Ballina

Etiketë: ngrohja

  • Biblioteka në Mitrovicë – Ankesa për mungesë të Ngrohjes, flasin nga Komuna dhe Ndërmarrja përgjegjëse

    Në Bibliotekën e Qytetit “Latif Berisha” në Mitrovicë të Jugut, më 22.01.2025, u panë vetëm tre studentë që shfrytëzuan hapësirën për lexim.

    Lexuesit dhe stafi i Bibliotekës thonë se po e sfidojnë të ftohtin, në objektin në të cilin Ngrohja po sigurohet vetëm deri rreth mesditës. Ata theksojnë se detyrohen të marrin me vete pajisje për ngrohje. Ndërkaq, nga Komuna thanë se kanë intervenuar për rregullimin e ngrohjes, ndërsa edhe nga Ndërmarrja Qendra Multifunksionale OMNI Sport – përgjegjëse për Ngrohjen bëjnë të ditur se problemi është sanuar.

    Për lexuesit, Biblioteka hapet në ora 8 të mëngjesit. Stafi punon deri në orën 16:00, kurse lexuesit mund të shfrytëzojnë hapësirat e saj deri rreth orës 19:00.

    Studentët e Stomatologjisë, në kushte anonimiteti thanë për KALLXO.com se ngrohjet e kësaj ndërtese janë funksionale vetëm deri rreth orës 12:00-13:00.

    “Ne vetë duhet me marrë nxemje prej shtëpisë, me pasë pak ngrohtë, deri kur përfundojmë kohën e leximit.” – tha njëri prej studentëve.

    Biblioteka e Qytetit në Mitrovicë / Foto: Arbnora Pllana | KALLXO.com

    Biblioteka më herët shfrytëzohej edhe nga studentë të Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, të cilët janë nga Mitrovica.

    “Që nga muaji tetor i vitit 2024 nuk jemi duke shkuar në Bibliotekën e Qytetit, veç për shkak të të ftohtit.” – tha për KALLXO.com një student.

    Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka biseduar me udhëheqës të Bibliotekës.

    Mirlinda Beqiri-Bega, përgjegjëse për Bibliotekën e Qytetit, ka thënë për KALLXO.com se për çështjen e ngrohjes kompetencat i ka Ndërmarrja publike lokale “Qendra Multifunksionale – OMNI Sport.”

    “Nxemjet lëshohen prej mëngjesit deri në ora 12:00 ose 13:00, pastaj ndërprehet në krejt objektin. Do të thotë kjo është nga Menaxhmenti i OMNI Sport, jo Biblioteka përgjegjëse, jo Drejtoria e Kulturës. As Komuna, por OMNI Sport e ka barrën kryesore për aktivizimin e nxemjes.” – është shprehur Beqiri-Bega.

    Ajo thotë se është vështirë për stafin të qëndrojë për tetë orë në hapësira të ftohta, ndaj kanë improvizuar me disa pajisje vetanake.

    “Kemi bërë disa herë Kërkesa. Edhe për ne si staf me qëndru këtu 8 orë nuk është komod. Po e sheh gjendjen me nxemse, improvizuese janë krejt, ku secili e mbajmë afër. Nuk është ajo qetësia, që me nejt në vendin e punës rehat.” – theksoi ajo.

    “Ka rënë niveli i studentëve për lexim, nuk ka ngrohje, sepse nuk as internet si më herët. Me vërshimet e bëra para dy vjetëve kanë ndodhur këto dëme.” – shtoi Beqiri-Bega.

    Biblioteka e Qytetit në Mitrovicë / Foto: Arbnora Pllana | KALLXO.com

    KALLXO.com ka kontaktuar edhe Komunën e Mitrovicës së Jugut.

    Më 21.01.2025, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari ka thënë se pas disa defekteve janë detyruar që ngrohjet të ndalen në ora 12:00.

    “Dje kam biseduar menjëherë me menaxhmentin e OMNI Sportit. Më kanë njoftuar se kanë pasur disa defekte të vogla, që janë detyruar t’i ndalin në ora 12:00.” – është shprehur Jashari.

