Ballina

Etiketë: Pejë

  • Abdixhiku në Pejë kritikon punën e LVV-së, fton dukagjinasit të rreshtohen kah LDK-ja

    Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, më 26.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Palestrën “Karagaç” në Pejë.

    Abdixhiku, tha se në Pejë ka lindur LDK-ja, teksa i ftoi qytetarët të rreshtohen krah misionit të presidentit historik Ibrahim Rugova.

    “‘Karagaçi’ është bjeshkë, sikurse bjeshkët e Rugovës. Duhet matur mirë e mbarë përpara se t’ia mësysh asaj. Por, kur e nënvlerëson, kur e lë atë thatë, kur e mbush me perde të zeza përrreth, pra ia humb të gjithë magjinë e madhështinë, kjo sallë edhe ta humb kontrollin. Ta humb kontrollin aq shumë sa dikur ia nis me mbytë miza imagjinare në këtë sallë, në Karagaç. Për të gjithë ata që nga “Karagaçi” i Pejës, nga kjo sallë me kaq histori, kërkuan mbytjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, na shihni për pak, na shihni për rreth, na shihni e dëgjoni me shumë kujdes”- tha Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së e përmendi edhe fitoren që populli i Kosovës ia dha partisë në pushtet, por sipas tij, për katër vjet, puna e vetme e Kurtit është ura dy metërshe në Saradran.

    “Kosova e sanksioneve, Kosova e mbylljes, Kosova e masës, Kosova e përplasjes me aleatë, Kosova e përplasjes me shqiptarë në rajon e me shqiptarë në Kosovë, nuk është Kosova e të djathtëve, nuk është e patriotëve të Dukagjinit, nuk është Kosova e Ibrahim Rugova, nuk është Kosova e LDK-së”- tha ai.

    Ai në Pejë ka premtuar ndërtimin e stadiumit të qytetit, përfundimin e autostradës Kjevë – Zahaq, riasfaltimin e rrugës për Rugovë e të tjera.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të shtunën, më 25.01.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 35/10kV Besia do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J03 Prugovc (kodi: 10013012) nga ora 09:00 deri në ora 17:00

    Vendet: Barilevë Lecët, Te kanali Besi, Leban te baza 1, Prugovc Extra Dragusha, Leban Dobratiqët, Besi Ambulanca 1, Rimanishta, Betonjerka private Lebanë, Objekti privat Deshishku, Zenit, Jaha Company dhe Prugovc Zuqollët

    Arsyeja: Projekte investive, zhvendosoja e TSB Lebane te Baza.

    Pejë

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga NS 110/35/10 kV Peja 1 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Agrokosova (kodi: 50000007) prej orës 10:00 deri në ora 15:00.

    Vendet: Fabrika e bukës, Rruga e Hekurudhës, Agrokosova, Elkosi Te Çekët, Motohia Remont, Deminerët, Kristali, Pularia, Kolonia e Sheqeranës, Elkosi te ETC, Buquku, Gacafer dhe Tyrbeja.

    Arsyeja: Punëve që duhet të kryhen, sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar, realizimi e sistemit hyrje/dalje 10 kV.

    Ferizaj

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga NS 110/35/10[kV] Lipjan do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Banulla (kodi: 41000012) nga ora 10:00 deri në ora 16:00

    Vendet: fshatrat: Banullë, Gadime e Ulët (një pjesë), Gllogc, Gumnasellë, Lagjja e Burimit (një pjesë), Lipjan (një pjesë), Llugaxhi, Pojatë, Rubofc (një pjesë) dhe udhëkryqi Janjevë-Lipjan (një pjesë), si dhe rrugët: Bajram Gashi (një pjesë), Ganimete Tërbeshi, Qamil Olluri (një pjesë), Sadik Shala dhe Shën Flori.

    Arsyeja: Realizimi i sistemit hyrje/dalje 10 kV, sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar, si dhe rekomandimeve nga komisioni i pranimeve teknike.

    Gjilan

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga NS 110/10kV Gjilani 5 do të ndërprehet:

    NS 10/04kV-TS Livoç i Epërm (kodi: 63000011263) 10:00 deri 15:00

    Vendet: Livoç i Epërm.

    Arsyeja: Kryerja e punimeve sipas Zgjidhjes Teknike nr. 14731 e dt. 11. 10. 2024

  • Policia jep detaje për shpërthimin në një dyqan në Pejë

    Një person në Pejë ka raportuar të entjen më 23.01.2025 se persona të panjohur kanë hedhur mjet shpërthyes në dyqanin e tij.

    Policia ka bërë të ditur se si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderushme materiale.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori.

  • Në një lokal në Pejë u hodh granatë dore – Policia në kërkim të të dyshuarve

    Një mjet shpërthyes dyshohet se është hedhur në drejtim të një lokali në Pejë, pak orë pas mesnate.

    Mjeti shpërthyes dyshohet se ishte granatë dore, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se nuk ka të lënduar.

