Ballina

Etiketë: ndikimi

  • Trump tërheq SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

    Presidenti amerikan, Donald Trump e ka tërhequr SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) – një hap që ka nxitur kritika të ekspertëve të shëndetit publik, me të marrë detyrën në ditën e parë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar – sipas kohës lokale amerikane – raporton televizioni amerikan CNN.

    Trump ka qenë kaherë kritik ndaj Agjencisë së Shëndetësisë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe Administrata e tij e kishte nisur zyrtarisht tërheqjen nga OBSH-ja në korrikun e vitit 2020, në kohën kur kishte nisur të përhapej pandemia COVID-19. Por katër vjet më parë, presidenti i atëhershëm, Joe Biden e kishte bllokuar tërheqjen amerikane nga kjo trupë e ngarkuar, me koordinimin e reagimit ndërkombëtar ndaj emergjencave shëndetësore, në njërin prej veprimeve të para që kishte ndërmarrë demokrati me të marrë timonin e Shtëpisë së Bardhë.

    Në tekstin e Urdhrit Ekzekutiv të Trumpit thuhet se “Organizata ka shpërdorur/menaxhuar keq pandeminë COVID-19, që buroi nga Vuhani në Kinë dhe krizat e tjera botërore të shëndetit”. Ka akuzuar OBSH-në edhe për dështim për të zbatuar reforma të nevojshme – duke vlerësuar njashtu se kjo Organizatë nuk ka demonstruar aftësinë për t’iu shmangur varësisë politike prej shteteve anëtare. Këto janë arsyet kryesore, sipas Administratës së re të Trumpit, pse SHBA-ja është tërhequr nga OBSH-ja.

    OBSH-ja nuk ka komentuar kërkesën e televizionit CNN, pas vendimit amerikan.

    Përderisa kongresistët e të dy krahëve politikë kishin kritikuar OBSH-në më 2020, kur Trumpi kishte ndarë mendjen për tërheqje. Shumë prej tyre kanë dënuar veprimin e Presidentit për tërheqje, në kohën kur bota po përballej me pandeminë më të madhe në shekullin e fundit.

    Shkencetari Ashish Jha, i cili kishte shërbyer si koordinator i Shtëpisë së Bardhë për reagim ndaj pandemisë gjatë Administratës së Bidenit, e ka quajtur vendimin e Trumpit si “gabim strategjik”. Ai ka parashikuar se Kina do të fuqizojë ndikimin në këtë Organizatë, në mungesë të përfaqësimit amerikan – duke ofruar fonde dhe lidership. Jha ka thënë se ko mund t’i japë Kinës më shumë “ndikim politik anembanë botës”.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Kinës i bie numri i popullsisë për të tretin vit me radhë

    Popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit me radhë më 2024, me numrin e vdekjeve që po ia marrin anën atyre të lindjeve dhe ekspertët druajnë se trendi mund të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme – ka raportuar të premten, më 17.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Zyra Kombëtare e Statistikave ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i banorëve në Kinë ka shënuar rënie prej 1.39 milion banorësh. Në vitin 2023 Kina numëronte 1 miliard e 409 milionë banorë, ndërkaq në vitin 2024 numri ka rënë në 1 miliard e 408 milionë banorë.

    Të dhënat e së premtes, më 17.01.2025, kanë fuqizuar shqetësimet se ekonomia e dytë më e madhe në botë do të ketë telashe, meqë pritet të bjerë numri i punëtorëve dhe konsumatorëve. Çmimet e ngritura për kujdesin e pleqve dhe përfitimet pensionale pritet t’ia shtrëngojnë edhe më fort rripin ekonomisë kineze, derisa Qeveria edhe ashtu po përballet me borxhe të qeverive lokale.

    Numri i përgjithshëm i lindjeve i Kinës ishte 9 milionë e 54 mijë, krahasuar me 9 milionë e 20 mijë më 2023. Numri i lindjeve është rritur në 6.77 për njëmijë banorë më 2024, krahasuar me 6.39 për njëmijë banorë më 2023.

    Numri i vdekjeve më 2024 ishte 10 milionë e 930 mijë, krahasuar me 11 milionë e 100 mijë më 2023.

    Shkalla e lindjeve e Kinës ka shënuar rënie për dekada me radhë, si rezultat i politikës një çift-një fëmijë – zbatuar nga viti 1980 deri më 2015, por edhe si pasojë e urbanizimit.

    Qysh ka ndodhur edhe në Japoninë dhe Korenë e Jugut fqinje, edhe në Kinë është rritur numri i atyre që po zhvendosen nga fshatrat në qytete, ku kushtet e jetesës janë më të shtrenjta.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Influencerja australiane akuzohet për helmimin e bebes së saj

    Një influencere australiane po akuzohet për helmimin e vajzës së saj foshnjore, që të siguronte donacione dhe që të rriste numrin e ndjekësve në internet – raporton të enjten, më 16.01.2025, televizioni britanik BBC.

    Gruaja nga Queensland ka pohuar se po shpaloste kronikisht betejën e fëmijës së saj me një sëmundje terminale në mediat sociale, por detektivët pretendojnë se ajo po e drogonte foshnjën  njëvjeçare dhe më pas e filmonte sa ishte në “shqetësim dhe në dhimbje të madhe”.

    Mjekët kishin ngritur alarmin në tetor, kur foshnja do të shtrohej në Spital, pas një episodi të rëndë mjekësor.

    Pas disa muajsh hetime, 34-vjeçarja u akuzua për “torturë”, “administrim helmi”, “material për shfrytëzimin e fëmijëve dhe mashtrim”.

    “(Nuk ka) fjalë se sa të neveritshme janë shkeljet e kësaj natyre.” – ka deklaruar para gazetarëve të enjten inspektori i Policisë së Queenslandit, Paul Dalton.

    Ndërmjet gushtit dhe tetorit, detektivët thonë se gruaja nga rajoni Sunshine Coast i dha fëmijës disa ilaçe, pa miratim të mjekut.

    Ajo bëri përpjekje të shumta që të merrte medikamente të paautorizuara dhe të fshihte mbuluar veprimet e saj, pretenduan hetuesit – duke bërë të ditur se gruaja përdorte ilaçe të mbetura për një person tjetër në shtëpinë e tyre.

    Policia kishte nisur hetimet më 15 tetor, kur foshnja do të çohej në Spital teksa po përjetonte “shqetësim dhe dëmtim të rëndë emocional dhe fizik”. Testet për ilaçe të paautorizuara treguan rezultat pozitiv në janar.

    Gruaja mblodhi 60 mijë dollarë australianë (37 mijë dollarë amerikanë), nëpërmjet donacioneve të “GoFundMe”, të cilat faqja po përpiqet t’i kthejë – ka njoftuar inspektori Dalton.

    Policia kishte hetuar persona të tjerë për abuzimin e supozuar, por nuk kishte prova për të akuzuar dikë tjetër – shtoi ai.

    Gruaja do të dalë të premten para Drejtësisë, në Gjykatën e Brisbanet.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com