Ballina

Etiketë: Pejë

  • E ekspozoi armën në ballkon, i dyshuari në Pejë u drejtohet policëve: “Nëse afroheni, do t’ju gjuaj…”

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 14.01.2025, ka arrestuar një person në Pejë për “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim të armës”.

    Sipas Policisë, i dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar – duke iu thënë policëve se “nëse afroheni, do t’ju gjuaj ose do ta vrasë veten.”

    Policia kishte marrë fillimisht informatën se në rrugën “Ali Bajraktari” në Pejë ka të shtëna me armë.

    Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku fillimisht i dyshuari është vërejtur me armë – duke e ekspozuar në ballkonin e banesës.

    I njëjti më pas – sipas Policisë – ka refuzuar të dorëzohet, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë se nëse afroheni do t’i gjuante ose do ta vriste veten.

    Pas një kohe negocimi me të dyshuarin, i njëjti është qetësuar dhe më pas edhe arrestuar.

    Nё banesën e tё dyshuarit janё gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkё automatike dhe 1 karikator i sё njëjtёs armё; 1 armё pistoletё Zoraki; 36 fishekё kal: 7.63×39; 35 fishekё kal:32; 3 gёzhoja kal: 7.63×39; 2 gёzhoja kal: 32 auto; 1 thikё.

    Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.

  • Kurti në Pejë: Me qeverisjen tonë Kosova u bë shtet i taksapaguesve të rregullt

    Lëvizja Vetëvendosje më 13.01.2025 e ka vazhduar fushatën elektorale me një tubim të organizuar në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

    Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij tha se fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka fuqi që mund ta ndalë, pasi sipas tij, populli tashmë ka vendosur.

    Ai ka thënë se katër vite kanë qeverisur mirë, bashkë dhe drejt, duke theksuar se më 2024 bruto produkti është 30 për qind më i madh se në vitin 2021.

    Kurti nga Peja ka përmendur edhe opozitën, duke e kritikuar për borxhet që i kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.

    “Ne vendosim rekorde në fusha të jetës e të punës, opozita vendos rekorde në analista të studiove televizive. Ne veprimtarë, ata analistë. Ne në frymë e në fakte, ata në rrena e shpifje. Një nga rekordet më domethënëse, ne e ngritëm numrin e të punësuarve në vendin tonë, andaj le ta thyejmë edhe këtë rekord më 9 shkurt dhe ta thyejmë rekordin në punësim” – u shpreh Kurti.

    “Kosova me qeverisjen tonë të mirë u bë shtet i taksapaguesve të rregullt jo më shtet i pronarëve të mëdhenj”- tha tutje ai.

    Ndërsa, kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, i ka falënderuar të pranishmit për prezencën, duke u kërkuar gjysmë milion vota në Kosovë e mërgatë të cilat, sipas saj, bëjnë fitoren e madhe.

    Gërvalla tha se “opozita ka zgjedhur të jetë kundër qytetarëve në veri, duke i ofenduar e pranuar realitetin e ri – sundimin e ligjit”.

    Gjatë qëndrimit në Pejë, Kurti ka zhvilluar disa takime. Ai ka vizituar familjen e dëshmorit të kombit, Shpëtim Bojku.

    Kurti përmes një postimi në Facebook tha se sakrifica e Bojkut dhe e të gjithë të rënëve për liri mbetet frymëzim i përhershëm për të punuar me përkushtim për Republikën.

    “Sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve është themeli i shtetit dhe i lirisë që e gëzojmë.  Nderimi për veprën e tyre është i përhershëm siç është edhe mirënjohja për familjet e tyre. Në Pejë vizituam familjen e dëshmorit të kombit, Shpëtim Bojku. Një luftëtar i dalluar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me trimëri e përkushtim të pashoq luftoi për çlirimin e atdheut. Në betejën e lavdishme të Koshares, duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe, më 28 prill 1999, Shpëtim Bojku ra heroikisht në fushëbetejë” – ka shkruar Kurti.

    Ndërsa bashkë me ministrin Elbert Krasniqi kanë vizituar një familje të komunitetit egjiptian në Treboviq.

    Kryeministri shtoi se e kanë rritur mbështetjen për studentë dhe nxënës dhe i kanë shtuar vendet e punës bashkë me krijimin e skemave sociale në mbështetje të tyre.

    Lëvizja Vetëvendosje tubime të tilla ditëve të kaluara ka organizuar edhe në Mitrovicë e Gjakovë.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet e 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Këto raste janë regjistruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë dhe Malishevë.

    Më 09.01.2025, një burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psiqike dhe ka kanosur një grua. Sipas Policisë, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje. 

    Në të njëjtën ditë, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje në Fushë Kosovë. Sipas Raportit të Policisë së Kosovës, një burrë dyshohet se vazhdimisht kishte shqetësuar një grua. 

    “Lidhur me rastin i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin Policor, më 10.01.2025. 

    Ndërkaq në Podujevë raportohet se një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje, më 09.01.2025. Organet e rendit kanë treguar se viktima është kthyer në shtëpinë e familjarëve të saj, derisa i dyshuari është ende në arrati. 

    Në një qytet tjetër të Kosovës, në Gjilan një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi një burrë dyshohet se e sulmoi atë fizikisht. Policia tregon se i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti i inicuar si ‘lëndim i lehtë trupor’  dhe ‘dhunë në familje’ ka ndodhur më 07.01.2025.

    Në Pejë është regjistruar një rast kur një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër. Në këtë rast Policia e Kosovës njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas Policisë, e dyshuara është në arrati. 

    Policia njofton edhe për një rast tjetër të dhunës në familje në Malishevë.  Raportohet se pas një përleshjeje mes dy burrave, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore. 

    “Ndërsa i dyshuari mashkull kosovar pas rastit ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është hasur nga Policia.” – njofton Polica e Kosovës në Raportin e datës 10.01.2025.

  • Vidhet një armë me dy karikatorë në Klinë

    Disa persona të panjohur dyshohet se kanë vjedhur një pistoletë me leje valide dhe dy karikatorë me fishekë, në një shtëpi në Klinë.

    Sipas policisë, rasti është nën hetime teksa është raportuar më 02.01.2024 në orën 23:00.

    “Policia është njoftuar  se nga persona/a të panjohur nga një shtëpi është vjedhur një pistoletë me leje valide dhe dy karikatorë me fishekë. Rasti është nën hetime”- thuhet në raport.

  • Plagosje aksidentale në Rugovë

    Një plagosje aksidentale  është raportuar në Rugovë të Pejës.

    Policia ka njoftuar se rasti është regjistruar në orët e para të datës 06.01.2025.

    Sipas raportit ditor të policisë, dyshohet se plagosja ishte aksidentale me armë zjarri dhe një person ka marrë plagë.

    Viktima në këtë rast pas ngjarjes është dërguar në spital dhe në bazë të deklaratave të mjekëve, I njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

    Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar në Pejë.

    I dyshuari për plagosjen është intervistuar dhe me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.