    “Jemi dakorduar që Ngrohjet të mos ndalen deri në ora 15:00.” – theksoi më tej ai.

    Tutje, ka shtuar se më 21.01.2025 ka biseduar me zyrtarët e Bibliotekës dhe sipas tij gjendja qëndron më mirë.

    Një ditë më pas, më 22.01.2025, KALLXO.com qëndroi sërish në Bibliotekën e Qytetit, ndërsa zyrtarë të saj thanë se gjendja me mungesën e Ngrohjes është e njëjtë.

    Nga Komuna sërish thanë se situata është rregulluar.

    “Unë sot kam kontaktuar përsëri dhe më kanë thënë që janë në rregull.” – ka thënë drejtori Jashari, më 22.01.2025.

    Në anën tjetër menaxheri në Qendrën Multifunksionale OMNI Sport, Muhamet Sylejmani thotë se çështja e Ngrohjes është rregulluar.

    “Janë rregulluar Ngrohjet. Zakonisht prej orës 07:00 fillojmë, deri në ora 15:00. Po, ato e kanë edhe një Sistem të Ngrohjes, pastaj deri në ora 16:00 janë në funksion.” – theksoi ai.

    Sylejmani e mohon se ka pasur mungesë të Ngrohjes.

    “Nuk është e vërtetë. Unë kam qenë vetë në inspektim: edhe dje, edhe pardje. Në ora 14:00 kanë qenë të lëshuara dje dhe pardje deri në ora 15:00. Kanë qenë deri në ora 15:00, të lëshuara dy ditë: edhe më 21, edhe më 22.01.2025.” – tha ai për KALLXO.com.

  • 2024, viti i parë me ngritje mbi 1.5C të ngrohjes globale – thonë shkencëtarët

    Bota porsa ka përjetuar vitin e parë, në të cilin temperaturat shkuan mbi 1.5 Celsius se në kohën paraindustriale – kanë thënë shkencëtarët të premten, më 10.01.2025 – raporton Reuters.

    Këto të dhëna janë konfirmuar prej Shërbimit të Ndryshimit Klimatik të Bashkimit Europian, Kopernik (C3S), që ka bërë të ditur se ndryshimi klimatik po i çon nivelet e temperaturat në shkallë që nuk janë shënuar asnjëherë më parë, në kohën moderne të njerëzimit.

    “Trajektorja është thjesht e jashtëzakonshme.” – ka bërë të ditur drejtori i C3S-së, Carlo Buontempo, duke përshkruar sesi çdo muaj i vitit të kaluar ishte më i ngrohtë ose i dyti më i ngrohtë për atë muaj, prej nisjes së regjistrimit të temperaturave.

    C3S ka njoftuar se mesatarja e temperaturës në vitin 2024 ishte 1.6 shkallë Celsius më e lartë se në vitet 1850-1900, “periudha paraindustriale” para se njerëzit të nisnin djegien e fosileve që emetojnë dioksid karboni.

    Vjet ishte viti më i ngrohtë i botës, prej kohës kur nisi regjistrimi i temperaturave dhe gjithsecili vit i dhjetë vjetëve të kaluara ishte në mesin e dhjetë vjetëve më të ngrohta në historinë e njerëzimit.

    Zyra britanike e Shërbimi meteorologjik ka konfirmuar se viti 2024 me gjasë ka thyer tavanin prej 1.5 shkallësh të ngritjes së temperaturës, por duke konfirmuar se mesatarja ishte pak më e ulët, apo prej 1.53 Celsius. Edhe shkencëtarët amerikanë do të dalin të premten me publikimin e të dhënave të temperaturave për vitin e kaluar.

    Qeveritë kishin premtuar me Marrëveshjen e Parisit për Klimën më 2015 se do të mundoheshin të parandalonin ngritjen e temperaturave mesatare nën 1.5 shkallë Celsius, për të shmangur katastrofa të tjera më të ashpra dhe më të kushtueshme klimatike.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com