Osman Kastrati është shpallur “fajtor” dhe është dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 3 vjet e 2 muaj burgim për veprën penale ”organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
I njëjti nga Prokuroria po akuzohet se nga data 26.01.2013 e në vazhdimësi kishte marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Al Nusra”, në shtetin e Sirisë, duke iu bashkuar kësaj Organizate më 26.01.2023, në atë mënyrë që i njëjti kishte udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në Stamboll të Turqisë.
Në këtë dënim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 06.11.2024 deri në plotfuqishmërinë e këtij Aktgjykimi.
Po ashtu të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij Aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Shpallja e këtij Aktgjykimi u bë nga gjyqtari Kujtim Krasniqi në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.
Kjo çështje penale mori epilog, pasi që paraprakisht para shpalljes së Aktgjykimit, në seancën dëgjimore është bërë aprovimi i Marrëveshjes për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Osman Kastrati.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë Speciale?
Sipas Dosjes së Prokurorisë i akuzuari Osman Kastrati nga data 26.01.2013 e në vazhdimësi kishte marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Al Nusra”, në shtetin e Sirisë, duke iu bashkuar kësaj Organizate më 26.01.2023, në atë mënyrë që i njëjti kishte udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në Stamboll të Turqisë.
Në Aktakuzë thuhet se nga aty me disa persona të tjerë të paidentifikuar deri më tani e kishte kaluar në territorin e Sirisë dhe i ishte bashkuar Organizatës terroriste “Al Nusra”, pjesëtarët e së cilës, të pandehurit i kanë caktuar detyra konkrete operative në territorin e quajtur “Gota”, që gjendet afër qytetit të Damaskut.
Tutje, në Aktakuzë thuhet se të njëjtin e kishin pajisur me armë automatike të llojit AK-47 dhe municion, me qëllim që të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga udhëheqësit e kësaj Organizate. Me këtë kishte kryer veprën penale: “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.