    “Sot, më 23.01.2025, rreth orës 02:05 minuta, Policia është informuar nga viktima se në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë, në një lokal, dyshohet se persona të panjohur kanë gjuajtur një mjet shpërthyes, në objektin e tij që dyshohet të jetë granatë dore.” – tha zëdhënësi i Policisë së Pejës, Driton Rugova, më 23.01.2024.

    Rugova ka thënë më tej se të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur dhe Policia e Kosovës është në kërkim të tyre.

    “Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe për rastin u njoftua, po ashtu, edhe Prokurori i Shtetit. Policia është në kërkim të personave të dyshuar, kurse rasti cilësohet, si: ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.” – përfundoi Rugova për KALLXO.com.

  • Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim të Pejës, dëshmitarja rrëfen për vrasjen e prindërve, motrës dhe gjyshes së saj

    Në gjykimin e Millorad Gjokoviqit, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në seancën e së hënës, 20.01.2025, janë dëgjuar dy dëshmitare.

    I pandehuri Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

    Dëshmitarja Albina Krasniqi deklaroi se gjatë luftës viteve 1998-1999 ka qenë në fshatin Zahaq, ndërsa në fshatin Ozdrim, në shtëpinë e saj, është kthyer pasi kishte përfunduar lufta.

    Dëshmitarja deklaroi se kur ishte kthyer në shtëpi e kishte parë shtëpinë e djegur dhe vendet ku ishin vrarë familjarët e saj.

    “Aty e kam pa shtëpinë e djegur, aty u kanë dhoma ku janë vra nana edhe motra. Ka pasë shumë plumba. Edhe në korridor u vra baba dhe gjyshja. Një pjesë e korridorit u kanë krejt e gjakosur” – tha ajo.

    Dëshmitarja deklaroi se më 07.05.1999 i ishin vrarë prindërit, motra dhe gjyshja, ndërsa ajo më 17.06.1999  kishte kuptuar për vrasjen e tyre, dhe këtë e kishte kuptuar nga një familjar i saj.

    Dëshmitarja Albina Krasniqi tha se trupat se familjarëve të saj ende nuk janë gjetur.

    Në pyetjen e prokurores Ajshe Ferati se a e kishte kuptuar se kush kanë qenë vrasësit e familjes së saj, dëshmitarja Krasniqi tha se e ka kuptuar dhe se pjesë e asaj vrasje është edhe i akuzuari Gjokoviq.

    “Po, e kam kuptu, ka qenë Çeda, Çedomir mbiemrin nuk e di, pjesë e asaj vrasje është edhe personi këtu”- tha dëshmitarja Krasniqi.

    “Pse po mendon që Çedomiri është vrasësi i familjes tuaj?” – ishte pyetja e radhës nga prokurorja Ferati.

    “Është shume e qartë, se ai gjithmonë ka qenë kundër familjes time, sepse me prindin tim kanë pasë gjithmonë konflikte, sepse ne jemi kanë kojshi”- u përgjigj dëshmitarja Krasniqi.

    Në pyetjen se a e kishte njohur më herët të pandehurin Gjokoviq, dëshmitarja tha se ajo personalisht nuk e ka njohur.

    “Nuk e kam njoftë personalisht unë, po e kam njoftë në bazë të fjalëve të babës, se ka qenë një periudhë në vitin 1998, e di saktë që e ka përmend prindi jem që ky personalisht i ka thanë: “Kam me të vra, kam me të zhdukë me familje’”- tha dëshmitarja Krasniqi.

    Tutje, dëshmitarja Krasniqi tha se të pandehurin nuk e ka njohur me emër, mirëpo e ka njohur me pseudonimin si “Mici”.

    Tutje, në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Elmira Nurkoviq, e cila deklaroi se gjatë vitit 1998 kishte qenë në Mal të Zi, ndërsa në vitin 1999 kishte qenë në Ozdrim në shtëpinë e saj.

    Dëshmitarja Nurkoviq deklaroi se më 07.05.1999 kishte qenë në shtëpi me nënën dhe motrën e saj dhe tha se në shtëpinë e saj kishte ardhur një grup i forcave serbe dhe i kishin kërkuar shtëpitë e Krasniqëve.

    Dëshmitarja Nurkoviq tha se në ditën e shtatë pas ditës tragjike te shtëpia e Z.K.  kishte parë se kishte ardhur një ‘kombi’, ishin sjellë 4 herë dhe kishin sjellë diçka me thasë.

    E pyetur se a e kishte njohur të akuzuarin Millorad Gjokoviq, dëshmitarja Nurkoviq tha së për të kishte dëgjuar dhe e kishte ditur se ku kishte punuar, mirëpo kishte dëgjuar nga një fqinje e saj që i akuzuarit Gjokoviq kishte qenë prezent në ditën kritike, por që ajo personalisht nuk e kishte parë.

    Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për më 21.01.2025.

    Kjo çështje penale po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët, Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

    Sipas aktakuzës, i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

    Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensivë ushtarake-policore.

    Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të pagjetur.

    Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

    Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse 28 të tjerët i kishin ndarë në tri grupe, i kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

    Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

    Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.