Ballina

Etiketë: paraburgim

  • Therja me thikë në Ferizaj – Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit

    Dy ditë pasi u raportua se një person rreth 23-vjeçar është therur me thikë në Ferizaj, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve N. D. dhe E. P., për shkak të dyshimit të veprës penale “vrasja në tentativë”.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 25.01.2025, rreth orës 17:05, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pas një mosmarëveshjeje në komunikacion, të pandehurit për t’u sqaruar hynë në automjetin e të dëmtuarit L. Q.

    Prokuroria thotë se gjatë rrugës brenda veturës, të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin L. Q.

    “Pastaj përleshja vazhdon edhe jashtë veture, ku në një moment i pandehuri N. D. nxjerr një thikë nga xhepi dhe me dashje që ta privojë nga jeta e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë abdominale – duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i dëmtuari fillimisht dërgohet në Emergjencën e Ferizajt, pastaj dërgohet në QKUK – Prishtinë, ku i nënshtrohet operimit.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë, më 27.01.2025.

    Prokuroria shton se të dyshuarit, N. D. dhe E. P. dyshohet se në bashkëkryerje kryen veprën penale “vrasja në tentativë” nga Neni 172, lidhur me Nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

    “Të pandehurit që nga data 25 janar 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.” – ka njoftuar Prokuroria e Ferizajt.

    KALLXO.com raportoi për këtë rast, i cili u konfirmua nga Policia në Ferizaj dhe u njoftua se të dyshuarit ishin arrestuar fillimisht për lëndim të rëndë trupor.

    Policia njoftoi po ashtu se ishte sekuestruar arma e ftohtë – thikë, me të cilën dyshohet se është sulmuar i dëmtuari.

  • Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim për tre inspektorët e arrestuar të ATK-së

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj tre inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u arrestuan për marrje ryshfeti.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zyrtari për Komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi.

    I njëjti konfirmoi se seanca dëgjimore pritet të mbahet gjatë së martës, më 21.01.2025, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

    KALLXO.com ka raportuar, më 20.01.2025, lidhur me aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar – nën dyshime për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit  të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘marrja e ryshfetit’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masa të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

    Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.

    “Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim  të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të veprës penale ‘marrja e ryshfetit’, Neni 421 i KPRK-së.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë.