Ballina

Etiketë: Naftë

  • Policia e Shqipërisë sekuestron 400 mijë litra naftë të kontrabanduar në Durrës – VIDEO

    Policia e Shqipërisë ka sekuestruar 400 mijë litra naftë dhe një anije, ku ishte e fshehur kjo sasi, në Durrës.

    Sipas tyre, nafta vinte nga Tunizia dhe është gjetur në balastrat e anijes, të cilat shërbejnë për balancimin e mjetit dhe kishte për qëllim kontrabandimin. 

    Për këtë rast njoftohet se janë arrestuar gjashtë persona dhe se janë në hetim pesë të tjerë, prej tyre disa shqiptarë, sirianë dhe egjiptianë, të cilët ishin pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. 

    Ndërsa, dy organizatorët e dyshuar, J. K. 31 vjeç dhe S. S. 32 vjeç, Policia thotë se janë shpallur në kërkim.

    Policia e Shqipërisë thotë se kjo është realizuar gjatë një operacioni të quajtur “Ari i zi”, ndërsa dje, më 13.01.2025, gjatë po të njëjtit operacion, ata njoftojnë se kanë sekuestruar edhe 670 mijë litra naftë të kontrabanduar. Si dhe, janë identifikuar 10 persona të përfshirë në këtë rast. 

    “Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP – Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP – Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit – Durrës, Guardia di Finanza – Durrës, si dhe Dega e Doganës – Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2.” – thuhet në njoftimin e datës 14.01.2025.

    Tutje, thuhet se gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiten i anijes; W. B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë; H. B., 47 vjeç, shef i inxhinierëve; S. Sh., 25 vjeç, shef i Ofiçinës; F. I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës; si dhe, shtetasi shqiptar N. M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes. 

    Policia e Shqipërisë njofton se gjatë këtij operacioni janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për pesë pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes e të cilët, sipas tyre, ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit. 

    “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftim. 

     

  • Hungari, rriten çmimet e naftës pas sanksioneve amerikane ndaj Rusisë

    Hungaria planifikon të zhvillojë bisedime me aleatët e saj në rajon për t’u përballuar me çmimet më të larta të naftës, si rezultat i një raundi të ri sanksionesh amerikane ndaj sektorit të naftës dhe gazit rus. Njoftimi u bë dielën nga Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.

    Sanksionet e së premtes përbënin paketën më të gjerë e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur deri më tani, e që synojnë të ardhurat që fiton Rusia nga nafta dhe gazi, pjesë e masave për t’i dhënë Kievit dhe administratës së ardhshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, avantazh për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Çmimet e naftës arritën nivelin më të lartë në tre muaj pas publikimit të lajmit mbi sanksionet.

    Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj kompanive ruse ‘Gazprom Neft SIBN.MM’ dhe ‘Surgutneftegas’, si dhe 183 anije që kanë transportuar naftë ruse, njohur si flota në hije e Moskës.

    “Kjo paketë sanksionesh ka krijuar sfida të forta për Evropën Qendrore”, tha zoti Szijjarto në një video mesazh të publikuar në Facebook.

    Ai tha se ulja e sasisë së furnizimit me naftë të papërpunuar do të rrisë kërkesën për lëndë djegëse të rafinuar, si benzina dhe nafta, duke rrezikuar çmimeve “shumë më të larta” në rajon.

    Hungaria importon pjesën më të madhe të naftës së saj bruto përmes tubacionit Druzhba, i cili transporton naftë bruto ruse në këtë vend përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës dhe gjithashtu e dërgon atë edhe në Sllovaki.

    Zoti Szijjarto tha se Hungaria do të nisë bisedimet me aleatët rajonalë për të zbutur ndikimin e këtyre çmimeve në ekonomi. Por ai nuk dha detaje se me cilin vend do të bisedonte Hungaria./VOA