë” – ka thënë Avni Islami, njohës i sigurisë.

    Pamundësia që të kontrollohen kufijtë për futjen e kontrabandës me armë në Kosovë, e sheh si faktor kyç njohësi i sigurisë Valdet Hoxha.

    Veç i njëjti nuk e hedh mundësinë që shteti duhet të marrë disa masa.

    ”Shteti duhet të bëjë çmos që fillimisht përmes ndonjë amnistie, të zvogëlojë numrin e armëve ilegale në vend e pastaj me aplikimin e normave materiale të kodit penal të Republikës së Kosovës, sidomos në rastet kur zihen në posedim” – ka thënë Valdet Hoxha, njohës i sigurisë.

    Ndërkohë gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë regjistruar gjithsej 14,340 aplikime për pëlqime për blerje armësh nga persona fizikë, kryesisht për arsye të gjuetisë dhe rekreacionit./Dukagjini

  • Pritjet e gjata në Merdarë, Policia bën thirrje që të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare për të dalë nga Kosova 

    Për shkak të kolonave dhe pritjeve të gjata në dalje të pikës kufitare në Merdarë, Policia e Kosovës ka inkurajuar qytetarët që të përdorin edhe pikat e tjera kufitare për qarkullim. 

    Ata kanë kërkuar që për çdo informatë shtesë qytetarët të kontaktojnë në numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095 ose duke klikuar në  në këtë link https://mpb.rks-gov.net/.

    Ndërkaq, KALLXO.com ka raportuar se pritje të gjata për të dalë nga Kosova janë regjistruar edhe sot më 04.01.2025, në pikat kufitare të Kosovës.

    Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Merdarë pritjet janë deri në pesë orë për të dalë nga Kosova. 

    Në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë janë rreth 2 orë.

    Ndërkaq, në bazë të të dhënave të përditësuara më 04.01.2025, në orën 17:10, në Jarinjë pritjet për të dalë nga vendi janë deri në 50 minuta kurse në Mutivodë deri në një orë. Në Bërnjak, të dhënat tregojnë se pritjet janë të gjata deri në gjysmë ore. Ndërsa, në pikat tjera kufitare të vendit si në Glloboqicë, Hani të Elezit, Kullë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Staniq e Vërmicë, pritjet raportohen të jenë jo më të gjata se 5 minuta. 

    Në kohë reale gjatësinë e kolonave dhe orët e pritjes mund t’i përcillni KËTU.

  • Vdes 37-vjeçari në një vetaksident në Prelez të Ferizajt, Policia jep detaje

    Një 37 vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e një vetaksidenti në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, saktësisht në fshatin Prelez të Ferizajt.

    Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Vesei. Aksidenti raportohet se ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, më 04.01.2025 dhe se në të ka qenë e përfshirë një veturë me targa vendore. 

    Sipas Veselit, nga hetimet e para, dyshohet se shoferi i veturës, derisa ishte duke qarkulluar nga Ferizaj në drejtim të Prishtinës, me të arritur të fshatin Prelez i Jerlive, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e veturës.

    Kështuqë, i njëjti thuhet se ka kaluar në anën e majtë të rrugës duke goditur fillimisht ulësen në pikëstacionin e autobusëve dhe është ndalur në rrethojat e një autosalloni. 

    “Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe një ekip i mjekëve nga Qendra Emergjente e Ferizajt, të cilët kanë konstatuar se shoferi F.I ( M/) i moshës 37-vjeçar është pa shenja jete”- ka shtuar Veseli më 04.01.2025. 

    Tutje, ai njofton se për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se me vendim të tij, trupi i pajetë i viktimës i është liruar familjarëve.

     

  • Ferizaj, shoqërohet në polici një 32-vjeçar për dhunë ndaj bashkëshortes

    Një 32-vjeçar është shoqëruar në polici për dhunë në familje në Ferizaj.

    Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar pas raportimit për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Raportimin organet e rendit e kanë marrë më 04.01.2025, në ora 10:50.

    “Një patrullë e policisë menjëherë është nisur në atë drejtim dhe ka shoqëruar në polici të dyshuarin mashkull, kosovar, i moshës 32 vjeç, i cili kishte shkaktuar dhunë në familje ndaj bashkëshortës së tij”- njofton Policia më 04.01.2025. 

    Policia ka njoftuar se të dyshuarit i është sekuestruar një armë zjarri (pistoletë).

    Ndërkaq, pasi është intervistuar nga hetuesit e Njësisë së Dhunës në Familje, me vendim të prokurorit kujdestar është liruar për procedurë të rregullt hetimore, thuhet në raportin policor.