Një laborator i sofistikuar për falsifikim të dokumenteve është zbuluar në Prishtinë, njoftuan më 28.01.2025 Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas një njoftimi, më 24.01.2025 Policia ka ndaluar një automjet në Prishtinë, në të cilin sipas saj janë gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.
“Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”- njofton Policia.
Ndërkaq, pas hetimeve, Policia thotë se u zbulua edhe një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë.
Siç bëhet e ditur nga Policia, gjatë bastisjes u konfiskuan si dëshmi, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.
“Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar”- thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale.