Ballina

Etiketë: person i zhdukur

  • Dy gra raportohen të zhdukura, njëra në Vushtrri e tjetra në Malishevë

    Dy gra janë raportuar të zhdukura brenda 24 orëve të fundit – sipas Raportit të Policisë së Kosovës.

    Një rast është raportuar në Vushtrri dhe një rast tjetër në Malishevë.

    Sipas Raportit 24-orësh, nga 11.01.2025 në Vushtrri një person i gjinisë femërore është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për lokacionin e saj. Rasti u raportua tek organet e rendit nga motra e saj.

    Ndërsa në Malishevë, nga data 14.01.2025, nuk dihet vendndodhja edhe e një gruaje tjetër.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk di për vendndodhjen e saj.” – thuhet në Raportin policor, më 17.01.2025.

    Rasti është nën hetime.

  • Raportohet e zhdukur një vajzë në Rahovec

    Një burrë ka raportuar në Policinë e Kosovës se vajza e tij është zhdukur. 

    Sipas Policisë, prindi i viktimës ka njoftuar se vajza e tij nga data 13.01.2025 është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihet më për vendodhjen e saj. 

    Rasti raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Xhelal Hajda”, në Rahovec. 

     

     

  • Është raportuar e zhdukur që nga nëntori, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 25-vjeçares (FOTO)

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion për vendndodhjen e qytetares Arianita Gajtani, e cila është raportuar e zhdukur nga data 20.11.2024.

    Sipas njoftimit të Policisë, Gajtani është banuese në Lipjan dhe që nga koha kur është raportuar “e zhdukur” Policia ka ndërmarrë një varg veprimesh.

    Policia ka bërë intervistime të personave të cilët mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së Gajtanit, kontrollimin e hyrjeve-daljeve në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që ajo i kishte frekuentuar zakonisht – ambiente të mbyllura e të hapura, analizimin dhe hetimin e çdo lloj informacioni që lidhet me të.

    “Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar. Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato Policisë përmes numrit 192.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 14.01.2025.

  • Detaje nga Policia për rastin e 27-vjeçarit që dyshohet se ka rënë nga Ura e Fshajt

    Kërkimet për 27-vjeçarin e zhdukur që dyshohet të ketë rënë nga Ura e Fshajt më 24.12.2024 kanë përfunduar pa sukses për këtë të premte, njoftoi zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

    Gashi tha se kërkimet do të vazhdojnë përsëri.

    ”Prej datës 25.12.2024 hetuesit rajonalë kanë vazhduar kërkimet në mënyrë intensive në kërkim të tij. Të njëjtit në mënyrë intensive dhe në bashkëpunim me qytetarët i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për gjetjen e personit në fjalë por ka rezultuar pa sukses. Me datë 4-5 janar, nga Ura e Fshejt deri te një pjesë e tunelit është kërkuar por ka rezultuar pa sukses, është kërkuar ndihma e FSK-së dhe sot kanë nisë me kërkim deri te Ura e Rugovës, por edhe këto nuk kanë rezultuar me sukses. Kërkimi do të vazhdojë nesër por për sot kanë përfunduar kërkimet për shkak te kushteve dhe dukshmërisë”- tha Gashi për KALLXO.com.

    Personi i zhdukur me inicialet A.H. është nga komuna e Gjakovës.

    Më 10.01.2025, FSK-ja njoftoi se ka angazhuar ekipe të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit malor dhe ujor në kërkim të një 27-vjeçari.

    FSK-ja theksoi se angazhimi i ekipeve erdhi me kërkesën e Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në koordinim me Policinë e Kosovës të rajonit të Gjakovës.

    https://kallxo.com/lajm/dyshohet-se-nje-27-vjecar-i-zhdukur-ka-rene-nga-ura-e-fshajt-fsk-angazhon-ekipe-per-kerkim/

     

  • Dyshohet se një 27-vjeçar i zhdukur ka rënë nga Ura e Fshajt – FSK angazhon ekipe për kërkim

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar ekipe në kërkim-shpëtim për gjetjen e një 27 vjeçari të zhdukur, që dyshohet të ketë rënë nga Ura e Fshajt më 24 dhjetor 2024.

    Personi i zhdukur me inicialet A. H. është nga Komuna e Gjakovës.

    “Ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë filluar operacionin e kërkim-shpëtimit malor dhe ujor në kërkim të një 27 vjeçari, me inicialet A. H. nga Komuna e Gjakovës, i cili dyshohet të ketë rënë nga ura e Fshajt më 24.12.2024.” – thuhet në njoftimin e FSK-së.

    FSK thekson se angazhimi i ekipeve erdhi me kërkesën e Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në koordinim me Policinë e Kosovës të rajonit të Gjakovës.