Ballina

Etiketë: PK

  • Ferizaj – Policia u shqipton mbi njëmijë gjoba kundërvajtësve brenda një jave 

    Policia Rajonale e Ferizajit ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka shqiptuar njëmijë e tridhjetë (1030) gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr tre patentë-shoferë për drejtuesit, të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor. 

    Po ashtu, Policia bën të ditur se gjatë kësaj kohe, janë raportuar 39 aksidente: prej tyre 16 me lëndime, me 22 persona të lënduar dhe 23 aksidente të tjera me dëme materiale. 

    “Policia Rajonale e Ferizajit do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë te shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.” – thuhet në njoftimin e datës 13.01.2025. 

    Tutje, Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë dhe për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë Policinë, Stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, apo edhe në numrat kujdestarë: 192,0290/326-250 & 0290/322-406.

     

  • Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Këto raste janë regjistruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë dhe Malishevë.

    Më 09.01.2025, një burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psiqike dhe ka kanosur një grua. Sipas Policisë, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje. 

    Në të njëjtën ditë, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje në Fushë Kosovë. Sipas Raportit të Policisë së Kosovës, një burrë dyshohet se vazhdimisht kishte shqetësuar një grua. 

    “Lidhur me rastin i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin Policor, më 10.01.2025. 

    Ndërkaq në Podujevë raportohet se një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje, më 09.01.2025. Organet e rendit kanë treguar se viktima është kthyer në shtëpinë e familjarëve të saj, derisa i dyshuari është ende në arrati. 

    Në një qytet tjetër të Kosovës, në Gjilan një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi një burrë dyshohet se e sulmoi atë fizikisht. Policia tregon se i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti i inicuar si ‘lëndim i lehtë trupor’  dhe ‘dhunë në familje’ ka ndodhur më 07.01.2025.

    Në Pejë është regjistruar një rast kur një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër. Në këtë rast Policia e Kosovës njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas Policisë, e dyshuara është në arrati. 

    Policia njofton edhe për një rast tjetër të dhunës në familje në Malishevë.  Raportohet se pas një përleshjeje mes dy burrave, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore. 

    “Ndërsa i dyshuari mashkull kosovar pas rastit ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është hasur nga Policia.” – njofton Polica e Kosovës në Raportin e datës 10.01.2025.

  • Raportohet e zhdukur një grua në Ferizaj

    Policia e Kosovës raporton se është zhdukur një grua në Ferizaj. 

    Sipas Raportit policor, të lëshuar sot më 10.01.2025, bëhet e ditur se viktima ka dalur nga shtëpia dje, më 09.01.2025 dhe nuk është kthyer më. 

    Rasti thuhet se është në procedurë hetimore. 

     

  • Vdes këmbësori që u godit me veturë në Prizren

    Një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë, në rrugën “Ekrem Rexha”, në Prizren.

    Siç njofton zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, aksidenti ka ndodhur të dielën më 05.01.2025, kur një veturë me targa sllovene derisa ishte duke lëvizur në drejtim të lagjes “Arbana” ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë.

    Sipas Bytyqit, këmbësori ishte goditur me pasqyrën e majtë të veturës, e cila po lëvizte në shiritin e majtë të rrugës me dy shirita në një kahje. 

    “Si pasojë këmbësori pëson lëndime të rënda trupore, dërgohet në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, nga ku pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm – për shkak të lëndimeve të rënda trupore.” – ka thënë Shaqiri për KALLXO.com. 

    Ndërkaq, sot më 06.01.2025, Shaqiri thotë se Policia është njoftuar se viktima S.K, rreth 60 vjeçar, ka vdekur në QKUK dhe se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. 

    Shaqiri njofton tutje se ngasësi i dyshuar V.S , me urdhër të Prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje. 

     

  • Deri në 6 orë pritjet në pikën kufitare në Merdarë 

    Në pikën kufitare në Merdarë, qytetarët po vazhdojnë të përballen me kolona të gjata të pritjeve për të dalë nga Kosova. 

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njofton se në Merdarë pritjet janë deri në 6 orë. 

    Po ashtu tek Dheu i Bardhë, pritjet po shënohen deri në 30 minuta për të dalë nga vendi. 

    Ndërsa, tek pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë pritjet janë deri në 10 minuta.

    Edhe pikat e tjera kufitare, aktualisht nuk karakterizohen me pritje të gjata, mesatarisht prej 3 deri në 10 minuta. 

    Tutje, për shkak të kolonave dhe pritjeve të gjata në dalje të pikës kufitare në Merdarë, Policia e Kosovës ka inkurajuar qytetarët që të përdorin edhe pikat e tjera kufitare për qarkullim. 

    https://kallxo.com/lajm/pritjet-e-gjata-ne-merdare-policia-ben-thirrje-qe-te-shfrytezohen-pikat-e-tjera-kufitare-per-te-dale-nga-kosova/

    Në kohë reale gjatësinë e kolonave dhe orët e pritjes mund t’i përcillni KËTU.