Ballina

Etiketë: Nisma Socialdemokrate

  • Daut Haradinaj në Skenderaj: Kur u bashkuan Drenica dhe Dukagjini e larguan Serbinë nga këtu

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 me tubim në Skenderaj më 19.01.2025.

    Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se kur u bashkuan Drenica dhe Dukagjini e larguan Serbinë nga Kosova. “Sot jemi bashkuar për ta bërë Kosovën anëtare të NATO-s” – ka shtuar ai.

    “Skënderaj ja din rëndësinë sigurisë së Kosovës, dha gjithçka çka kishte për lirinë saj. Skënderaj me Gjeneral Nuredinin dhe Gjeneral Kodrën, sot i dhanë besën Koalicionit për Kosovën Fituese, sepse vetëm përmes kësaj liste dalim ballëhapur para qytetarëve tanë duke ju dhënë siguri, mirëqenie dhe integrim”- ka shkruar ai.

    Ndërsa ka thënë se koalicioni është krijuar mbi parimin e bashkimit për fitoren e Kosovës.

    Ndërsa, kandidati për deputet, Nuredin Lushtaku, ka thënë se ky tubim ka dëshmuar se bashkimi i një populli nuk ndalet nga asgjë.

    “Ky nuk ishte vetëm një tubim – ishte një mesazh i fuqishëm që shpresa dhe guximi janë forca jonë më e madhe. 137 është më shumë se një numër; është sinjali i një epoke të re, i një udhëheqjeje që mendon për qytetarin, për të drejtën, për fitore të përbashkët”- ka thënë ai.

    Lushtaku ka thënë se do ta ndërtojnë një Kosovë ku askush nuk mbetet prapa dhe të gjithë jetojnë me dinjitet.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

     

  • Berisha: Policët serbë që kanë dhënë dorëheqje me urdhër të Vuçiqit s’kanë vend në Policinë e Kosovës

    Kandidatët për deputetë nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal, në emisionin “Debat Përnime”, më 17.01.2025, kanë shpalosur disa nga prioritetet në fushën e sigurisë.

    Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe çështja e policëve serbë, të cilët në vitin 2022 kishin dorëzuar uniformat e Policisë së Kosovës.

    Kandidati për deputet, Zafir Berisha, lidhur më këtë tha se ata policë që kanë dhënë dorëheqje me “urdhër të Aleksandër Vuçiqit” nuk kanë më vend në Policinë e Kosovës.

    Për inkuadrimin e tyre në Polici, sipas Berishës, të dorëhequrit duhet t’iu nënshtrohen procedurave.

    “Konsideroj se kjo është një kapitull i mbyllur. Këta që e kanë lëshuar Policinë me urdhër të Vuçiqit, mendoj se nuk kanë vend në Policinë e Kosovës… Ata duhet t’i nënshtrohen një procedure të rregullt të inkuadrimit dhe natyrisht duhet të përshtaten me realitetin që është krijuar.” – ka thënë Berisha.

    Tutje, ai foli edhe për çështjen e Vetting-ut në Policinë e Kosovës.

    “Drejtoria Përgjithshme dhe mekanizmat udhëheqës brenda Policisë, në momentin e avancimit në pozicione të ndryshme do ta kenë edhe certifikatën e pastërtisë, që nënkupton duhet me i kalu disa filtra, që për fatin e keq deri tash nuk janë bërë.” – tha Berisha.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/direkt-ne-nato-plani-i-koalicionit-aak-nisma-per-sigurine-ne-kosove/