Ballina

Etiketë: Pete Hegseth

  • Pete Hegseth bën betimin si Sekretar i Mbrojtjes

    UASHINGTON – Pete Hegseth bëri të shtunën betimin si Sekretari i 29-të i Mbrojtjes, pas votimit të ngushtë në Senat 51 me 50.

    Zoti Hegseth e bëri betimin përpara Nënpresidentit JD Vance në godinën ekzekutive Eisenhower, me në krah bashkëshorten e tij Jennifer Rauchet e rrethuar nga senatorë republikanë. Ceremonia u mbajt pas më pak se 12 orësh që Nënpresidenti Vance hodhi votën vendimtare në Senat për të thyer barazimin 50 me 50, në votimin për konfirmimin e zotit Hegseth.

    Në fjalën e tij të shkurtër, zoti Hegseth paraqiti ato që tha se do të jenë parimet që do ta udhëheqin në punën e tij: “Rikthimin e frymës luftarake në gjithçka që bëjmë, rindërtimin e ushtrisë dhe rivendosjen e fuqisë parandaluese”.

    “Ne nuk dëshirojmë luftëra, ne duam t’i parandalojmë ato… dhe duam t’u japim fund me përgjegjshmëri. Por nëse do na duhet të luftojmë, do ta bëjmë me forcë të jashtëzakonshme dhe të vendosur do ta shkatërrojmë armikun dhe do t’i rikthejmë djemtë tanë në atdhe”, tha ai.

    Zoti Hegseth falënderoi Presidentin Trump për mbështetjen e tij dhe u zotua se si Sekretar i Mbrojtjes, do të përqendrohej në “vendosjen e Amerikës të parën” si dhe rindërtimin e ushtrisë amerikane.

    Në një mesazh dërguar ushtarakëve amerikanë nëpërmjet postës elektronike, zoti Hegseth shkruante se “do të vazhdojmë të jemi forca më e fuqishme dhe më vdekjeprurëse në botë” duke përmendur në veçanti nevojën “për të parandaluar agresionin nga Kina komuniste në rajonin e Indo-Paqësorit… si dhe për t’u riorientuar drejt rreziqeve kryesore. Do t’u gjendemi krah aleatëve dhe armiqtë tanë e kanë marrë mesazhin”, tha ai.

    Miratimi në Senat

    Pete Hegseth u miratua pas një votimi 50-50 në Senat, falë votës së Nënpresidentit JD Vance, e cila hidhet për të thyer një barazim në votim. Tre senatorë republikanë votuan kundër kandidaturës së zotit Hegseth për postin e sekretarit të Mbrotjes.

     Pete Hegseth u miratua pas një votimi 50-50 në Senat, falë votës së Nënpresidentit JD Vance, e cila hidhet për të thyer një barazim në votim. Tre senatorë republikanë votuan kundër kandidaturës së zotit Hegseth për postin e sekretarit të Mbrotjes.

    Kjo ishte hera e dytë në histori që një kandidat për anëtar kabineti, kishte nevojë për ndërhyrjen e nënpresidentit për t’u konfirmuar.

    Pete Hegseth është gati të zbatojë programin e Presidentit Donald Trump dhe unë besoj se ai do të jetë një agjent ndryshimi në Departamentin e Mbrojtjes dhe se ai është personi që na duhet”, tha senatori republikan Roger Wicker.

    Z. Hegseth e njeh dobësitë që ka Departamenti i Mbrojtjes. Ai është angazhuar gjithashtu të garantojë mbrojtjen e sinjalizuesve, atyre që do të tregojnë për rastet shpërdorimit dhe abuzimit, që kanë qenë të panumërta brenda departamenti“, tha senatori republikan Chuck Grassley.

    Tre senatorët republikanë që bashkuan votat me demokratët duke votuar kundër zotit Hegseth ishin senatorët Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Mitch McConnell, i cili ishte udhëheqësi i republikanëve në Senat deri në fillim të këtij muaji.

    Zoti McConnell tha se zoti Hegseth nuk kishte demonstruar se kishte aftësi për të menaxhuar në mënyrë efektive një organizatë kaq të madhe dhe komplekse sa ushtria. “Thjesht dëshira për të qenë një “agjent ndryshimi” nuk mjafton për ta marrë këtë rol”, tha senatori McConnell në një deklaratë.

    Zoti Hegseth, një ish-gazetar i kanalit televiziv Fox News dhe ish-ushtarak i vlerësuar me medalje, është zotuar të bëjë ndryshime të mëdha në Pentagon.

    Demokratët në Senat ngritën një sërë pikëpyetjesh lidhur me kualifikimin, temperamentin dhe pikëpamjet e tij mbi rolin e grave ushtarake në fushëbetejë.

    Ekzistojnë qindra të tjerë pa bagazhin personal të akuzave për abuzim seksual, për abuzim bashkëshortor, që nuk janë akuzuar se kanë ardhur të dehur në punë apo abuzim që janë objekt i një raporti shumë të gjerë të shkruar nga bashkëpunëtorë joanonimë“, tha senatori demokrat Tim Kaine.

    Zoti Hegseth është një kandidat që ka shkaktuar më shumë debat për të arritur detyrën më të lartë në krye të forcave të armatosura amerikane.

    Z. Hegseth nuk ka treguar gjykimin e duhur për të qenë sekretar i mbrojtjes. Zoti Hegseth nuk ka treguar karakterin për të qenë sekretar i mbrojtjes, sepse kjo punë është një përgjegjësi e madhe dhe ai nuk është personi i duhur për këtë detyrë”, tha senatori demokrat Adam Schiff.

    Sekretari Hegseth do të drejtojë tashmë 1.3 milionë ushtarakë aktivë dhe rreth 1 milionë civilë, që punojnë për forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara, me një buxhet vjetor prej rreth 1 trilion dollarësh./VoA

  • Senati konfirmon Hegsethin në postin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes

    Senati amerikan e ka konfirmuar Pete Hegsethin në postin e sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, pas një votimi të ngushtë natën e së premtes.

    Hegseth u konfirmuar në këtë post pasi nënpresidenti amerikan, J.D. Vance, e hodhi votën vendimtare për të kur votimi ishte 50 për dhe 50 kundër tij në Senatin e udhëhequr nga republikanët. Tre republikanë iu bashkuan 47 senatorëve demokratë dhe të pavarur për të votuar kundër tij.

    Hegseth, 44-vjeçar, do ta udhëheqë një organizatë me gati 2.1 milionë gra e burra në uniformë, rreth 780.000 punonjës civilë dhe një buxhet prej 850 miliardë dollarësh.

    Si një ish-veteran i luftës dhe dikur prezantues televiziv në Fox News, Hegseth është zotuar se do ta sjellë një “kulturë prej luftëtari” në Pentagon.

    Gjatë procesit të nominimit, ai u përball me dyshimet a është mjaftueshëm i kualifikuar dhe me akuza se përdor me tepri pijet alkoolike dhe se ka sjellje agresive ndaj grave, por presidenti Donald Trump i qëndroi përkrah.

    Lideri i shumicës në Senat, John Thune, tha se Hegseth, veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan, “do ta sjellë një pikëpamje prej luftëtari” në detyrën më të lartë ushtarake.

    “Ditët e shpërqendrimeve ‘woke’ do të marrin fund”, tha Thune, duke iu referuar iniciativave për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje, të cilat Trump i kundërshton.

    “Fokusi i Pentagonit do të jetë në luftë”, shtoi ai.

    Në deklaratën e tij hapëse para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura më 14 janar, Hegseth tha se programet për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje e politizojnë ushtrinë.

    Senatori Roger Ëicker, kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se vlerëson Hegsethin si “patriot të vërtetë, komunikues të shkëlqyer dhe agjent të mundshëm të ndryshimit që do të sjellë reforma shumë të nevojshme në Pentagon”.

    Hegseth do të ndihmojë në rikthimin e “paqes përmes forcës”, shtoi ai.

    Hegseth i kishte mohuar akuzat për sjellje abuzive ndaj grave dhe ishte zotuar se, nëse konfirmohej, nuk do të pinte gjatë punës. Por, demokratët mbetën skeptikë dhe qëndruan të bashkuar në kundërshtimin e tyre.

    “Është Pete Hegseth me të vërtetë më i miri që mund të ofrojmë?” tha senatori demokrat Jack Reed, anëtar i rangut në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, në një fjalim para votimit.

    Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Mitch McConnell ishin tre senatorët republikanë që votuan kundër konfirmimit të Hegsethit.

    Murkowski tha në një deklaratë se sjelljet e Hegsethit “bien në kundërshtim të fortë” me atë që pritet nga ushtria.

    “Unë mbetem e shqetësuar për mesazhin që konfirmimi i Hegsethit ua dërgon grave që aktualisht shërbejnë dhe atyre që aspirojnë t’i bashkohen ushtrisë”, shtoi Murkowski.

    Collins tha se pas një diskutimi të gjatë me Hegsethin nuk ishte “e bindur që qëndrimi i tij mbi rolet e grave që shërbejnë në luftime, ka ndryshuar”.

    McConnell, ish-lideri i shumicës në Senat, kishte thënë më herët në një fjalim se do të votonte për t’i konfirmuar në pozicione të larta të sigurisë kombëtare ata kandidatë “e kaluara dhe përvoja e të cilëve i bën ata asete të menjëhershme, jo pengesa”./REL