Ballina

Etiketë: objektet paralele ne veri

  • Mbyllja e institucionit paralel në Veri – Sveçla: Do ta luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka ka reaguar në lidhje me mbylljen objektit që ka funksionuar si zyrë tatimore e Serbisë.

    Aktiviteti ilegal i Agjensionit Tatimor të Serbisë, sipas tij, do të hetohet nga të gjithë mekanizmat institucionalë.

    Sveçla ka potencuar se “do të vazhdohet të luftohet çdo paralelizëm kriminal i Serbisë përballë institucioneve të Republikës së Kosovës”.

    “Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin.” – ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.

    Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore, si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.