Ballina

Etiketë: OVL UÇK

  • Fushata e Koalicionit për Familjen takohen me Kryetarin e OVL-UÇK-së

    Më 28.01.2025, drejtuesit e Koalicionit për Familjen janë takuar me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

    Eman Rrahmani, Selim Pacolli, Ferid Agani dhe Fatmir Smajli janë takuar edhe me ish-pjesëtarin e UÇK-së, Fatmir Sopi.

    Sipas njoftimit, gjatë takimit, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me të drejtat dhe sfidat me të cilat përballen veteranët – duke përfshirë përmirësimin e kushteve sociale, shëndetësore, si dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.

    Ndërsa thuhet se liderët e Koalicionit theksuan angazhimin e tyre të fortë për mbështetje konkrete dhe intensivimin e Dialogut, me qëllim që të zgjidhen problemet që prekin kategoritë e dala nga lufta.

    “Ata u shprehën të vendosur për të punuar së bashku për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për ish-luftëtarët – duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe duke ruajtur nderin dhe dinjitetin e tyre.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa tutje thuhet se ky takim është një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe veteranëve, me qëllim krijimin e mundësive të reja për përmirësimin e jetës së tyre dhe të ardhmes së vendit.

    Koalicioni për Familjen po e vazhdon garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • OVL e UÇK-së zgjodhi Kryesinë e re

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka njoftuar se ka zgjedhur Kryesinë e re të kësaj organizate sot më 25.01.2025.

    Përmes një njoftimi në Facebook, OVL e UÇK-së ka publikuar emrat e anëtarëve.

    “Të vetëdijshëm për punën dhe detyrat që presin kryesinë e OVL–UÇK-së, të gjithë u zotuan për angazhimin, bashkëpunimin për mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani kur lufta e drejtë e UÇK-së po përballet më procese gjyqësore të padrejta, çdo herë misioni i OVL–UÇK-së do jetë mbrojtja dhe lufta kundër Gjykatës Speciale dhe këtyre gjyqeve të montuara, të padrejta dhe politike”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim bëhet e ditur se anëtarë të kryesisë së re janë:

    Fatmir Sopi, Gazmend Syla, Rafet Llapashtica, Fetah Bekolli, Jetullah Geci, Ali Mejzinolli, Istref Asllani, Shkumbin Demaliaj, Hajdin Balaj, Avdyl Krasniqi, Ilmi Ramusholli, Enver Hajdari, Destan Zekolli, Emin Lati, Alban Asllani, Salih Krasniqi, Rafet Ibishi, Bajram Mehmetaj, Muhamet Aliu, Arben Bazaj, Isuf Mazreku, Orhan Bislimaj, Bujar Haradinaj dhe Ramadan Gashi.

    Ndërsa kryetari i kësaj shoqate ditë më parë është zgjedhur Hysni Gucati.

  • Hysni Gucati zgjidhet kryetar i OVL-UÇK-së

    Hyseni Gucati është zgjedhur kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 18.01.2025.

    Gucati ka marrë besimin e anëtarëve të OVL – UÇK-së për ta drejtuar këtë organizatë përsëri për një mandat të ri 4-vjeçar.

    Kandidatë për kryetar të kësaj organizate ishin Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

    Gucati gjatë fjalimit tha se kandidaturën e tij për kryetar e shpalli për të vazhduar përkushtimin tij në mbrojtje të vlerave të luftës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai u zotua se do të kryejë punën me dinjitetin në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe veteranëve të luftës.

    Gucati kishte ndërprerë drejtimin e OVL-së pas arrestimit të tij nga Gjykata Speciale më 25.09.2020 në Prishtinë bashkë me Nasim Haradinajn.

    Krerët e OVL-UÇK-së Gucati dhe Haradinaj më 18.05.2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

    Ata u gjetën fajtorë se mes datave 7 dhe 25.09.2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

    Pas arrestimit të tyre, drejtimin e OVL-UÇK-së e ka marrë Faton Klinaku si ushtrues detyre i kryetarit.

  • Klinaku: Rritja për veteranët do të jetë 34 euro, nëse votuesi mashtrohet përsëri kjo është çështje e tij

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK (OVL UÇK), Faton Klinaku ka thënë se rritja e pensioneve për 20% për veteranët e UÇK-së do të jetë 34 euro.

    Në postim ai ka përmendur se si kjo Qeveri ka hequr nga paga minimale veteranët e UÇK-së dhe si rrjedhojë rritja për ta do të jetë vetëm 34 euro.

    “Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë, do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, Vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€. Pra, në vend se veteranët t’i merrnin 350€, tash do t’i marrin 204€.” – ka shkruar ai në Facebook, më 10.01.2025.

    Klinaku ka thënë, po ashtu, se kanë kaluar katër vjet dhe çështja e verifikimit të veteranëve nga kjo Qeveri, sipas tij, ka qenë vetëm farsë.

    “Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre është që të mos i besojnë më mashtrimit.” – ka shkruar në fund Klinaku.

    Në mbledhjen e mbajtur më 10.01.2025, Qeveria e Kosovës aprovoi rritjen prej 20% të pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, për invalidët dhe familjet e invalidëve të UÇK-së, për familjet e viktimave civile dhe të zhdukurve civilë të luftës dhe shtesat për përkujdesje për invalidët e luftës (UÇK dhe civilë).

    Në Konferencën e mbajtur pas mbledhjes, ministri i Financave Hekuran Murati ndau detaje se sa para do të marrin këto kategori.

    Murati tha se për familjet që kanë pasur një dëshmor, pensioni ka qenë 448 euro dhe do të rritet në 537 euro; për familjet që kanë dhënë dy dëshmorë, pensioni ka qenë 537 euro, derisa do të rritet në 806 euro; familjet me tre dëshmorë do të marrin 1,075 euro; familjet me katër dëshmorë kanë marrë 627 euro dhe pas rritjes do të marrin 1,344 euro, ndërsa familjet me më shumë se katër dëshmorë do të marrin 1,613 euro.

    Për kategoritë e invalidëve të luftës pensioni ka qënë 448 euro, për invalidin me dëmtim trupor prej 80%, ndërsa pas rritjes do të bëhet 537 euro.

    Sipas këtij Vendimi, ata që fitojnë mbi 20% janë familjet që kanë dëshmorë, të zhdukur apo viktima.

    Ministri shtoi se ky Vendim u bë për shkak të rritjes ekonomike e jo Zgjedhjeve.

    “Ka qëlluar që Zgjedhjet të mbahen në muajin shkurt, po të mbaheshin në ndonjë muaj tjetër, përsëri do të ishte ky cikël, për shkak se buxheti miratohet në muajin tetor të vitit të kaluar e ekzekutohet në janar të vitit pasues.” – bëri të ditur Murati.

    https://kallxo.com/lajm/nje-dite-para-fillimit-te-fushates-zgjedhore-qeveria-rrit-pensionet-per-kategorite-e-dala-nga-lufta/

    https://kallxo.com/lajm/sa-para-do-te-marrin-kategorite-e-dala-nga-lufta-pas-rritjes-se-pensioneve-per-20/