Ballina

Etiketë: moska

  • Rusia fajëson Ukrainën për sulmin vdekjeprurës në Donjeck

    Rusia e ka akuzuar Ukrainën se e ka kryer sulmin vdekjeprurës ajror ndaj një dyqani ushqimor në qytetin e Donjeckut – të kontrolluar nga Moska – në lindje të Ukrainës, pasi një valë sulmesh ruse me dronë sulmuan disa rajone ukrainase, përfshirë kryeqytetin, Kiev.

    Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA, tha se hetuesit rusë po hetojnë sulmin e kryer më herët gjatë 10 janar, duke pretenduar se një raketë HIMARS – që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës – goditi supermarketin, duke vrarë dy persona.

    Një video e publikuar në rrjetet sociale, e cila është verifikuar nga Radio Evropa e Lirë, duket se shfaq një shpërthim masiv në një zonë ku gjendej një dyqan i vogël.

    Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar këto akuza ruse.

    Forcat ajrore ukrainase, ndërkaq, thanë se Rusia ka sulmuar Ukrainën me 72 dronë të llojit Shahed në rajonet Poltava, Sumi, Harkiv, Çerkasi, Kiev, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Helmitski, Vinitsja dhe Herson.

    Teksa sulmet ajrore dhe luftimet intensive po vazhdojnë, përpjekjet diplomatike për ndaljen e konfliktit po ashtu duket se janë intensifikuar.

    Ministria e Jashtme ukrainase tha më 10 janar tha se Kievi pret bisedime të nivelit të lartë me Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump, të marrë detyrën më 20 janar.

    “Ne po presim për një takim mes presidentëve tanë sepse për ne gjëja kryesore është që të punojmë së bashku me Amerikën… ne po përgatitemi për kontakte të niveleve më të larta menjëherë pas inaugurimit”, tha zëdhënësi i ministrisë, Heorhiy Tykhiy.

    Kremlini tha se ka vullnet për një takim me Trumpin dhe ka pasur përparim në përgatitjen e një takimi, pasi presidenti i ri të inaugurohet.

    “Për këtë nuk kërkohet asnjë kusht, është një dëshirë e përbashkët dhe vullnet politik për të pasur dialog dhe për të zgjidhur problemet ekzistuese dialogu është i nevojshëm”, tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, një ditë pasi Trumpi tha se po punohet për një takim mes tij dhe presidentit rus, Vladumir Putin, ndonëse nuk dha detaje për kohën se kur do të zhvillohet ky takim./REL

  • Zelensky: Dhënia fund e transitit të gazit rus është humbje për Moskën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një gazsjellësi që kalon në tokën ukrainase, përbën humbje për presidentin rus, Vladimir Putin.

    “Kur Putin është bërë president i Rusisë më shumë se 25 vjet më parë, sasia e gazit natyror që ka kaluar përmes Ukrainës në Evropë, ka qenë më shumë se 130 miliardë metra kub në vit. Tani është zero”, ka thënë Zelensky në X – platormë e njohur më parë si Twitter.

    “Kjo është një prej humbjeve më të mëdha të Moskës. Si rezultat i shfrytëzimit të energjisë si armë, nga ana e Rusisë, dhe shantazhimit të partnerëve, Moska e ka humbur një prej tregjeve më profitabile dhe të qasshme gjeografikisht”, ka thënë ai.

    Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi gjiganti shtetëror rus, Gazprom, ka thënë se i ka pezulluar furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrianë, pasi Kievi ka refuzuar të vazhdojë kontratën e nënshkruar para se Moska të niste luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kjo do të thotë se Ukraina do të humbë 800 milionë dollarë në vit që i siguronte nga tarifat e transitit.

    Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë gati 5 miliardë dollarë, në mungesë të shitjes së gazit.

    Zelensky ka thënë se shumica e shteteve evropiane u janë përshtatur ndryshimeve, por ka përmendur që Ukraina dhe aleatët duhet ta mbështesin Moldavinë në periudhën e transformimit energjetik.

    Moldavia është ende pjesërisht e varur prej gazit rus.

    Zelensky ka thënë se Ukraina shpreson në rritjen e furnizimeve me gaz amerikan në Evropë, dhe që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, veçse e ka përmendur këtë mundësi.

    “Sa më shumë gaz i qasshëm në tregje për partnerët e vërtetë të Evropës, aq më shpejt do të eliminohet varësia ndaj Rusisë”, ka thënë ai.

    Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

    Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës.

    Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL